Një kompani braziliane ka përllogaritur vlerat ekonomike të lojtarëve të 32 përfaqësueseve që marrin pjesë.
Thuajse 6 miliardë euro. Kaq vlejnë 32 përfaqësueset e kualifikuara për në Botërorin e Brazilit. Kjo e dhënë është mbledhur nga agjencia braziliane “Pluri Consultoria”, e specializuar në sport dhe biznes. Janë 736 futbollistë që do të luajnë në Kupën e Botës në Brazil 2014 që kanë një vlerë kompleksive prej 5.8 miliardë eurosh. Në krye të listës sigurisht që janë të zotët e shtëpisë, Brazili. “Seleçao verdhejeshil” vlen plot 509 milionë euro me një mesatare thuajse 22.1 milionë eurosh për futbollist (në vlerë kartoni), e ardhur nga përllogaritja e 23 të grumbulluarve nga ana e Skolarit për këtë eveniment. Në podium të kombëtareve më “të shtrenjta” është edhe Spanja kampione aktuale e Botës në fuqi, me një vlerë prej 504 milionë eurosh, e ndjekur më pas nga Argjentina, me 475 milionë euro). Ndërkohë, Italia, fituese katër herë e këtij evenimenti, menjëherë pas Brazilit me pesë tituj bote, është renditur e shtata në këtë përllogaritje, me një çmim kartoni kompleksiv rreth 316 milionë euro, me një mesatare prej 13.7 milionë eurosh për lojtar, të paktën sipas sistemit që ka 77 kritere për të nxjerrë shumën finale, të ndara këto në 18 zona tematike. Të kaltrit janë pas Gjermanisë (446 milionë euro), Francës (373 milionë euro) dhe Belgjikës (320 milionë euro). Por, skuadra e Prandelit gjendet përpara Rusisë së Kapelos (169 milionë euro) dhe rivalëve në grupin e Brazilit, Anglisë (312 milionë euro, Uruguait (185 milionë euro) dhe Kosta Rikës. Ndërkohë, grupi më i pasur i Botërorit është ai G, i përbërë nga Gjermania, Portugalia, Gana dhe SHBA, për një vlerë kompleksive prej 911 milionë eurosh. Ndërsa, grupi më i varfër, është ai C, i formuar nga Kolumbia, Bregu i Fildishtë, Japonia dhe Greqia, me një vlerë kompleksive prej 518 milionë eurosh.
Grupi G
Është edhe grupi më i pasur në vlerën kompleksive, me Gjermaninë, Portugalinë, Ganën dhe SHBA, vlera e të cilit shkon në 911 milionë euro
Grupi C
Është edhe grupi më i varfër i Botërorit, i përbërë nga Kolumbia, Bregu i Fildishtë, Japonia dhe Greqia, me një vlerë prej 518 milionë eurosh
Eventi më i madh sportiv në botë
Kupa e Botës në futboll, që organizohet nga FIFA, është kompeticioni më i madh dhe realizohet përmes pjesëmarrjes së 208 skuadrave të meshkujve, të rritur të asociuar pranë këtij asociacioni. Ky eveniment që organizohet një herë në katër vjet ka nisur të zhvillohet që nga viti 1930. Qëllimi i FIFA-s është të zhvillojë lojën, duke ndërtuar një të ardhme më të mirë, përmes mënyrave të ndryshme. Për këtë organizim, rreth 200 skuadra kanë luajtur 853 ndeshje. Në 19 evente të organizuara, Kupa është fituar nga tetë shtete të ndryshme: Brazili e ka fituar pesë herë dhe është e vetmja skuadër e cila ka luajtur në çdo kompeticion. Fitues të tjerë janë: Italia me katër tituj, Gjermania me tre, Argjentina dhe Uruguai me nga dy, Anglia, Franca dhe Spanja me nga një titull. Kupa e vitit 2010 që u zhvillua në Afrikën e Jugut u transmetua nga 204 shtetet në 245 kanale të ndryshme. Mbi 6 milionë njerëz e ndoqën eventin nga 16 vende publike të shpërndara në mbarë botën, në Afrikën e Jugut, në Romë, Paris, Berlin, Sidnej, Meksikë dhe Rio de Janeiro. Njësitë akomoduese në Botërorin e Afrikës pranuan gati çerek milion njerëz. Treçerek milionë litra birrë u shitën në stadiume dhe 390,600 hot dog. Më shumë se gjysmë milion vizitorë ndërkombëtarë zbritën në Afrikën e Jugut. Kupa Botërore e FIFA-s është një burim i madh fitimi edhe sa u përket të drejtat televizive dhe aktiviteteve sociale në lidhje me turneun. Dy kupat e ardhshme të Botërorit do të zhvillohen në Rusi në vitin 2018 dhe në Katar në vitin 2022.