Kandidati i Presidentit Genti Sejko pritet t’i bashkohet Këshillit Mbikëqyrës para diskutimit si propozim për Guvernator. Negociatat mes Nishanit-Metës e Ramës për drejtuesin e ri të Bankës Qëndrore çojnë në emrin e Sejkos si guvernatori i ri. Por ka dhe një plan B…..
Në zyrat qëndrore të Bankës së Shqipërisë po bëhen arredimet e fundit për të rihapur godinën simbol pas ristrukturimit dhe pas skandalit të vjedhjes së të paktën 713 milionë lekëve nga thesari i saj.
Punonjësit ankohen se nuk kanë marrë shpërblimin e rradhës, një nga të paktën 4 të tilla që marrin çdo vit nënpunësit e Bankës Qëndrore të Shqipërisë ndryshe nga administrata tjetër publike që këtë vit nuk u shpërblye as me 10 mijë lekëshin që ishte bërë i zakonshëm vitet e fundit.
Erëra të forta kanë fryrë për bankën qëndrore që pas skandalit të vjedhjes së thesarit që u zbulua në korrik dhe arrestimit të papritur të Guvernatorit dhe inspektores së përgjithshme në shtator. Bankën e drejton zv.guvernatorja e parë znj. Elisabeta Gjoni me një karrierë të gjatë si zyrtare e lartë por me profil të ulët publik, e cila është “in charge” si kryetare e Këshillit Mbikëqyrës.
Ky i fundit funksionon në limitet e kourumit me 5 antarë nga 9 që përcakton ligji pasi dy pozicione ka më shumë se një vit që janë vakante, Guvernatori është shkarkuar ndërkohë që Kuvendi të enjten e fundit shkarkoi Adrian Civicin i cili ishte dorëhequr që më 9 shtator 2014.
Godina e ristrukturuar nuk ka mundësi të përfshijë gjithë personelin 537 punonjës që ka në organikë Banka e Shqipërisë e për këtë arsye zyrat e reja do të funksionojnë për Guvernatorin dhe disa departamente kryesore. Ende nuk ka një datë për përurimin e godinës së ristrukturuar pasi ndoshta pritet të inagurohet nga Guvernatori i ri por gjasat janë të pakta që janari 2015 të gjejë në zyrë shefin e ri të institucionit qëndror monetar.
Negociatat dhe nënkuptimet
Kuvendi në seancën e së enjtes së 18 dhjetorit ka miratuar dy akte lidhur me Bankën Qëndrore, ligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë” të ndryshuar” ku i hapet rruga edhe shtetasve të huaj të kandidojnë për antar(nënukupto edhe kryetar) të Këshillit Mbikëqyrës dhe projektvendim “Për lirimin e z. Adrian Civici si anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë”.
Të dy aktet janë në fakt pasojë e diskutimeve dhe negociatave për emrin e ri të Guvernatorit dhe kanë nënkuotimet dhe mesazhet e tyre për mënyrën se si do të zgjidhet. Votimi i dorëheqjes së Civicit me 18 dhjetor ishte si një “harresë” e vogël që erdhi rreth 100 ditë pas deklaratës së tij të datës 9 shtator ndërkohë që gjithë faktorët e interesuar ishin shprehur për emergjencën e zgjedhjes së Guvernatorit, plotësimin e vakancave në Këshill dhe zgjedhjen e inspektores së re të përgjithshme.
Përplaja ligjore mes zgjedhjes së Guvernatorit nga Presidenti parashikuar në Kushtetutë(neni 161/2-Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje) dhe ligjit ku për parashikohet se Kryetari i Këshillit Mbikëqyrës(Guvernatori) është një nga nëntë antarët e tij duket se rizgjuan diskutimet për përfshirjen e z.Sejko në këshill para fillimit të dëgjesave në Komisionin e Ekonomisë për dekretin e presidentit për emrin e tij si Guvernator.
