TIRANE – Gjykata e Tiranës, ka caktuar arrest me burg për 2 prej 7 të arrestuarve si grupi i inspektimit në repartin e Bankës së Shqipërisë ku ndodhi vjedhja e 713 milionë lekëve. Nga 17 të arrestuarit deri tani, vetëm një akuzohet dhe ka marrë përsipër se ka kryer i vetëm vjedhjen në Repartin e Emisionit të Monedhës, pjesë e Thesarit të Bankës.
Gjykata e Tiranës ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin e 7 anëtarëve të grupit të inspektimit, por gjyqtarja Frida Osmani, ka caktuar arrest me burg vetëm për dy prej tyre.
Kështu togat e zeza nuk kanë dhënë të njëjtën masë sigurie për 7 inventarizuesit. Konkretisht është dhënë masa arrest me burg për Gentian Jahjan dhe Bahri Allushi, ndërsa arrest shtëpie për Ilir Deden, Medi Markun dhe Medi Mollën e Fatbardha Gurthi. Ndërkohë detyrim paraqitje është masa për Emiljano Lamcen.
Seanca ndaj tyre u zhvillua me dyer të mbyllura pas kërkesës së prokurorit Ramadan Troci. Troci i kërkoi seancë me dyer të mbyllura, pasi u shpreh se do të paraqesë një sekret shtetëror. Sipas Prokurorisë, shtatë punonjësit e BSH, nuk kanë raportuar për diferenca të parave në 8 arkat e dëmtuara, gjë që ka qenë lehtësisht e verifikueshme, por, ata kanë deklaruar se gjithçka ka qenë në rregull. Kjo ka bërë që të lejohet në këtë mënyrë të vazhdohet me vjedhjen e thesarit të Bankës Qëndrore deri më 21 korrik 2014
Shtatë të arrestuarit e fundit akuzohen për shpërdorim detyre, pasi sipas kërkesës së prokurorit Ramadan Troci që përfaqësonte akuzën në seancë, me dashje apo për shkak të kontrollit sipërfaqësor nuk kanë zbuluar megavjedhjen në Thesarin e Bankës.
Por séanca ka sjellë edhe fakte se sa fiktive ishte kontrolli dhe inventarizimi që kryente grupi i inspektimit.
Dy prej anëtarëve të grupit të inspektimit ishin në profesion elektricist dhe hidraulik, dhe nuk dihet ende shpjegimi i Bankës se përse kjo detyrë kaq e rëndësishme do u besohej atyre.
Muajin e kaluar janë arrestuar edhe 10 persona të tjerë për vjedhjen, nga të cilët 9 punonjës të bankës. Ardian Bitraj, Mimoza Bruzi, Klevis Bejta, Lavdim Cani, Dhimitër Davidhi, Lilkana Tusha, Myzejen Belba, Petrit Ramohitaj, Bashkim Xhilaga dhe drejtori i repartit ku ndodhi vjedhja Dorian Çollaku.
Ndërsa 16 nga 17 të arrestuarit akuzohen për shpërdorim detyre, i vetmi i akuzuar për vjedhjen e 713 milionë lekëve është Ardian Bitraj.
Ky i fundit pretendon se ka vjedhur nga paratë e stokut, të cilat vijnë me koli nga fabrikat e kartëmonedhave në Zvicër në pritje të hedhjes në qarkullim, duke i zëvendësuar ato me libra. Si edhe nga paratë e dëmtuara, të cilat i nënshtrohen procedurës së asgjësimit./shqiptarja.com