Muajt e nxehtë të verës kanë rritur me shpejtësi transportin e udhëtarëve në vend. Fakti konfirmohet nga të dhënat e kompanive të këtij sektori, që nga autobusët dhe deri te makinat me qira. Drejtuesit e “Albatrans” janë detyruar që të shtojnë numrin e udhëtimeve për t´iu përgjigjur kërkesave të konsumatorëve.
“Gjatë muajve të verës fluksi është rritur me rreth 40% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nëse më parë, autobusi Tiranë-Athinë udhëtonte tri herë në ditë, sot e kryen pesë herë në ditë”, thonë drejtuesit e “Albatrans”.
Është pikërisht Greqia dhe qytetet e saj, Athinë, Selanik dhe Volos, destinacioni më të shpeshtë që përzgjidhet nga udhëtarët. Sipas përfaqësuesve të sektorit, ndryshe nga pjesa tjetër e Europës, për në Greqi, pjesa më e madhe zgjedh transportin rrugor, për shkak të afërsisë dhe çmimeve të lira.
Biletat e autobusëve drejt Greqisë luhaten nga 28-30 euro, 4-5 herë më lirë se alternativa tjetër, transporti ajror.
Shkaku kryesor që ka rritur flukset e udhëtarëve drejt shtetit fqinj është hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave, çka ka nxitur mjaft individë të vizitojnë të afërmit në këtë shtet. Në Greqi përllogariten të jetojnë 600-700 mijë emigrantë shqiptarë
Kosto
Biletat e autobusëve drejt Greqisë luhaten nga 28-30 euro, 4-5 herë më lirë se transporti ajror
Makinat me qira, shtohen kërkesat
Rritje të fluksit të kërkesave dhe të pasagjerëve duket se nuk kanë pasur vetëm linjat e autobusëve që udhëtojnë drejt Greqisë. Gjithnjë e më shumë konsumatorë po zgjedhin të bëjnë pushimet e tyre brenda vendit jo me makinën personale, po me një makinë me qira.
Të dhënat e fundit nga kompani që japin makina me qira konfirmojnë shtimin e kërkesave, sidomos për makina me cilindratë të vogël, që shpenzojnë pak dhe manovrojnë lehtë në trafik.
“Ka padyshim një shtim të klientëve në numër, por në terma financiarë jemi thuajse në një njëjtat nivele si një vit më parë. Kjo sepse klientët po orientohen drejt makinave të vogla, për të cilat qiraja ditore është më e lirë”, thotë Arbër Haxhiu i “Noshi Rent a Car”.
Të njëjtin fakt e konfirmojnë edhe përfaqësuesit e “Albarent”, të cilët thonë se destinacionet më të preferuara nga klientët kanë qenë zonat bregdetare, sidomos Jugu i vendit.
Klientët më të shpeshtë janë padyshim të huajt dhe emigrantët, që zgjedhin të vijnë në Shqipëri kryesisht përmes linjave ajrore, duke mos pasur me vete automjetet personale. “Të huajt dhe emigrantët zënë rreth 80% të klientelës dhe vetëm 20% janë vendas. Shqiptarët nuk e kanë ende kulturën e përdorimit të makinave me qira”, thotë Haxhiu. Sipas tij, për ata që banojnë jashtë vendit, makinat me qira janë zgjedhje e leverdisshme, sepse ulin shpenzimet e udhëtimit drejt Shqipërisë, nuk konsumojnë makinën dhe “eliminojnë” streset për ndonjë defekt të mundshëm, që mbulohen nga kompanitë.
çmimi i makinave me qira varion në bazë të afatit dhe “përmasave” të makinës, por luhaten në 20-35 euro/ditë. Kryesisht periudha e marrjes me qira është 7-10 ditë gjatë verës dhe minimizohet në 2-3 ditë në muajt e tjerë të vitit.
“Vizat” rrisin 40% autobusët drejt Greqisë
çmimi
i makinave me qira varion në bazë të afatit dhe “përmasave” të makinës, por luhaten në 20-35 euro/ditë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.