Skenar I-Sejko guvernator
Një skenar është propozimi dhe votimi i kandidatit të presidentit për guvernator si antar i Këshillit nga vetë këshilli sipas nenit 44/2 gërma c të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë” dhe më pas kandidatura e tij t’i nënshtrohet seancave dëgjimore në Kuvend dhe votimit në seancë plenare.
Ky skenar i paralajmëruar në revistën “Monitor” print që të shtunën u zbardh me deklaratën e Bankës së Shqipërisë të dielën në datë 20.12.2014 ku shkruhet se “Këshilli Mbikëqyrës thirri për dëgjesë kandidatin e propozuar për Guvernator nga Presidenti i Republikës, z. Gent Sejko. Pasi u njohën me jetëshkrimin, arsimimin, përvojën profesionale dhe vizionin e z. Sejko, të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, me përgjegjshmëri të plotë institucionale, vlerësuan se kandidatura e z. Sejko përmbush të gjitha kriteret ligjore të përcaktuara në ligjin për Bankën e Shqipërisë për të qenë anëtar i organit më të lartë vendimmarrës dhe mbikëqyrës të institucionit”.
Në këtë mënyrë Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, mbështetur në nenin 44, pika 2, gërma “c” e ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”, me vendimin nr. 79, datë 19.12.2014, i propozoi Kuvendit të Shqipërisë, zgjedhjen e z. Gent Sejko në funksionin e anëtarit të këtij organi(http://www.bankofalbania.org/web/NJOFTIM_PER_SHTYP_7174_1.php?kc=0,26,0,0,0) .
Gjasat janë që sipas këtij skenari z. Sejko të votohet edhe si Guvernator pasi dukshëm në deklaratën për shtyp të Bankës i mëshohet emergjencës dhe konsensusit të arritur mes palëve kur thuhet se “Këshilli Mbikëqyrës shpreh bindjen se përmes kësaj zgjedhjeje, po kontribuon në zgjidhjen në një kohë sa më të shpejtë të çështjes së emërimit të Guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë dhe i shërben stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit”.
Skenari II-Sejko zv.guvernator
Por në të njëjtën ditë me shkarkimin e Civicit dhe lirimin e vendit të tij si antar i propozuar nga Këshilli, Kuvendi ka votuar amendimin e ligjit të Bankës vetëm për shtetësinë, pavarësisht se ka një konsensus të gjerë mes deputetëve, akademikëve, FMN-së, qeverisë dhe vetë Bankës së Shqipërisë se ligji për bankën qëndrore duhet parë në themel dhe me kujdes për të rivendosur parimin e kontrollit dhe balancës, llogaridhënies dhe trasparencës, përgjegjëshmërisë dhe pavarësisë së Bankës.
Pra, amendimi i ligjit vetëm për nenin 44/3 për pjesën e shtetësisë duke i hapur rrugë edhe kandidimit dhe votimit të kandidatëve jodomosdoshmërisht me shtetësi shqiptare(të huaj ose shqiptarë që kanë ndryshuar shtetësinë si psh kandidatja e përfolur e kryeministrit Denada Prifti e cila ka braktisur shtetësinë shqiptare për tu konvertuar në gjermane), do të ishte një sipërmarrje e madhe që s’do ja vlente thjesht për një pozicion antari në këshillin mbikëqyrës.
Vetëm pak ditë pas dekretimit të z.Sejko për Guvernator, kryeministri takoi për herë të pestë në tre muaj Presidentin për të zgjidhur me mirëkuptimin ndasitë e qarta për emrin e Guvernatorit(http://www.monitor.al/rama-nishani-takim-pas-dekretimit-te-sejkos-per-guvernator/). Asnjë nga institucionet nuk bëri me dije përmbajtjen e bisedimeve por veprimet e mëpasshme me disa dalje publike të kryeparamentarit Meta nënkuptojnë të mundshëm edhe skendarin e dytë për emrin e Guvernatorit.
