Dhe bota nuk do të jetë më e njëjta…
Një ditë, jo shumë shpejt, por gjithsesi më shpejt nga sa mund të mendoni, smartphone do të zhduket plotësisht, në të njëjtën mënyrë, ashtu si para tij, u zhduk edhe fax. Jini të qetë – do të duhet të kalojë, me shumë mundësi, edhe të paktën një dekadë. E megjithatë, pak nga pak, bazat për zhdukjen e smartphone, janë duke u ndërtuar.
Dhe “arkitektët” janë Elon Musk, Microsoft, Facebook, Amazon dhe një numër i pallogaritshëm start-up që kanë ende shumë për të bërë. Fajtori do të jetë Inteligjenca Artificiale. Duhet ta themi: kur dhe nëse smartphone do të vdesë vërtet, atëherë bota nuk do të jetë më si më parë – në lidhje me produktet individuale, mënyrën se si e jetojmë jetën e përditshme dhe për vetë njerëzimin. Më poshtë është një vështrim i shkurtër në rrugën e ngadaltë dhe të pandalshme të vdekjes së smartphone dhe se si do të duket bota post-smartphone.
Në afat të shkurtër
Njerëzit mendojnë për iPhone dhe smartphone të tjerë të frymëzuar prej tij si pajisje revolucionare, mjaft të vogla për t’i marrë ata kudo, mjaft të fuqishëm për të menaxhuar një numër gjithnjë e më të madh aktivitetesh të përditshme dhe të pasur, me numrin e duhur të kamerave dhe sensorëve GPS për të përdorur aplikacione si Snapchat dhe Uber. Por shiheni smartphone nga një perspektivë tjetër. Kompjuterët dhe laptopët janë një kombinim i mouse, tastierës dhe monitorit.
Smartphone-t thjesht e morën atë model, e zvogëluan duke e kthyer në input virtual dhe të ndjeshëm ndaj prekjes. Le të marrim si shembull iPhone X. Ai është një telefon fantastik, por është më shumë një përmirësim i modeleve paraardhës sesa një revolucion. Sidoqoftë, iPhone, ashtu si Galaxy S8, janë të pajisur me asistentë virtualë. Apple dhe Samsung & Co. (Amazon, më shumë se të gjithë, edhe pse nuk prodhon smartphone) premtojnë se një ditë ju do të mund të kontrolloni çdo funksion dhe aplikacion, vetëm me zërin tuaj.
Ai do të jetë i disponueshëm me një version të ri të kufjes së realitetit virtual Gear VR, e zhvilluar në bashkëpunim me Facebook Oculus. Dhe ndërkohë që pajisje si Amazon Echo, Sony PlayStation VR dhe Apple Watch vazhdojnë të gëzojnë sukses të kufizuar, në të ardhmen, edhe më shumë kompani teknologjike, të mëdha dhe të vogla, do të bëjnë më shumë eksperimente mbi valën tjetër të ndërfaqjeve informatike.
Në afat të mesëm
Në afat të mesëm, të gjithë këto teknologji të ndryshme eksperimentale dhe në fazën e parë do të marrin formën e diçkaje të njohur, por të çuditshme. Microsoft, Facebook, Google, e Magic Leap, që mbështeten nga Google, po punojnë për të ndërtuar kufje autonome për realitetin e shtuar. Edhe Apple thotë se po punon për këtë gjë. Kohët e fundit, Alex Kipman nga Microsoft ka thënë se realiteti i shtuar mund të zëvendësojë lehtësisht telefonat inteligjentë, televizorin dhe çdo gjë tjetër që ka një ekran.
Në këtë pikë, nuk është më e dobishme një pajisje e veçantë në xhep, nëse gjithë telefonatat, bisedat, filmat dhe lojërat do të projektohen drejtpërdrejt në sytë tuaj dhe të mbivendosur në botën rreth jush. Pajisje si Amazon Eco apo AirPods të Apple po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme në këtë botë. Ndërkohë që sisteme të Inteligjencës Artificiale si Siri i Apple, Alexa i Amaxon, Bixby i Samsung dhe Cortana i Microsoft bëhen gjithnjë e më inteligjentë, do të ketë një rritje jo vetëm të njerëzve që flasin me kompjuterët, por edhe të kompjuterëve që do të na përgjigjen. Me fjalë të tjera, kompjuterët do të ndërhyjnë edhe më shumë në shqisat tuaj, me shikimin dhe dëgjimin të ndërmjetësuar nga teknologjia.
E ardhmja e çmendur
E megjithatë, gjithë këto investime për 2-3 vitet e ardhshme mbështeten ende në pajisje që duhet të vishen, edhe pse bëhet fjalë vetëm për një palë syze. Disa nga progreset më të çmendura, më largpamëse dhe më të paparashikueshme shkojnë edhe më tej – vetëm se duhet të prisni edhe disa dekada. Para disa ditësh mundëm t’i hedhim një vështrim Neuralink, një shoqërie të re nën pronësi të Elon Musk, me objektivin për të ndërtuar një kompjuter në trurin tonë. Teknologji është në fazë fillestare, e cila do të ndërtohet në kokën tonë për ta lidhur atë me një kompjuter.
Ky është hapi tjetër, që shkon madje përtej atij bashkimi të botëve dixhitale dhe fizike, në momentin që njeriu dhe kompjuteri bëhen një gjë e vetme. Duke supozuar se teknologjia funksionon – dhe shumë njerëz inteligjentë besojnë se Musk do ta bëjë këtë gjë – kjo është pika finale më e logjikshme e rrugës ku na kanë çuar smartphone-t. Nëse smartphone-t na dhanë aksesin ndaj informacioneve dhe realiteti i shtuar i vë informacionet përballë nesh kur kemi nevojë, atëherë vendosja e telave nervorë në trurin tonë thjesht mbush hendekun.
Musk tha se kjo ndodh pasi zhvillimi i Inteligjencës Artificiale – baza e shumë teknologjive të tjera, ndër të cilat asistentët zanorë dhe realiteti virtual – do të thotë se njerëzit duhet të “zhvillojnë” vetveten për të ecur në një hap me makinat. Nëse kjo ide ju bën kureshtarë, futurologu Ray Kurzweil është zëri kryesor për këtë temë. Ideja e shkrirjes njeri / makinë është e tmerrshme, me shkrimtarë fantashkencorë, specialistët e teknologjisë dhe filozofët që kanë arsye të pyesin se çfarë është ajo gjë që na bën qenie njerëzore. Në të njëjtën kohë, kjo ide është e re, sa askush nuk e di në të vërtetë se si do të jetë kjo botë në praktikë.
Pra, kur dhe nëse smartphone do të vdesë, do të jetë në të vërtetë fundi i një epoke në më shumë se një këndvështrim. Do të jetë fundi i pajisjeve që i bartim në mënyrë pasive dhe fillimi i diçkaje që lidh trupin tonë drejtpërdrejt me fluksin e informacioneve dixhitale. Do të jetë… e çuditshme.
Burimi: Business Insider