2013-a shënoi vitin e katërt të dobësimit të marrëdhënieve ekonomike Shqipëri-Greqi. Sipërmarrësit e “dorëzuar” shqiptarë po kërkojnë shtigje të reja e pse jo edhe tregun e brendshëm të pavlerësuar deri më tani
Prej katër vitesh, marrëdhëniet tona ekonomike me Greqinë sa vijnë e zbehen. Nuk kanë mjaftuar konferencat ndërkombëtare të zhvilluara në Tiranë, për të forcuar entuziazmin e sipërmarrjeve të dy vendeve. Tkurrja e aktivitetit të kompanive greke prodhuese në Shqipëri, më pak fuqi blerëse në tregjet ku arrinin të “zbarkonin” kompanitë shqiptare, ka reduktuar tregtinë mes dy vendeve, ndërsa nuk flitet për biznese të reja që hapen në Shqipëri me kapital grek, apo anasjelltas.
Qytetet jugore, të cilat kishin krijuar një marrëdhënie të fortë ekonomike me Veriun e Greqisë (edhe për shkak të nivelit të lartë të emigracionit) janë lodhur nga pritja e rimëkëmbjes së Greqisë. Sipërmarrësit e fabrikave të veshjeve në Korçë e Gjirokastër thonë se kanë filluar të punojnë (ndonëse në sasi më të vogla) për llogari të klientëve italianë. “Volumi i punës është disa herë më i vogël, krahasuar me Greqinë, por të paktën nuk i kemi fikur plotësisht makineritë”, thotë sipërmarrësi i një prej fabrikave që i mbijetoi krizës në Korçë.
Të njëjtën rrugë kanë zgjedhur edhe punuesit e gurit. Me një treg të sigurt në Greqi deri pak vite më parë, ata kanë gjetur klientët e parë në tregun italian. Sipërmarrësit nga Përmeti, tregojnë se vëllimi i shitjeve është sa 30% e shitjeve të gurit në Greqi gjatë vitit 2008, e në këto kushte mbijetesa e aktivitetit është në limitet e tij.
Të gjitha këto zhvillime përkthehen në shifra të përkeqësuara që prezanton Instituti i Statistikave. Sipas INSTAT, prej katër vitesh, vëllimi i tregtisë me Greqinë është në rënie. Në këtë periudhë importet shënuan rënie të vazhdueshme, ndërsa për eksportet rënia filloi dy vite më parë. Sipas Institutit të Statistikave, importi gjatë vitit të kaluar ishte 45.6 miliardë lekë, ose 10% më pak se një vit më parë e 38% më pak se katër vite më parë.
Viti i kaluar ishte ndër më të dobëtit për eksportet tona drejt këtij tregu, pas atij të shënuar në 2009-n, kur “importuam” efektin e krizës greke. Vitin e kaluar eksportet tona ishin 7.78 miliardë lekë, ose 18% më pak se një vit më parë.
Ndonëse nuk ka pasur ndonjë zhvillim të theksuar të tregtisë në tërësi, pasi vëllimi i tregtisë me jashtë u rrit vetëm 2.3% vitin e kaluar, pesha e tregtisë me Greqinë vazhdoi të bjerë, si pasojë e tkurrjes së marrëdhënieve tregtare me këtë vend. Rënia ishte një pikë përqindje, duke zënë vetëm 7% të totalit të tregtisë.
Ushqimet i mbijetojnë krizës
Krahas vlerës dhe sasisë, eksportet tona në Greqi janë tkurrur edhe në gamën e prodhimeve. 70% e eksporteve përbëhet nga vetëm tre grupe mallrash, ku vazhdon të mbizotërojë rieksporti i veshje-këpucëve, fason. Vlera e eksportit të tyre në vitin 2013 ishte 1.5 miliardë lekë, ose 34% e eksporteve drejt Greqisë.
Në importe, shporta e prodhimeve që vijnë nga Greqia, është më e larmishme. E pavarësisht dobësimit të aftësisë konkurruese, vazhdojnë të ruajnë peshë prodhimet ushqimore. Me një vlerë importi prej 10.85 miliardë lekësh, ushqimet e pijet zënë gati 30% të totalit të vlerës së importuar nga Greqia.
Mjaft me sytë nga jashtë
Ajo çfarë ndodhi me ekonominë greke i bëri sipërmarrësit e Jugut dhe Juglindjes së vendit të reflektojnë mbi atë çfarë kishin investuar deri më tani. “Të tradhtuar” nga tregu grek u nevojiten rrugëzgjidhje, por të hedhin sytë nga tregje të panjohura për ta deri më tani, është një tjetër sfidë që shoqërohet me shumë pikëpyetje për mbarëvajtjen.
