Industria e turizmit në Turqi, e cila është goditur nga disa faktorë të ndryshëm, kërkon katër vjet që të rigjallërohet, sipas drejtuesve të këtij sektori.
“Gjashtë muajt e ardhshëm do të kenë shumë rëndësi. Do të na duhen të paktën katër vjet që sektori të performojë me ritmet e larta, nëse të gjitha kushtet do të jenë të favorshme”, tha kreu i Shoqatës së Hotelierëve Timur Bayındır.
Gjatë 11 muajve të 2016-ës, numri i turistëve të cilët vizituan Turqinë u llogarit në 24 milionë ose 31% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Për të gjithë vitin parashikohet që rënia të jetë dikur rreth 40%.
Turizmi zë rreth 13% të PBB-së dhe kontribuon me 8.3% në punësimin direkt.
“Kemi parë ditë vërtetë të vështira. Problemet në industrinë e turizmit ndikojnë mbi 54 sektorë të tjerë, Pas një viti të vështirë, ne e nisëm 2017 me kushte të pafavorshme”, tha Bayındır për Hyrriet Daily News.
Sipas tij industria e turizmit nisi të përballet me probleme në vitin 2013, por sulmet fatale të akteve terroriste i përkeqësuan ndjeshëm shifrat në 2016-ën.