Turizmi mjekësor i Europës po zhvendoset drejt Turqisë, sipas menaxherit të përgjithshëm të një organizate shëndetësore me qendër në Ankara.
Shumë qytete në Turqi ofrojnë shërbime të turizmit mjekësor për të huajt, ku dallojnë qendrat turistike si Stambolli, Antalia dhe Ankaraja, tha Ali Yakut, menaxher i përgjithshëm i healthineverywhere.com, sipas një njoftimi për shtyp.
Konsumatorët mund të zgjedhin shërbimet e duhura shëndetësore nga kjo faqe interneti, e cila përmban informacione rreth shërbimeve të ndryshme që ofrohen nga institucionet kryesore shëndetësore në Turqi, shtoi ai.
Përveç kësaj, organizata ofron mbështetje për ata që kanë nevojë për akomodim, transferim dhe përkthim.
Tregu global për turizmin mjekësor kohët e fundit ka arritur në 100 miliardë dollarë (1.36 trilion TL) në vit, me konsumatorët që shpenzojnë mesatarisht rreth 10,000 dollarë për person. Shërbimet variojnë nga ato dentare dhe mbjellja e flokëve, deri te llixhat termale dhe kirurgjia estetike.
Turqia ka arritur të jetë në krye të turizmit mjekësor me anë të çmimeve konkurruese dhe shifrave të larta të operacioneve të suksesshme, përveҫ trashëgimisë së saj të pasur si një destinacion kulturor për turistët. Ajo ofron shërbime mjekësore për rreth 1.2 milionë turistë që vijnë nga Europa.
Turistët e huaj që vijnë në Turqi zgjedhin më së shumti operacione estetike, mbjelljen e flokëve, kirurgji në zemër, shërbime ortopedike, onkologjike, ato dentare dhe fekondim in vitro.
Yakut tha se numri i vizitorëve britanikë që vijnë në Turqi për turizëm mjekësor po rritet çdo vit, duke shkuar nga disa mijëra në vitin 2010, në dhjetëra mijëra gjatë viteve të fundit.
“Turqia është një nga 10 vendet kryesore ku qytetarët britanikë marrin trajtim mjekësor. Me afrimin e fundit të pandemisë, si dhe me përmirësimin e infrastrukturës mjekësore dhe suksesit të Turqisë në fushën e hotelerisë e të turizmit, renditja e saj do të ndryshojë në një periudhë të shkurtër kohe. Objektivi i Turqisë është që të renditet në pesë vendet e para. Me platformën healthineverywhere.com, ne duam të rrisim potencialin e turizmit mjekësor midis dy vendeve”, tha ai.
Yakut tha se një grup mjekësh nga Britania e Madhe dhe Irlanda do të vinin në Turqi në muajin mars për trajnim./ Daily Sabah