Trafiku i internetit nga rrjetet celulare pothuajse është dyfishuar në tremujorin e dytë të këtij viti.
Të dhënat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se trafiku total i të dhënave arriti në 36.7 milionë GB (Gigabyte), në rritje me 95.3% krahasuar me tremujorin e dytë të një viti më parë. Rritja ka përmasa të mëdha edhe e matur si trafik mesatar për përdorues.
Gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, çdo përdorues shpenzoi 5.94 Gb internet në muaj, me një rritje prej 48.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas AKEP, për tremujorin e dytë numëroheshin 2.06 milionë përdorues të internetit me brez të gjerë nga rrjetet celulare, 31.7% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Përveçse me rritjen e vazhdueshme organike të përdorimit të internetit, kjo diferencë mund të shpjegohet shumë edhe me mbylljen e ekonomisë gjatë pjesës më të madhe të tremujorit të dytë të vitit të kaluar. Kjo solli më pak lëvizje të përdoruesve, që duke qenë kryesisht nëpër banesa shfrytëzuan lidhjen e internetit fiks për nevojat e lidhjes.
Diferencat me periudhën e lock down duken edhe në tregues të tjerë statistikorë të tregut të komunikimeve celulare, duke filluar nga numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare. Për tremujorin e dytë, përdoruesit aktivë u rritën në 2.46 milionë, në rritje me 8.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky ndryshim mund të lidhet shumë me përdoruesit e përkohshëm të telefonisë celulare, kryesisht turistë apo emigrantë. Vitin e kaluar kjo kategori përdoruesish ra në minimum, për shkak të paralizimit të udhëtimeve. Këtë vit riaktivizimi i lëvizjes duket se ka ndikuar edhe në shtimin e numrit të përdoruesve.
Operatori që raporton rritjen më të lartë në numrin e përdoruesve aktivë është One Telecommunications, me 20.3%, i ndjekur nga Albtelecom me 6.3% dhe Vodafone Albania me 1.5%. Zgjerimi i bazës së përdoruesve ka sjellë edhe një rritje të ndjeshme të trafikut të thirrjeve nga rrjetet celulare. Krahasuar me një vit më parë, ky trafik është rritur me 12.1%. Për tremujorin e dytë çdo përdorues ka kryer mesatarisht 193 minuta thirrje në muaj nga telefoni i tij celular, shtatë minuta më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Madje, si rrallëherë në vitet e fundit, edhe numri i mesazheve të shkurtra (SMS), (që gjithnjë e më shumë po zëvendësohet nga aplikacionet e komunikimit nga interneti), këtë tremujor ka shënuar një rritje të lehtë vjetore, me 0.2%.
Vitin e kaluar, perceptimi ishte se tregu i komunikimeve celulare ishte ndër më pak të prekurit nga pandemia. Megjithatë, rezultatet e vitit 2020 treguan se të ardhurat e tregut pësuan një rënie me 9% krahasuar me një vit më parë./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.