Dialog 90 x 70 cm, vaj në kanavacë, 3400 euro
Artan Peqini vjen në harkun kohor të pak më shumë se një viti, në një udhëtim të dytë, i cili është tejet i lidhur organikisht, paçka se rrëfimtaria e tij merr një natyrë paksa më metaforike se në atë që na dha në ekspozitën e parë.
Dhe kjo gjë vjen natyrshëm në kurbën e dialektikës së një artisti, i cili është përherë në kërkim të zbërthimit të pyetjeve që i parashtrohen gjatë udhëtimit artistik.
E quajtur “Përtej kufirit dhe portave”, Artan Peqini arrin përmes vizualitetit t’u përmbahet vargjeve të huazuara të Dylon Brooks-it.
Ai e lë fantazinë të udhëtojë mes dy botëve, dy universeve, si dhe të fokusohet në dualitetin njerëzor, të cilin e transmeton përmes një gjuhe vizuale poetike, që tashmë është kthyer në një mjet, të cilin ai ka rritur ta përvetësojë dhe ta përdorë në avantazhin e tij, me lirshmëri.
Kjo e bën tërësinë e krijimtarisë së Peqinit tejet organike dhe të komunikueshme për shikuesin.

E organizuar në Galerinë Fab, ajo vjen e përpiktë si një vit më parë, ndërkohë që imazhi i ekspozitës së parë është ende i freskët. Ishte imazhi i atij udhëtimi me ngjyrime magjike, shtresëzuar me elegancë si peizazhe harmonike të një almanaku familjar, teksa regjistronte momente, tinguj e aroma të një jete të shkuar.
Elementi kryesor kish qenë kujtesa. Ajo është ndërtuar në dy kohë, nga e tashmja, ku vizitorët urbanë përvidheshin çuditshëm në thellësinë e natyrës dhe e dyta, e shkuara, përkthyer nga optika e Nënës së moshuar.
I gjithë ky udhëtim, në esencë, kishte qenë një zhvendosje e dyfishtë sa në hapësirë, aq dhe në kohë, manipuluar estetikisht me një qëllim: memoria dhe familja janë një dhe e vetmja pasuri.

Në këtë ekspozitë, veprat e Peqinit kanë një freski koloristike, duke eksperimentuar larg efekteve me tension grafik, si për t’i krijuar vetes një sfidë të re ku ai do operojë me një paletë më delikate dhe që rezonon me format kompozicionale në krijimin e një loje koloristiske tejet joshëse për shikuesin.
Qëllimisht ai ka shuar planet, duke luajtur me një sens dydimensionaliteti, si për të bërë aktin e fundit të divorcit nga konvencioni skulpturor dhe duke treguar se është në gjendje të zotërojë mjeshtërinë e trajtimit koloristik të një niveli të lartë sfidues, madje në territore të cilat dhe për piktorët që krijimtarinë e tyre e kanë orientuar drejt ndërtimit të raporteve koloristiske do ishin sfiduese.

Kritiku dhe historiani i artit Ermir Hoxha do ta përcaktonte këtë ekspozitë me parafrazimin se “Pikërisht në këtë mantel, shpërndahen edhe ‘heronjtë’ bashkëkohorë të Peqinit, ku dallohen përsëri po ata personazhe të njohur, të paqtë e emblematikë.
Ata përvidhen aty në gjirin e natyrës, bashkë, si një grup i hedhur në një realitet fantastik, zbuluar papritur në oborrin e pasmë të shtëpisë.
Në harmoni, rreth e përqark, ashtu të projektuar pothuajse gjithnjë në plan të dytë, ata shkrihen në tisin kromatik, ndriçuar fort nga drita e pasdites.
Me çanta turistësh, rroba banje, a mbi motor, ata shpërndahen kudo, mes relikteve, natyrës, apo teksa notojnë elegantë nën sipërfaqen e një lumi të papritur”.

Siç thoshte Prusti, “Udhëtimi i vërtetë nuk konsiston në kërkimin e peizazheve të reja, por në të pasurit e një optike të re”. Ky udhëtim i ri duket se synon pikërisht këtë.
Të pasurit një optikë të re. Bashkë me të kërkohet stimulimi i një kredhjeje në një realitet tjetër, për të stimuluar kështu një dialog të ri, ndryshe, sa me veten aq dhe me natyrën”.
Artan Peqini ka kryer studimet në Akademinë e Arteve.
Në vitet ‘90, ai jetoi në Itali ku ka marrë pjesë në shumë ekspozita, ku ju përkushtua tërësisht artit të qeramikës, e cila e solli më pranë dydimensionalitetit, i cili organikisht i shtroi udhën drejt mediumit të pikturës.

Ai mban postin e Dekanit në Fakultetin e Arteve të Bukura në Universitetin e Arteve. Është fitues i shumë çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Për lexuesit e Revistës Monitor po ofrojmë disa nga veprat e autorit.
Përgatiti: Genci Përmeti
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.