Struktura e ekonomisë shqiptare nuk ka pësuar ndryshime të dukshme në dekadat e fundit, por pesha e sektorit të turizmit po shënon rritje të fortë.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2022, ekonomia shqiptare xhiroi rreth 4,5 trilionë lekë. Hotelet dhe restorantet kontribuuan me 11.8% të xhiros totale në ekonomi, nga vetëm 2.3% në vitin 2021.
Të dhënat tregojnë se nga xhiro totale e ekonomisë vitin e kaluar 35.8% i takon sektorit të tregtisë, me ulje të peshës me 3.8 pikë për qind në krahasim me vitin 2021.
Industria realizoi 22.6% të totalit të të ardhurave, me një rritje vjetore 0.3% më 2022.
Sektori i ndërtimit, edhe pse u karakterizua nga zhvillime të vrullshme vitin e kaluar, kontribuoi në 9,1% të xhiros totale me një rënie -2.8 pikë % të peshës në krahasim me vitin 2021.
Bujqësia, edhe pse sektori më i madh në ekonomi, në vitin 2021 realizoi vetëm 0.5% të xhiros totale të ekonomisë shqiptare, me përkeqësim në raport me vitin 2021.
Kontributi i sektorëve në xhiron totale të ekonomisë tregon mungesën e lartë të produktivitetit në disa sektorë. P.sh., bujqësia si sektori më i madh në ekonomi nuk kontribuon as në 1% të punësimit me pagë dhe të xhiros totale.
Analiza e të dhënave na tregon se gjatë dekadës së fundit 2011 – 2020, sektorët jobujqësorë me rritjen më të lartë të produktivitetit në Shqipëri janë ata të shëndetësisë (që angazhon 2.4% të punësimit në vend), shërbimeve të ndryshme (9% të punësimit në vend), publikimet dhe softuerë (0.5% të punësimit), shërbimet profesionale (7.3% të punësimit), energjia dhe gazi (6.2% të punësimit) etj. Në këta sektorë, niveli i produktivitetit është rritur mbi dy herë krahasuar me dhjetë vite më parë.
Këta sektorë ekonomikë, që përbëjnë njëkohësisht drejtimet më të rëndësishme, ku cilësia e punës dhe mirëqenia e qytetarëve të përfshirë në këto aktivitete, është në përmirësim të dukshëm krahasuar me aktivitetet e tjera në vend.
Ministria e Financave sugjeron se fuqizimi i mëtejshëm i sektorëve të tillë dhe të tjerëve potencialë, përmes politikave mbështetëse për zgjerimin e punësimit mund të diversifikojë më tej orientimin e ekonomisë drejt aktiviteteve produktive dhe krijon mundësi të mëtejshme për të përmirësuar konkurueshmërinë e ekonomisë dhe kontribuar në mënyrë të qenësishme në rritjen e mirëqenies së qytetarëve. /B.Hoxha


Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.