Intervistë me Dritan Mustafa, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Tirana Bank
Tirana Bank, në vitin 2024, do të synojë zhvillimin strategjik, për të forcuar praninë në treg, duke u mbështetur veçanërisht në zhvillimet teknologjike për të përmbushur nevojat e klientëve.
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, Dritan Mustafa, thotë për “Monitor” se Tirana Bank, për këtë vit do të ketë në fokus shërbimin cilësor ndaj klientit dhe zgjerimin e vazhdueshëm të aktivitetit në tregun lokal dhe në rajon.
Z. Mustafa shprehet se siguria kibernetike përbën sfidë për sistemin bankar. Sipas tij, bankat duhet të vijojnë të investojnë në infrastrukturën teknologjike dhe kapacitetet njerëzore, për të rritur aftësitë mbrojtëse ndaj sulmeve kibernetike.
Si do ta vlerësonit ecurinë e Tirana Bank vitin e kaluar? Cilat ishin zhvillimet më të rëndësishme në bankën tuaj dhe më gjerë në aktivitetin e sistemit bankar shqiptar?
Viti 2023 ishte një tjetër vit i jashtëzakonshëm për institucionin tonë. Tirana Bank realizoi një performancë të shëndetshme në drejtim të rritjes organike të aktivitetit, duke konfirmuar praninë aktive në tregun lokal.
Edhe këtë vit, norma e rritjes në indikatorët kryesorë komercialë ishte më e lartë se mesatarja e sektorit bankar.
Pavarësisht mjedisit sfidues ekonomik, Tirana Bank shënoi rezultate rekord në vitin 2023, duke arritur një rritje të fitimit neto me 144%, në vlerën 21 milionë euro (neto nga efekti i rivlerësimit të kapitalit).
Kthimi mbi kapitalin (ROE) arriti mbi 20%. Këto rezultate janë tregues i forcës dhe qëndrueshmërisë së modelit tonë të biznesit, si dhe i angazhimit dhe ekspertizës së ekipit tonë të përkushtuar.
Totali i aseteve shënoi rritje prej 27% (rreth 275 milionë euro) krahasuar me vitin 2022, duke tejkaluar çdo rezultat të mëparshëm në historinë e Bankës sonë dhe duke arritur një total prej përafërsisht 1.3 miliardë euro, tregues i zgjerimit të vazhdueshëm të aktivitetit në vitet e fundit.
Rritja e jashtëzakonshme është dëshmi e besimit të qëndrueshëm të klientëve të Bankës sonë.
Strategjia e zhvillimit ka vijuar të realizohet me sukses, ndaj portofoli i kredisë u rrit me 18% krahasuar me një vit më parë (afërsisht 90 milionë euro), duke treguar aftësinë tonë për të kapitalizuar mundësitë e tregut dhe në të njëjtën kohë, duke ruajtur një marzh interesi të shëndetshëm.
Ndër sektorët kryesorë të financuar gjatë vitit mund të përmendim tregtinë, shërbimet, infrastrukturën, turizmin dhe energjinë.
Banka jonë ka mbajtur vazhdimisht një portofol aktivesh me cilësi të lartë. Si rezultat i praktikave rigoroze të menaxhimit të riskut, kemi bërë të mundur një ulje të mëtejshme të kredive me probleme.
Gjatë vitit 2023, realizuam një rritje të ndjeshme të depozitave, që konfirmuan besimin e klientëve të Tirana Bank. Baza jonë e depozitave u rrit me 20% nga viti i mëparshëm, duke arritur një total prej përafërsisht 1 miliard euro.
Ky sukses mund t’i atribuohet gamës sonë gjithëpërfshirëse të produkteve të depozitave, normave konkurruese të interesit, mbështetur gjithashtu në një shërbim të personalizuar ndaj klientit, ofruar me shumë profesionalizëm nga stafi ynë.
Si rezultat i përmirësimit të proceseve dhe përfshirjes së teknologjisë në shërbimin e klientëve, kemi rritur ndjeshëm aftësitë tona dixhitale.
Referuar strategjisë së konsoliduar për zhvillimin e aktivitetit, mbetem besimplotë se Tirana Bank do të vazhdojë të jetë një nga institucionet më të rëndësishme dhe dinamike në sistemin tonë bankar.
Pas pandemisë, po vërehet një rritje e ndjeshme e rolit të turizmit dhe sektorit të pasurive të paluajtshme në ekonomi. Si po ndikojnë këto zhvillime në sektorin bankar?
Rritja e shpejtë e turizmit dhe sektorit të pasurive të paluajtshme është padyshim një nga faktorët kryesorë të rritjes së ekonomisë shqiptare dhe sigurisht që kanë ndikimin e tyre pozitiv në sektorin bankar.
Zgjerimi i industrisë së turizmit dhe sektorit të ndërtimit shpeshherë kërkon kapital të konsiderueshëm për investime.
Ndërsa infrastruktura e turizmit, hoteleve, resorteve dhe objekte të tjera që janë duke u zhvilluar, çojnë në rritjen e kërkesës për financime nga bankat për të mbështetur këto projekte, në të njëjtën mënyrë edhe zhvillimi i sektorit të ndërtimit, rrit kërkesën për kredi hipotekore nga individët dhe bizneset e përfshira në këtë fushë.
Edhe pse këta sektorë ofrojnë mundësi për kredidhënie, ata njëkohësisht kanë edhe risk për bankat. Industria e turizmit është e varur nga luhatjet sezonale, tensionet gjeopolitike dhe ndryshimet në preferencat e konsumatorëve, ndërsa sektori i pasurive të paluajtshme mund të përjetojë paqëndrueshmëri si pasojë e ofertës së tepërt, ndryshimit të çmimeve të pronave apo ndryshimeve rregullatore që prekin ndërtimin dhe zhvillimin e këtyre projekteve.
Bankat duhet t’i vlerësojnë dhe menaxhojnë me kujdes këto rreziqe, për të siguruar vijueshmërinë e aktiviteteve të tyre kredituese.
Pavarësisht sfidave makroekonomike, sistemi bankar mbetet i qëndrueshëm, duke forcuar pozitat e likuiditetit dhe nivelit të kapitalizimit.
Cilat mendoni se do të jenë sfidat kryesore për sektorin bankar në vitin 2024?
Mbetemi të vendosur në zhvillimin strategjik të Bankës, duke forcuar praninë tonë në treg, me zhvillimet teknologjike që kemi ndërmarrë hap pas hapi, për të përmbushur të gjitha nevojat e klientëve.
Jemi angazhuar dhe synojmë që edhe në vitin 2024 të kemi në fokus shërbimin cilësor ndaj klientit dhe zgjerimin e vazhdueshëm të aktivitetit në tregun lokal dhe në rajon.
Me rritjen e pranisë sonë në shërbimet online, synojmë të rrisim kënaqësinë e përdoruesve, duke mundësuar një shërbim të shpejtë dhe cilësor.
Siguria kibernetike përbën një sfidë për sistemin bankar. Bankat duhet të vijojnë të investojnë në infrastrukturën teknologjike dhe kapacitetet njerëzore, për të rritur aftësitë mbrojtëse ndaj sulmeve kibernetike.
LEXONI EDHE:
Viti 2023, sektori bankar më i fortë, më i dixhitalizuar dhe me më shumë fitime
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
I admire the dedication and passion you bring to each post you publish.