Sipas këtij skenari mazhoranca Rama-Meta duket se synon të gjejë konsensusin me presidentin për spostimin e z.Sejko në pozicionin e zv.guvernatorit të dytë të Bankës (një vend vakant që nga viti 2006 pas dorëheqjes së z.Limoz Malaj) dhe propozimin e znj.Prifti si guvernatore e re e Bankës së Shqipërisë. Veprimet e fundit të Kuvendit e nënkuptojnë se palët mund të shkojnë drejt një procesi të tillë por mbetet e paqartë nëse Presidenti do ta pranonte apo jo këtë kompromis.
Pavarësisht se mesazhet e mazhorancës janë shpesh herë të kundërta, duket se marrëveshja është arritur jashtë partisë dhe pastaj diskutohet edhe në grupet parlamentare. Në një postim në FB kryetari i Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe thotë se “procesi disi po bëhet formal, ndërkohë që zotëria po bëhet anëtar Këshilli pasi Presidenti e ka dekretuar Guvernator! Nxitimi për paligjshmëri kështu të nxjerr!”.
Më pasi Braçe paralajmëron një seancë të nxehtë dëgjimore me z. Sejko kur thotë se “nejse, tani që po rikthehemi në ligjshmëri duhet të gjykojmë meritën!! Patjetër meritën!! Do ketë seancë dëgjimore, prezantim, pyetje, përgjigje dhe gjithcka në sy të publikut”!!
Procedurat e pritshme
Vendimi i Këshillit të Bankës së Shqipërisë për të propozuar z.Sejko për antar të këshillit Mbikëqyrës i është dërguar në fundjavë Kuvendit dhe pritet që këtë javë të fillojnë procedurat e dëgjimit në Komisionin e Ekonomisë dhe më pas votim në seancë ku nevojiten 50 %+1 e votave të deputetëve të pranishëm.
Gjithashtu këtë javë mund të votohet edhe plotësimi i vakancave në këshillin Mbikëqyrës pas përfundimit të seancave dëgjimore të së premtes për dy propozimet e Kuvendit dhe pas amendimit të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë” që i hap rrugën dëgjesës dhe votimit të propozimit të kryeministrit znj.Prifti për antare të këshillit.
Gjithashtu pritet që PS dhe PD në mbledhjet e sotme të grupeve parlamentare, të fundit për këtë vit, të diskutojnë për dy skenarët e cituar më lart. Nëse z.Rama do të bind grupin e tij kuvendor se të gjitha përpjekjet e tij për të bindur Presidentin kanë dështuar atëherë z.Sejko do të jetë padiskutim guvernatori i ri me mandatin plotësues të ish-guvernatorit Fullani. Por sigurisht që kjo hipotezë do të kundërshtohet nga deputetë brenda grupit. Z.Braçe e ka paralamëruar një gjë të tillë kur shprehet se “do zgjedhim Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, jo numrin 13 në Ballon pa Maska të Presidentit!!”
Pas kësaj procedure z.Sejko mund të votohet edhe si guvernator madje mundësitë janë që të votohet në të njëjtën seancë, ndoshta të datës 24 dhjetor 2014, për shkak të emergjencës që ka zgjedhja e guvernatorit.
Prania e paralajmëruar e opozitës në Kuvend mund t’ja lehtësojë debatet z.Sejko pasi më parë disa deputetë të mazhorancës kishin kritikuar kandidaturën e presidentit(http://www.monitor.al/ps-rezerva-per-genti-sejkon-bushati-guvernatori-pertej-sistemit-bankar-09122014-1410/ ).
Nëse mazhoranca nuk arrin marrëveshje “brenda vetes” ta zgjedhë si guvernator z.Sejko atëherë duhet të votohet dhe rrëzohet kandidatura e parë e presidentit dhe më pas presidenti të dekretojë një tjetër antar të këshillit për Guvernator. Ky skenar është më i vështiri dhe më i gjati në kohë dhe për rrjedhojë dhe më i pamunduri. Me shumë gjasa bankieri Gent Sejko do të marrë mandatin plotësues rreth 4 vjeçar të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.