YouTube fshin nga platforma e tij, ose gjithsesi do të zvogëlojë shikueshmërinë e videove që mbrojnë teoritë e komplotit, që e lidhin epideminë e koronavirusit me rrjetin 5G.
Kompania kaliforniane e bëri të ditur këtë për ‘The Guardian’. Masat vijnë pasi në Mbretërinë e Bashkuar, disa shtyllave 5G iu është vënë zjarri pas përhapjes së disa lajmeve të rreme.
Videot që shkelin rregullat e YouTube do të fshihen – tha një zëdhënës, duke theksuar që kompania “ndalon edhe videot që në vend të kurave mjekësore nxisin metoda që nuk janë vërtetuar nga ana mjekësore për parandalimin e koronavirusit”. Gjithashtu, “kemi nisur të fshijmë videot me teori komploti, që e lidhin 5G me koronavirusin, të cilat mund të keqinformojnë përdoruesit”.
Në një video të fshirë – shkruan The Guardian – një person i vetëquajtur ish-drejtues i një kompanie telefonie në Mbretërinë e Bashkuar pretendonte se testet për koronavirusin ishin përdorur për të përhapur virusin dhe se pandemia ishte krijuar për të fshehur vdekjet e shkaktuara nga teknologjia mobile.
Në një deklaratë, Mats Granryd, drejtori i përgjithshëm i GSMA (Organizata botërore e industrisë së telekomunikacionit), tha: “Industria e telekomunikacioneve punon 24 orë në 24 për të mbajtur në funksion shërbimet jetike për shëndetin, arsimin dhe shërbimet e urgjencës, bizneset që funksionojnë dhe lidhjen me miqtë dhe familjet. Është për të ardhur keq që infrastrukturat kritike për komunikimin të sulmohen me lajme të rreme. U bëjmë thirrje të gjithëve të kenë besim tek autoritetet shëndetësore dhe të kenë besim se teknologjia e komunikimeve është e sigurt. Nuk ka asnjë lidhje mes 5G dhe Covid-19”.
YouTube njoftoi se që në fillim të shkurtit ka rishikuar dhe fshirë manualisht mijëra video që përhapin informacione të rrezikshme apo të rreme për koronavirusin. Për video të tjera, ka aplikuar instrumentin e tij kryesor për të luftuar përhapjen e informacioneve keqinformuese.
Burimi: The Guardian