Intervistë me Arben Çipa, administrator i SIPA Tours
Shqipëria po përjeton këtë vit ecurinë më të mirë historike të sektorit të turizmit dhe për Arben Çipën, përfaqësues i Shoqatës së Hotelierëve në Sarandë dhe njëkohësisht operator turistik, ky është një fakt i pakundërshtueshëm.
Ai vlerëson se, me gjithë fluksin e lartë turistik, Shqipëria ia ka dalë të ofrojë shërbim dhe një përvojë të mirë për shumicën e turistëve, por në limitet e saj.
Sipas tij, kjo do të thotë se çdo fluks i shtuar mbi këtë që kishim gjatë verës 2023 mund të kalojë në papërballueshmëri.
Në këto kushte, për të mos u krijuar bumerang në vitet në vijim, ai nënvizon se duhet të rritet vëmendja tek ato që shihen si pika të dobëta të sektorit, duke marrë masat e nevojshme për t’u përmirësuar.
Sezoni turistik veror është mbyllur me shtatorin, por prania e të huajve dhe në tetor është e dukshme, gjë që tregon se për Shqipërinë vijon të ketë interes. Ju si do ta vlerësonit verën 2023 dhe ecurinë e sektorit të turizmit në përgjithësi?
Prania e turistëve këtë tetor ndryshon nga viti i kaluar. Dua të besojmë që kjo prani është edhe konsumatore në njëfarë forme. Moshat që po frekuentojnë Sarandën këtë periudhë tetori janë mosha të mesme dhe të treta, por edhe çifte të reja.
Më shumë dominojnë skandinavët që kanë zgjedhur këtë periudhë për të ardhur dhe në mënyrë individuale. Thënë këtë, nëse i kthehemi një vlerësimi total të sezonit turistik 2023, mendoj se askush nuk do të guxonte të bënte një përshkim tjetër përveç atij që kemi parë dhe që në shifra ka qenë e dukshme.
Krahasuar me vitin e kaluar, nëse flasim si numër turistësh mendoj se në disa rajone ka pasur dyfish më shumë e në të tjera 70-80% më shumë turistë. Por konsumi nuk është rritur me të njëjtin ritëm, por në raport me vitin e kaluar mund të themi se është rritur me 50%. Jo të gjithë moshat e turistëve kanë shpenzuar shumë.
Cilat tregjet ranë më shumë në sy gjatë këtij sezoni në Sarandë dhe Ksamil?
Tregu që ra në sy këtë verë ishte ai spanjoll. U vu re një prani e konsiderueshme e tregut francez që në numër ishte më e madhe sesa vitet e tjera, ndërkohë që tregu që sfidoi gjithë të tjerët ishin italianët.
Gjithsesi italianët kanë një periudhë kohore më të shkurtër të ardhjes në Shqipëri pasi vijnë kryesisht në muajin gusht dhe qëndrojnë më pak ditë, por numri ishte jashtëzakonisht i madh këtë vit.
Në lidhje me turizmin e organizuar, si ka qenë ecuria e tij?
Turistë të organizuar në Sarandë ka pasur vetëm nga Italia. Tregu skandinav ka operuar nga maji deri në fund të shtatorit dhe nuk ka ndonjë rritje të shifrave, siç ka ndodhur me të gjithë tregjet e tjera.
Polakët, nga ana tjetër, kryesojnë, ka një trend në rritje me nivele dukshëm të larta nga viti në vit dhe mbetet më i qëndrueshmi.
E veçanta e tregut polak është që përfshin të gjithë kategoritë apo nivelet ekonomike në prurje. Janë një grup turistësh që shpenzojnë në mënyrë ekonomike madje shumë më shumë se çdo lloj tregu tjetër.
Një sezon me një fluks të lartë turistik siç ishte ky vit sjell edhe vështirësi. Si e kemi përballuar sipas jush?
Do të thosha që deri në këtë nivel sa erdhën, pra shifrat që patëm këtë verë, ne mund t’i përballojmë me kushtet aktuale që kemi. Nëse do të vijnë më tepër mendoj se do të çalojmë. Kaq është maksimumi ynë për t’ju përgjigjur kërkesës.
Kjo ka të bëjë si me shërbimin, edhe me menaxhimin. Disa destinacione që kishin edhe marketim të lartë sigurisht patën një fluks shumë më të madh e për rrjedhojë, kishte probleme me trafikun.
Cilat ishin pikat e forta që sollën këtë efekt gjatë verës që lamë pas?
Në këtë sezon që lamë pas ra në sy ishte rritja e pranisë së tregjeve të reja në vend dhe njëkohësisht rritja e numrit të përgjithshëm të turistëve nga tregjet tona të zakonshme.
