Shtimin më të madh në vlerë absolute e kanë shënuar eksportet drejt Spanjës, nga e cila ka ardhur rreth 73% e rritjes së totalit të eksporteve (eksportet drejt Spanjës janë rritur me bazë vjetore me 11.5 miliardë lekë në vlerë absolute, për 11-mujorin, nga 15.6 miliardë lekë që ishte zgjerimi total i eksporteve për të njëjtën periudhë.
Spanja është bërë kështu partneri i dytë tregtar i Shqipërisë, porsa u përket eksporteve, me rreth 9.4% të totalit. Për 11-mujorin, eksportet kanë shënuar rritje rekord me bazë vjetore prej 166%, duke dhënë ndikim të ndjeshëm në performancën totale të këtij treguesi.
Eksportet drejt shtetit spanjoll kanë regjistruar rritje gati mbresëlënëse gjatë tri viteve të fundit, 2009-2012. Sipas të dhënave nga INSTAT, gjatë nëntëmujorit të vitit të kaluar janë eksportuar rreth 18.5 miliardë lekë.
Krahasuar me vitin 2009, eksportet janë rritur 17 herë në janar-nëntorin e vitit 2012.
Janë pikërisht eksportet e mineraleve ato që i kanë dhënë bumin eksporteve drejt tregut spanjoll. Sipas të dhënave nga operatorët e tregut, nafta është minerali që ka shtuar ndjeshëm shitjet drejt këtij tregu.
Nga të dhënat e INSTAT, konfirmohet se mineralet përbëjnë rreth 91% të totalit të eksporteve drejt Spanjës.
Drejtuesit e kompanisë së vetme eksportuese të naftës në vend, kanadezes “Bankers Petroleum”, konfirmojnë për “Monitor” se gjatë vitit të kaluar kanë vijuar të nxjerrin dhe eksportojnë më shumë naftë, duke ia shitur atë partnerëve të tyre.
“Partneri ynë kryesor është ‘British Petroleum’. Nga të dhënat që ne kemi, rezulton se rreth 70% e naftës që ne i kemi shitur kësaj kompanie ka shkuar në Spanjë”, thonë përfaqësuesit e kompanisë.
Edhe gjatë këtij viti, “Bankers Petroleum” ka parashikuar një rritje të ndjeshme të volumit të naftës që do të nxirret nga puset shqiptare dhe më pas do shitet në tregjet ndërkombëtare. Sipas raportit vjetor të publikuar në faqen zyrtare të kompanisë, parashikohet dyfishim i puseve dhe si pasojë, edhe i prodhimit, ndërkohë që çmimi i shitjes është kontraktuar me një vlerë më të ulët se viti 2012.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.