Pas një rënie të vazhdueshme për dy dekada me radhë, vdekshmëria foshnjore ka nisur të rritet në Shqipëri. Rritja e këtij treguesi e vë vendin tonë në një pozicion të keq për zhvillimin e qëndrueshëm, nivelin e varfërisë dhe në përgjithësi, në indeksin e zhvillimit njerëzor.
INSTAT raportoi se vdekshmëria foshnjore ka shënuar rritje të fortë gjatë vitit të kaluar, pasi 8.9 foshnja vdiqën për 1000 lindje të gjalla. Vitin e kaluar, ky raport ishte 8.0 për 1000 lindje.
Gjatë vitit të kaluar kanë lindur gjithsej 28,934 bebe, nga këto kanë humbur jetën 257 foshnja.
Teksa raportoi fenomenin, INSTAT dha edhe arsyet pse po rritet numri i foshnjave që nuk mund të mbahen në jetë: “Rritja e koeficientit të vdekshmërisë foshnjore i dedikohet uljes së numrit të lindjeve në vitin 2018 prej 6,3% krahasuar me vitin 2017”.
Më tej, INSTAT raporton se shkaqet kryesore të vdekshmërisë foshnjore (nën 1 vjeç) janë “sëmundjet që shfaqen në periudhën e rreth lindjes” me 42,0% dhe “ndërlikime në barrë të lindjes dhe të periudhës së paslindjes” me 27,2 % të kësaj grupmoshe gjithsej.
Vdekshmëria foshnjore ka ardhur në ulje sistematike nga viti në vit. Në vitet 1990, ky tregues ishte 30 vdekje për 100 lindje të gjalla, dhe më vonë në vitet 2000 ra me 15 vdekje për 1000 lindje.
Rritja e parë pas shumë kohësh u evidentua në vitin 2016 ku u raportuan 8.7 vdekje për 1000 lindje nga 7.1% në vitin 2015, i cili mban rekordin për numrin e ulët të foshnjave të humbura.
Vitin e kaluar, mediat raportuan se në një nga maternitetet e mëdha në Tiranë nuk ishin në funksion aparatet e oksigjenit. të domosdoshme për mbajtjen në jetë të bebeve që lindin para kohe.
Sipas të dhënave të Bankës Botërore dhe shifrave të vëna në dispozicion, Shqipëria vitin e shkuar e ka pasur vdekshmërinë foshnjore (humbje jete të fëmijëve nën 5 vjeç) në shifrën e 8.8 vdekje për 1 mijë fëmijë. Shifrat sugjerojnë që më problematike në këtë drejtim është Maqedonia me 13.7 vdekje për 1 mijë fëmijë, Serbia dhe Bosnjë – Hercegovina 5.7 vdekje për 1 mijë fëmijë, Mali i Zi ka nivelin më të ulët të vdekshmërisë në rajon, me 3.5 / 1000 fëmijë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.