Kjo vjen si efekt i politikës kombëtare të turizmit, me një vëmendje të veçantë te reklamimi dhe shfaqja e Shqipërisë, si një destinacion turistik, çka solli efekt të menjëhershëm.
Ne vinim nga një vit i mirë turizmi, siç ishte viti 2022, dhe ecuria pozitive që pati sektori ishte një paralajmërim për atë që do të vinte këtë vit.
Kjo angazhoi fort si strukturat akomoduese edhe qytetarët me apartamente apo shtëpi në dispozicion në Vlorë dhe Sarandë, por sidomos në Sarandë për ndërhyrje, duke i bërë funksionale për turistët në një kohë rekord.
Me këtë lëvizje u bë i mundur ofrimi i të gjitha llojeve të akomodimit për të gjithë turistët sipas mundësisë dhe kërkesës, si për ata që parapëlqejnë hotelet edhe për ata që duan akomodim në apartament dhe me çmime më ekonomike.
Kombinimi i këtyre strukturave dhe klientëve solli si pasojë një nivel të lartë turistësh dhe ta përballonim kërkesën.
Një sezon ka pika të forta dhe të dobëta. Për Sarandën, cilat ishin ato që çaluan apo ndikuan negativisht?
Një nga pengesat që u pa gjatë sezonit është parkimi. Duhet të gjendet një zgjidhje për këtë, pasi subjektet që japin makina me qira janë 15-fishuar dhe kjo ka shtuar problemin në një qytet që edhe përpara këtij bumi turistik ka pasur probleme me trafikun.
Ky fenomen dhe interes për Shqipërinë duhet na bëjë të mendojmë se si të lehtësojmë trafikun. Të gjendet një zgjidhje nëpërmjet menaxhimit të rrugëve dhe përcaktimit të një plani lëvizjeje përpara fillimit të sezonit, sidomos në orare të caktuara të ditës për ta bërë këtë problem sa më të vogël.
Edhe këtë vit, mbarëvajtja e sezonit turistik është ndihmuar nga mbështetja e autoriteteve të qarkullimit por nevoja na bën të kërkojmë alternativa edhe më të mira.
Folëm për hotelet, po për restorantet si ka qenë ecuria e tyre dhe përballimi i fluksit turistik?
Restorantet këtë verë kanë qenë në nivel më të mirë. E kanë trajtuar turistin njëlloj, pra me një menu dhe nuk ka pasur fenomene të abuzimit me çmimin. Pra çmimi i menusë është ai që është faturuar.
Gjithsesi, ka pasur një rritje të përgjithshme të çmimeve, që turisti perëndimor europian e ka parë si normale.
Për standardin e tyre, këto çmime, edhe pse më të larta, mbeten mjaft ekonomike. Por për turistët vendas, kjo nuk ka qenë e mirëpritur. Disa prej zonave kanë qenë të papërballueshme për pushuesin shqiptar.
Rritja ka qenë në kufijtë e 30% për vende specifike, ku shërbimi që duhet të ofrohet është i një niveli të lartë dhe stafi duhet të merret i mirëpaguar dhe trajnuar.
Bëhet fjalë për lokale në vijën e parë të detit. Në vijën e dytë dhe të tretë, për shkak të situatës së zhvlerësimit të Euros, por edhe të rritjes së disa kostove, rritja është bërë, por ka qenë më modeste në kufijtë e 20% apo më poshtë.
Problemi i gjetjes së stafit po shqetëson bizneset në çdo sektor, por sidomos turizmin, i cili është sezonal dhe e ka edhe më të vështirë mbajtjen e qëndrueshmërisë së stafit. Si e shihni këtë problem nëse vitin e ardhshëm do të kemi të njëjtin fluks turistik?
Ky është problemi më i madh që ne shohim të cilin nuk dimë si do ta zgjidhim. Nga viti tjetër shoh të kemi më shumë probleme gjithmonë në lidhje me menaxhimin, transportin dhe akomodimin.
Në këtë moment, Shqipëria është bërë le ta quajmë qendra e botës dhe në këtë drejtim, do shumë maturi dhe kujdes.
Duhet bashkëpunim dhe koordinim i të gjitha palëve, pasi kjo surprizë e bukur që na u paraqit mbart me vete rrezikun e një bumerangu në lidhje me 5-vjeçarin e ardhshëm nëse ne nuk tregojmë se jemi të aftë të ofrojmë menaxhim dhe cilësi në standarde.
Duhet që me urgjencë të nisë puna për rikonceptimin e plazheve, duhet të shihen të gjitha ato problematika që patëm këtë vit që sezoni i ardhshëm të jetë më i mirë. Ama duhet të nisim tani.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.