Ka ndërruar jetë edhe një paciente tjetër e infektuar me Covid-19. E ndjera është një 63 vjeçare nga Rahoveci, dhe ishte duke u trajtuar në Klinikën Infektive. 63 vjeçarja ishte paciente e cila vuante edhe nga dializa. Ky rast çon në 29 numrin e të vdekurve në Kosovë që lidhen me virusin Covid-19.
Pacientja nga Rahoveci, në gjendje të rëndë shkaku i koronavirusit tash e sa kohë, ka vdekur të marten, duke e çuar në 29 numrin e përgjithshëm të të vdekurve në Kosovë.
Viktima, si është bërë e ditur edhe më herët, sipas raporteve të rregullta ditore të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, kishte pasur sëmundje tjera shoqëruese.
Kryetari i Rahovecit Smajl Latifi ka treguar se pacientja që një javë ka qenë e shtrirë në Klinikën Infektive.
“Pacientja në fjalë që një javë ka qenë e shtrirë në Klinikën Infektive. Ka pasur edhe probleme të tjera shëndetësore. Pra ka qenë në dializë. Ka ndërruar jetë sot në Infektivë”, ka thënë Latifi.
Nga 13 marsi, kur janë konfirmuar rastet e para me koronavirus, numri i të infektuarve në Kosovë ka mbërritur në 895. Prej tyre, 657 janë të shëruar, derisa numri i të vdekurve mbërriti në 29.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.