Në vitin 2020, tregu i auditimit qarkulloi rreth 8.6 milionë euro, me një rritje prej 33% me bazë vjetore. Publikohet për të dytin vit radhazi renditja e shoqërive të auditimit dhe audituesve ligjorë, sipas volumit të të ardhurave dhe numrit të klientëve
Tregu i auditimit në vitin 2020 arriti në rreth 1.1 miliardë lekë, ose rreth 8.6 milion Euro, sipas të dhënave zyrtare nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike (BMP), një ent rregullator i pavarur i cili kontrollon zbatimin e kritereve ligjore tek audituesit ligjorë dhe kontablët e miratuar.
Në krahasim me vitin e mëparshëm është shënuar një rritje prej 33% e volumit të të ardhurave të realizuara nga honorarët e shërbimeve të auditimit ligjor.
Tregu i auditimit në fund të vitit 2020 ka pasur 231 auditues ligjorë të regjistruar nga të cilët 148 auditues ligjorë që e ushtrojnë aktivitetin si person fizik, 58 shoqëri auditimi dhe 25 auditues ligjorë të punësuar pranë shoqërive të auditimit, me një total prej 231 auditues ligjorë të regjistruar në fund të vitit 2020.
Audituesit ligjorë dhe shoqëritë e auditimit kanë ndërmarrë 3288 auditime ligjore në vit referuar të dhënave për angazhimet e auditimit të realizuara në vitin 2020, sipas BMP.
Bordi i Mbikëqyrjes Publike (BMP) ka publikuar për të dytin vit radhazi renditjen në tregun e Auditimit për personat fizikë dhe personat juridikë sipas volumit të të ardhurave nga shërbimet e Auditimit dhe numrit të njësive ekonomike të audituara në bazë të të dhënave të mbledhura dhe të analizuara nga BMP për vitin 2020.
Publikimi i konsoliduar i renditjes, sipas këtyre dy kritereve, është bërë pavarësisht formës juridike të organizimit.
Më të mëdhenjtë sipas të ardhurave, e para kalon “Grant Thornton Shpk”
Ndonëse tregu në vlerë është rritur, viti 2020 ka sjellë një ulje të lehtë të dominancës së më të mëdhenjve, sipas të ardhurave. Shoqëria më e madhe audituese kishte 7.35% të tregut të auditimit sipas honorarëve të faturuara për shërbime auditimi, nga 8.35% në 2019-n, duke treguar për një shtim të konkurrencës mes shoqërive të auditimit dhe audituesve ligjorë.
Sipas honorarëve të faturuara për shërbime auditimi, shoqëria më e madhe audituese në vend është “Grant Thornton Shpk” me 7.53% të tregut të auditimit për 2020-n. Në renditjen e vitit të mëparshëm, “Grant Thornton Shpk” ishte në vend të katërt me 5.73%.
“Mazars”, që në 2019-n kryesoi tregun e auditimit sipas të ardhurave, ka zbritur në vend të katërt, me 5.9% të tregut në 2020-n, nga 8.35% vitin e mëparshëm.
Në vend të dytë është shoqëria “Ernst & Young Eksperte Kontabel te Autorizuar”, me 6.36% të të ardhurave, duke u ngjitur nga pozicioni i tretë ku ishte një vit më parë, ndonëse pesha e tregut një vit më parë ishte më e lartë, në 7.25%.
E treta në renditje është “Deloitte Audit Albania Shpk”, me 5.9%, duke zbritur nga pozicioni i dytë i një viti më parë, kur kishte 8.1% të tregut.
Për renditjen e plotë dhe peshën përkatëse shiko grafikun: Renditja sipas honorarëve të faturuara për shërbime auditimi për Shoqëritë e Auditimit / Auditues Ligjor, 2020.
Në vitin 2020, shoqëritë e auditimit shënuan 63.2% të të ardhurave nga shërbimet e auditimit, përkundrejt 35.8 të realizuara nga audituesit ligjorë. Pesha e shoqërive të auditimit është rritur lehtë me rreth 1 pikë përqindje në krahasim me vitin e mëparshëm.
Për renditjen e plotë shiko grafikun në fund: Të ardhurat nga shërbimet e auditimit të realizuara nga shoqëritë e auditimit/audituesit ligjorë (mln lek).
Renditja sipas numrit të njësive ekonomike të audituara, kryeson “Mazars”
Sipas njësive ekonomike të audituara në vend të parë është sërish “Mazars”, me 2.95% (nga 5.16% vitin e kaluar). Më pas renditja është tërësisht e ndryshme, teksa të mëdhenjtë e tjerë kanë më pak subjekte në numër, por rezultojnë që i faturojnë më shumë (P.sh. “Deloitte”, që është e treta për faturimet, renditet në vendin e 31 për numrin e klientëve, ose PriceWaterhouse&Coopers, e pesta për honorarët është e 29-a për numrin e njësive ekonomike të audituara).
Pas “Mazars”, kompania e dytë më e madhe audituese në vend, sipas numrit të njësive ekonomike të audituara ka vijuar të jetë “ALB BB Auditing Shpk”, me 2.65% (nga 4.9% vitin e kaluar). Ndonëse është e dyta për numrin e njësive të audituara, “ALB BB Auditing Shpk” kishte 1.35% të tregut sipas të ardhurave, duke u renditur në vendin e 15.
I treti ka vijuar të jetë, “Albanian Audit Partners Shpk”, me 2.1% (nga 3.48% vitin e mëparshëm). Më pas në renditje vijojnë “Grant Thornton Shpk” (2.04%) dhe “Kreston Albania Shpk” (1.92%). Për renditjen e plotë shiko grafikun në fund: “Renditja e Shoqërive të Auditimi/Audituesit ligjor sipas njësive ekonomike të audituara”.
Shërbimet e tjera
Shërbimet e tjera të realizuara nga audituesit ligjorë / shoqëritë e auditimit zënë një peshë të konsiderueshme në të ardhurat e tyre. Kështu, nga të dhënat e disponueshme për vitin 2020, rezulton që audituesit ligjorë / shoqëritë e auditimit kanë realizuar të ardhura nga shërbime të tjera në një vlerë prej rreth 831 milion Lekë ose rreth 6.7 milion EURO.
Ashtu si në angazhimet e auditimit, shoqëritë audituese zënë peshën më të konsiderueshme me rreth 52% e të ardhurave në dhënien e shërbimeve të tjera.
Shërbimet e tjera përfshijnë: angazhime të dhënies së sigurisë si rritje kapitali, transformim, bashkim, ndarje, vlerësim aktivesh, ekspertiza gjykate dhe të ngjashme; angazhime të rishikimit të informacioneve financiare historike, mbajtje kontabiliteti, përgatitje e pasqyrave financiare, konsulencë dhe të tjera të ngjashme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.