Muzeu i Mozaikëve, Zeugma, në Gaziantep të Turqisë, i cili njihet dhe si ”Muzeu më i madh i Mozaikëve në botë”, pritet që këtë vit të jetë një nga pikat më të vizituara nga turistët vendas dhe të huaj, raporton Anadolu Agency (AA).
Muzeu i Nozaikëve, Zeugma, është hapur 6 vite më parë. Ai shtrihet në një hapësirë prej 30 mijë metrash katrorë dhe është nga vendet më të pëlqyera të turistëve vendas dhe të huaj.
Muzeu ka fituar çmimin e madh të Kulturës dhe Artit, i akorduar nga Presidenca e Turqisë. Ndër të tjera në të ekspozohen mozaikë si Vajza Cigane, Busti i Marsit, çezma nga koha romake dhe mozaikë të marrë nga vila të ndryshme të ndërtuara buzë lumit Eufrat.
”Tani është koha për të vizituar Gaziantep-in”
Kjo është fushata më e re e ndërmarrë nga Bashkia e Gaziantep-it, qytet në kufirin turko-sirian.
Në një deklaratë për AA, Drejtori i Turizmit në këtë rreth, Mehmet Bülent Öztrük, thotë: ”Presim që gjatë kësaj fushate të paktën 1 milion persona të vizitojnë qytetin tonë. Ndërkohë këta turistë do të vizitojnë edhe Muzeun e Mozaikëve, Zeugma. Ne besojmë që Gaziantep-i është një vend që duhet të vizitohet pasi është djepi i një të kaluare mijëravjeçare me histori, kulturë dhe traditë të pasur”.
Betül Kaya, një vizitore e cila vjen nga Hamburgu i Gjermanisë, duke vënë në dukje se i ka pëlqyer shumë Gaizantep-i, në vijim shton: ”Një vend i mrekullueshëm dhe tërheqës. Ajo që më tërhoqi më shumë vëmendjen ishte mozaiku i ‘Vajzës Cigane’. Këtu të gjithë janë mikpritës. Unë mendoj që të gjithë duhet të vijnë të shikojnë këtë vend të mrekullueshëm. Nëse do të kem mundësi do të vij përsëri”.
Një tjetër vizitor në këtë qytet që vjen nga Bursa, Ibrahim Kurt, thotë: ”Mendoj që të gjithë duhet të vijnë dhe të shikojnë nga afër këtë muze. Janë me të vërtet mahnitës. Antep-i është një qytet me qetësi shpirtërore. Këtu nuk ka anarki apo terror. Malli dhe jeta janë të sigurta këtu”.
Ndërsa 7-vjeçarja Ecem Ekici e cila ka ardhur në Gaziantep bashkë me mamanë e saj, thotë se i ka pëlqyer shumë qyteti, por më shumë e ka tërhequr muzeu.
/AA