Supermarketet shqiptare kanë rënë dakord që të krijojnë në pikat e tyre të shitjeve një segment të veçantë ku do të tregtohen produktet vendase…
Ministri i Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të ujërave z. Edmond Panariti priti në një takim përfaqësuesit e supermarketeve kryesore në Shqipëri si: Elkos, Carrefour, Conad, Big Market, Ne per ju, Koral Sole, me të cilët u diskutua lidhur me iniciativën e Ministrit Panariti për të promovuar prodhimet shqiptare.
Ministri Panariti u kërkoi pronarëve dhe menaxherëve të këtyre supermarketeve që të krijojnë një segment të vecantë në gjithë dyqanet e tyre ku të evidentohen dukshëm prodhimet shqiptare. Ministri Panariti tha se Ministria e Bujqësisë nga ana e vet do të ofrojë garanci për këto produkte, duke u bërë garant për sigurinë dhe cilësinë e tyre. Së shpejti do të lancohet vula e cilësisë, për prodhimet shqiptare që plotësojnë gjithë standardet e duhura të sigurisë ushqimore. Gjithashtu Ministria do bëhet garant për shumë produkte të tjera kryesisht fruta e perime përmes kontrolleve dhe analizave që do të ofrojnë sigurinë ushqimore për konsumatorin.
Drejtuesit e supermarketeve jo vetëm e mirëpritën, por e vlerësuan këtë iniciativë duke shtuar se në çdo supermarket të vendeve të tjera të botës, produktet që dominojnë janë ato vendase dhe jo të importit. Gjithsesi konsumatori është i lirë të zgjedhë mes prodhimeve që ai dëshiron vendase apo të huaja.
Detyra e Ministrisë së Bujqësisë është të garantojë prodhime të sigurta e cilësore, ndërsa supermarketet angazhohen t’i promovojnë ato në një vend të dukshëm e të posaçëm. Disa prej produkteve tona, si vera, djathi, qumeshti, mjalti, vaji i ullirit, kane vlera ushqimore me të mira e më bio se ato të importuara. Së shpejti pritet që ky bashkëpunim të bëhet realitet në supermarketet kryesore të vendit, për t’u shtrirë më pas dhe në tregjet e hapura në gjithë vendin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.