Stresi në vendin e punës po u kushton miliarda bizneseve në Europë

05/08/2019 9:05 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Sot, problemi me të cilin përballemi është stresi i madh, një pjesë për shkak të nxitimit për të bërë gjërat dhe burnout (mbingarkesës) – një fenomen që po vihet re në të gjithë Europën.

Paqartësia e vazhdueshme e Brexit po e përkeqëson situatën për punonjësit britanikë, gjë që, sipas raportimeve – ka çuar në nivelet më të larta të stresit në vitet e fundit. Ndër të tjera, orët e punës po rriten. Orari tradicional i punës në Britani është 37 orë në javë, por 20,1% e popullsisë aktive punon 45 orë ose më shumë në javë.

 

Shkaku – kemi krijuar një kulturë burnout (me mbingarkesë)

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka klasifikuar burnout si një diagnozë të ligjshme mjekësore, si pasojë e “stresit kronik në vendin e punës që nuk është menaxhuar me sukses”. OBSH thotë se tani mjekët mund të diagnostikojnë njerëzit me burnout nëse shfaqin: ndjenja ezaurimi energjish ose rraskapitje, një distancë më të madhe mendore nga puna, ndjenja negative apo cinike që lidhen me punën dhe efikasitet reduktuar profesional.

Nuk është habi që klasifikimi i ri i OBSH saktëson se burnout i “referohet në mënyrë të veçantë fenomeneve në kontekstin e punësimit”.

 

Sa po humb Europa nga stresi?

Sipas Labour Force Survey (LFS), vetëm në Britaninë e Madhe, vitin e kaluar 595.000 punonjës vuajtën nga stresi, depresioni dhe ankthi që lidhen me vendin e punës. Kjo, si pasojë, ka çuar në një total prej 15,4 milionë ditë pune të humbura dhe një kosto që vlerësohet në 13,5 milionë paund. Në nivel europian, kjo shifër arrin miliarda – një nga shifrat më negative të KE ishte në 2002, kur kosto e stresit që lidhej me punën në BE–15 u vlerësua në 20 miliardë euro në vit.

Edhe punonjësit po humbin terren për shkak të paaftësisë për t’i bërë ballë stresit të madh dhe kërkesave në punë. Sipas IFL, stresi për një kohë të gjatë në vendin e punës mund të çojë në probleme të shëndetit mendor dhe në këto kushte, njerëzit mund të “përballen me probleme të rënda në shëndetin fizik, si sëmundje kardiovaskulare apo probleme muskulore”.

Kur flitet për fenomenin e burnout dhe stresit sot nuk ka fitues. Duke pasur parasysh këtë, si mund ta bëjmë ndryshimin?

 

i

Punëdhënësit mund të ndihmojnë të zgjidhim problemin e stresit

Përparësi për punëdhënësit që u japin punë punonjësve është të përshtatin kulturën, leadershipin dhe menaxhimin e kompanisë për të promovuar mirëqenien. Kjo do të thotë që punonjësit duhet të largohen në orar nga puna, të kenë kohë për t’u socializuar dhe krijimin e strukturave për mirëqenien e tyre.

Vendet nordike njihen se janë vazhdimisht në krye të Indeksit të përvitshëm Better Life Index, të OECD – Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik. Danimarka, në veçanti, vlerësohet pasi ka një ekuilibër më të mirë mes jetës profesionale dhe jetës personale krahasuar me çdo vend tjetër në botë. Vendi ka një kulturë me orare pune jo të gjata, gjë që është ilaçi për burnout në vendin e punës.

Ndërkohë që shumë rregulla të punës në Danimarkë mbështeten nga legjislacioni, kompanitë janë të gatshme të marrin në duar çështjet e mirëqenies. Sipas Financial Times, kompanitë në Danimarkë, “Novozymes” dhe “Statoil” përdorin forcën e tyre të punës për të nxitur shëndetin në vendin e punës. Drejtuesit u besojnë të zgjedhurve në botën e punës për t’i informuar rregullisht mbi nevojat e punonjësve, nga ushqimi te ushtrimet fizike, te ekuilibri mes jetës profesionale dhe asaj personale.

Përtej Skandinavisë, qeveria franceze u ka dhënë punonjësve të drejtën për t’u shkëputur në 2017, duke u kërkuar kompanive me më shumë se 50 punonjës të bllokojnë në periudha të caktuara të ditës dërgimin e email-eve të punës. Kjo u zbatua një vit më vonë, kur “Rentokil Initial” shkeli ligjin dhe u detyrua t’i paguajë një punonjësi 60 mijë euro.

Ne duhet të marrim në konsideratë masat e përmendura më sipër në Francë e në vendet nordike si shembujt më të mirë për t’u ndjekur dhe për të zbatuar në kompanitë tona.

 

*Gemma Leigh Roberts, Founder of Career Compass Club
Burimi: Entrepreneur

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of