Stimuli fiskal

06/03/2021 10:00 PM 0 komente

Pse stimuli i propozuar nga Joe Biden është tepër i madh. Ekonomia amerikane ka më tepër nevojë për ndihmë të piketuar sesa për shpenzime masive

 

Ekonomia e Amerikës do të rimëkëmbet nga pandemia më shpejt sesa ekonomitë e vendeve të tjera të pasura, parashikon FMN-ja.

Kjo jo për shkak se ajo ka kontrolluar përhapjen e sëmundjes – këtë në fakt nuk e ka bërë – por kryesisht për shkak të stimulit të madh ekonomik, i cili rriti të ardhurat e familjeve me më shumë se 6% në vitin 2020, edhe kur shkalla e papunësisë arriti kulmin pothuajse në nivelin 15%, shkruan The Economist. Para se Joe Biden të bëhej president,

Kongresi kishte shpenzuar 4 miliardë dollarë për të luftuar krizën. Tani ai propozon 1.9 trilionë dollarë më shumë në shpenzime emergjente, të cilat do ta çonin totalin në mbi 25% të PBB-së në vitin 2019. Republikanët mendojnë se kjo është e tepërt. Një grup senatorësh republikanë ka hartuar një kundër-ofertë të një plani me vlerë rreth 600 miliardë dollarë.

Madhësia e duhur e ndihmës ekonomike nuk duhet gjykuar nga lart – poshtë. Amerika nuk është në një recesion normal që mund të zgjidhet nga një derdhje e kalibruar e shpenzimeve qeveritare. Asnjë sasi ndihme monetare nuk do të rihapë plotësisht restorantet, klubet e natës dhe zyrat, ndërsa virusi vazhdon të përhapet – dhe as që do të ishte e dëshirueshme. Qeveria në vend të kësaj duhet të luftojë krizën nga poshtë-lart.

Kongresi duhet të shpenzojë gjithçka që nevojitet për vaksinat dhe për të siguruar të ardhurat e punëtorëve që mbajnë barrën e krizës. Ata kanë humbur punën pa pasur faj dhe nëse të ardhurat e tyre do të shembeshin, ata do të shkurtonin shpenzimet, duke përhapur dhimbjen në pjesën tjetër të ekonomisë. Zgjatja e programit bujar të ndihmës ekonomike për të papunët përtej skadimit të tij në mars, duhet të jetë përparësi.

Askush nuk duhet të shqetësohet për koston e madhe të ndihmës ekonomike kur bëhet fjalë për rimëkëmbje nga katastrofa. Megjithatë, zgjatja e deficiteve të mëdha mbart një rrezik. Sipas parashikimeve zyrtare të publikuara më 1 shkurt, nëse nuk vjen më shumë stimul, PBB-ja e Amerikës do të mbetej prapa potencialit të saj me vetëm 1.3%, në fund të vitit 2021.

Shpenzimet e propozuara nga zoti Biden janë gjashtë herë më të mëdha se mungesat. Efekti “shumëzues” i shpenzimeve qeveritare në prodhim është i vështirë të vlerësohet, por është ende i vogël sepse shumë familje po i kursejnë paratë e stimulit ekonomik. Sidoqoftë, nëse vaksinimet lejojnë që ekonomia të rihapet plotësisht në gjysmën e dytë të vitit 2021, efektet e stimulit mund të bëjnë që ekonomia të mbinxehet, duke çuar në një shpërthim të inflacionit.

Inflacioni më i lartë do të ishte i tolerueshëm – madje, deri në një pikë, edhe i mirëpritur. Por kjo do të nënkuptojë se çdo shpenzim i mëtejshëm në deficit, për shembull në planin e infrastrukturës së zotit Biden, do të ndezte më tepër zjarrin. Është më mirë të ruhet karburanti fiskal, duke shmangur problemet e panevojshme. Demokratët duan të ofrojnë çeqe me vlerë 1,400 dollarë për shumicën e individëve, përveç shumës prej 600 dollarësh që kanë përfituar së fundmi.

Ndihmat universale nuk lejojnë që njerëzit të anashkalohen nga programet burokratike, por shuma prej $ 2,000 është një propozim arbitrar i popullarizuar nga Donald Trump. Plani i zotit Biden gjithashtu përfshin 350 miliardë dollarë për qeveritë e shteteve dhe ato lokale. Në fillim të krizës dukej sikur ato do të pësonin një kolaps në të ardhurat nga taksat. Në fakt, buxhetet e tyre janë ruajtur pasi ndihmat bujare të papunësisë nga qeveria federale dhe një shpërthim i shpenzimeve për mallra, kanë rritur përfitimet nga taksat. Asnjë nga këto çështje nuk është përparësi në projektligjin e zotit Biden.

Politika e duhur fiskale duhej të jetë fleksibël, duke siguruar shpenzime emergjente për sa kohë që pandemia vazhdon dhe duke kursyer një nxitje më të gjerë fiskale për më vonë, nëse është e nevojshme. Republikanët – dhe disa demokratë të moderuar – kanë të drejtë kur argumentojnë se shuma 1.9 trilion dollarë tani është e tepërt. Zoti Biden mund të jetë i gatshëm të shkurtojë propozimin e tij. Një shifër prej rreth 950 miliardë dollarësh do të lejonte sigurimin e papunësisë, një sasi më të vogël çeqesh universale, luftimin e varfërisë së fëmijëve dhe shpenzimet shtesë për vaksinat.

Demokratët kanë të drejtë kur druhen se skeptikët në Kongres mund të pengojnë rimëkëmbjen nëse përkeqësohet kriza. Republikanët duhet të zotohen për të mbështetur shpenzime të mëtejshme nëse kjo do të ndodhte. Demokratët duhet të përdorin mundësitë e tyre të kufizuara për të anashkaluar kundërshtimin republikan në Senat. Një marrëveshje dypalëshe tani do të rriste shanset që ekonomia të marrë mbështetjen e duhur, në kohën e duhur.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of