Volumi i tregut sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë gjatë periudhës janar-qershor 2017 u dominua në masën 67.88% nga transaksionet në instrumente afatshkurtër (bono thesari) dhe pjesa tjetër prej 32.12% ishin instrumente afatgjatë (obligacione). Përsa i përket numrit të transaksioneve, 93.68% e të gjitha transaksioneve të tregut sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë, i takojnë transaksioneve të kryera me bono thesari. Të dhënat janë bërë të ditura nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Të dhënat statistikore të tregut me pakicë të letrave me vlerë të Qeverisë gjatë periudhës janar-qershor 2017 flasin për një dominim të transaksioneve “Blerje në tregun primar” dhe “Shlyerje e vlerës nominale në maturim” përkatësisht me 59.86% dhe 30.20% kundrejt volumit të përgjithshëm.Pjesëmarrja në tregun sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë, për këtë periudhë dominohet nga investitorët individualë, të cilët kryejnë 99.62% të të gjitha transaksioneve në këtë treg. Dy grupet e transaksioneve B dhe C Transaksioni i llojit B “Shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar” gjatë periudhës janar-qershor 2017, ka pasur një ulje prej 1,224 milionë lekë ose 33.36% krahasuar me periudhën janar-qershor 2016. Gjithashtu dhe numri i transaksioneve është ulur në masën 47.66%. Transaksioni i llojit C “Blerje para afatit të maturimit” gjatë periudhës janar-qershor 2017 ka pasur ulje prej 779 milionë lekë ose 38.61% dhe gjithashtu, një ulje në numrin e transaksioneve në masën 20.46%, krahasuar me periudhën janar-qershor 2016 Vihet re një ulje në vlerë absolute e totalit të transaksioneve të llojit B dhe C të marra së bashku me rreth 2,003 milionë lekë, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë. |
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.