Ndaj rruga më e thjeshtë e me më pak risk është ajo e vlerësimit të tregut të brendshëm, tregut të afërt e pa kosto transporti, apo klientë që flasin gjuhë të huaj.
Mustafa Devolli, kryetar i Dhomës së Tregtisë së Gjirokastrës, e ka dhënë këshillën e tij për sipërmarrësit. Të orientohen në ato produkte dhe shërbime për të cilat e ardhmja është premtuese dhe ku përvoja nuk mungon. Përpunimi i lëkurës, duhanit e prodhimi i cigareve, prodhimi i reçeleve, kompostove, salcës, apo edhe përpunimi i qumështit janë disa aktivitete me të ardhme falë përvojës së zonës. Por, sipërmarrësit po shohin mundësinë edhe si të vënë në punë lëndët e para të prodhuara. “Prodhimet e drurit, apo të gurit, mund të shfrytëzohen nëse i jepet përparësi turizmit. Ndërtimi i shtëpive turistike, apo komplekseve hoteliere do t’i jepte frymëmarrje ekonomisë e do të krijonte një bazë për zhvillim të mëtejshëm”, sipas Devollit.
Por, për këtë kërkohet mbështetje financiare sipas kreut të Dhomës së Tregtisë. Ekspertë të ekonomisë vlerësojnë se mbështetja është e nevojshëm edhe për të bërë më të dukshëm efektin e investimit të kursimeve në turizëm e bujqësi nga emigrantët që po kthehen.
Investimet në rënie
Të kërkosh një investim të ri grek është e vështirë, ndonëse helenët e kanë rritur interesin për Ballkanin gjatë krizës së tyre financiare, pasi e vlerësonin si një terren më fitimprurës e mbi të gjitha me më pak taksa.
Kjo vlen më tepër për grupet e mëdha të investimeve e të projektimit, të cilat interesohen të shfrytëzojnë fonde europiane zhvillimi. I tillë ishte interesi i grekëve në konferencën e zhvilluar disa muaj më parë në Tiranë. Ndërtim i infrastrukturës rrugore, apo më tepër projekte energjie. E në këtë rast, nuk flasim për investime të mirëfillta greke, të cilat duket se janë ndalur vite më parë. Prania greke është në shëndetësinë private, në telekomunikacion, sistemin bankar, por nëse duhet të shohim në të ardhmen, fushat duhet të jenë të tjera.
BE pret rimëkëmbje të lehtë për ekonominë greke
Recesioni financiar do të zbresë gjatë vitit 2014 në 4% nga 6.4%, sipas parashikimeve financiare të Komisionit Europian. Greqia vazhdon të shihet si një gur i rëndë për ekonominë europiane. Komisioneri europian për Ekonominë dhe Çështjet Financiare, Olli Rehn, është shprehur se “ka shenja në rritje që ekonomia europiane ka arritur në një pikë kthese, por është shumë herët për të deklaruar fitore”. Sipas tij, një çështje kyçe është fakti se “papunësia ka mbetur në nivele të larta të papranueshme”. Sipas vlerësimeve paraprake, papunësia në Greqi është fiksuar në nivelin 27% gjatë 2013-s dhe pritet të zbresë në 24% në 2015-n. Ndërsa në Bashkimin Europian papunësia pritet që të zbresë këtë vit në 11%. Për tregun helen, zhvillimet në eksport dhe rritja e të ardhurave nga turizmi pritet të kontribuojë gradualisht në rimëkëmbjen e Eurozonës.
Ministrja greke e Turizmit, Olga Kefalogianni, është shprehur për mediat ndërkombëtare se sektori i turizmit në Greqi pritet të rritet me 10% këtë vit dhe do të ndihmojë në rimëkëmbjen e ekonomisë greke. Për këtë, sipas saj, do të ndihmojë edhe ulja e TVSH-së për pije e produkte ushqimore.
Të besh biznes në Greqi në 2014
Raporti i Bankës Botërore “Të bësh biznes 2014”, e rendit Greqinë në vendin e 72-të mes 189 vendeve të vrojtuara. Krahasuar me një vit më parë, ajo ka zbritur në renditje me 6 vende.
Nga dhjetë parametrat ekonomikë që mat ky raport, në katër prej tyre është përkeqësuar, e po në kaq tregues ka shënuar përmirësim. Hapat më të rëndësishëm janë bërë në fillimin e biznesit, pasi Greqia renditet në vendin e 30. Një vit më parë ishte e 147-a. Edhe për mbrojtjen e investitorëve, Greqia ka bërë reforma vitin e fundit. Por në të njëjtën kohë, janë bërë hapa mbrapa në respektimin e kontratave dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.