Raporti mujor i BQE-së për zhvillimet monetar në zonën e euros ofronte një farë lehtësimi, pasi të dy agregatët monetarë M1 dhe M3 u zgjeruan më shpejt nga sa pritej, duke rritur shpresat se injektimet në likuiditetin e bankës nga fundi i vitit, më në fund po marrin fuqi.
Por analistët thanë se të dhënat nga vendet e eurozonës kanë vijuar të sinjalizojnë probleme serioze në ofertën dhe kërkesën e kredisë, duke penguar perspektivën e rritjes dhe duke shtuar presionet për stimuj të mëtejshëm nga banka qendrore.
Të dhënat mbështesin rezultatet e sondazhit tremujor të BQE-së mbi huadhënien, publikuar ditën e mërkurë, i cili tregonte rritje të kufizimeve për bankat për shkak të krizës së borxheve dhe rënie të kërkesës për kredi për biznese dhe shtëpi.
Vëllimi i përgjithshëm i huadhënies për bizneset ra me 2.8mld € (3.4mld $), ndërsa ai i kredisë për shtëpi pati një rritje modeste me 5mld €. Në terma vjetorë, huadhënia për sektorin privat ra me 0.2%, krahasuar me një rënie 0.1% në maj.
“Në total, shifrat e sotme për treguesin M3 sugjerojnë se—pavarësisht rritjes së shifrave kryesore—aktiviteti huadhënës mbetet i ulët, duke pasqyruar dobësinë e kërkesës së brendshme,” shkruante ekonomistja e Neeedge Strategy, Annalisa Piazza në një raport për klientët.
Ajo vëren se të dhënat për fluksin e kredive dhe depozitave në nivel shtetesh për bankat e Europës jugore, vijuan të tregojnë ” dobësi ekstreme” në rajon, edhe pse për momentin kjo maskohet nga të dhënat agregate.
Kredia e kombinuar për shtëpitë dhe bizneset ra në Greqi, Portugali dhe në mënyrë shqetësuese edhe në Itali, ekonomia e tretë më e madhe e eurozonës. Në Spanjë, po ashtu, kredia për korporatat u tkurr për të nëntin muaj rresht, edhe pse kredia me pakicë çuditërisht pati një vazhdimësi gjashtë mujore rëniesh.
Përveç kërkesës së dobët për kredi, bankat në pjesët e eurozonës që po kalojnë stres financiar, po përpiqen gjithnjë e më shumë për të ruajtur fondet dhe depozituesit. Depozitat e sektorit privat në bankat greke ranë 4.1% gjatë muajit, në nivelin më të ulët të shtatë viteve, ndërsa ato të bankave spanjolle ranë në 0.5% në nivelin më të ulët 4-vjeçar. Qipro, e cila ashtu si Spanja kishte kërkuar ndihmë nga euro zona për të rikapitalizuar bankat e saj, pa një rënie të depozitave 1.1%.