Ish deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka reaguar sot ndaj rritjes së tarifave të pastrimit të bizneseve të kryeqytetit, që u argumentua nga Bashkia Tiranë me rritjen e kostos së shërbimit të lidhur edhe me zbatimin e kontratës koncesionare të inceneratorit.
Tabaku tha se kryeministri Rama i u premton bizneseve të vogla se do t’u ulë taksat por ndërkohë i detyron të paguajnë taksa e tarifa ekstra vetëm për PPP. Kjo është ironia e qeverisë Rama, heq taksat për buxhetin dhe rrit taksat që i shkojnë oligarkëve dhe u bëjnë dëm bizneseve dhe qytetarëve.
Tarifa e inceneratorëve që paguan çdo qytetar dhe çdo sipërmarrës është prova e radhës. Prova se si një aferë korruptive ka zhvatur buxhetin e shtetit dhe po zhvat xhepat e shqiptarëve.
“Për biznesin e madh tarifa është rritur mesatarisht me 15%, po aq është rritur dhe për biznesin e vogël nga 2-8 mln lekë nderkohë që për mikrobizneset (0-2 mln lekë) kjo tarifë është rritur me 64%.
Shembujt e sjellë në foton më poshtë marrin tre biznese të ndryshme. I pari paguan në 2020 10% më shumë taksa se në 2019, I dyti (një biznes I vogël) paguan një taksë 24% më të shtrenjtë (thuajse 4 mijë lekë më shumë) se sa vitin e shkuar ndërkohë që biznesi i tretë paguan një tarifë pastrimit 13% më të lartë se sa vjet.
Qytetarët nga taksat e tarifat paguajnë 51 mijë euro në ditë pronarëve të inceneratorit”, tha Tabaku.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.