Projekti Thumanë-Vorë-Kashar duket se do të nisë zbatimin shumë shpejt, madje sipas deklaratave të bëra nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj kjo do të ndodhë në vitin 2018.
Vetë kreu i Financave e renditi mes akseve të tjera si rruga e Arbrit dhe Durrës-Kukës-Morinë që për të dyja është zgjedhur koncesioni. “Investimet publike mbeten 5-5.2% e PBB. Në vitin 2018 ka akse serioze nacionale që hapen që është qoftë me PPP koncesione të cilat do ti vazhdojmë sepse i kemi gjithë instrumentet ligjorë dhe financiare ti mbajmë nën kontroll jo si risqe por si instrumente zhvillimi. Këtu mund të përmend rrugën e Arbrit, Thumanë-Vorë, Durrës-Kukës-Morinë, Unaza e Madhe e Tiranës apo dhe investime me financim të huaj ku janë By-pass i Fierit dhe Vlorës, përfundimi i Tiranë-Elbasan, Qukës-Qafë Plloçë” do të shprehej Ahmetaj pak ditë më parë në Asamblenë e Partisë Socialiste ku u bë prezantimi i zëvendësministrave të qeverisë.
Projekti Thumanë-Vorë-Kashar, i hartuar një vit më parë është tashmë i akseseshëm.
Autostrada e re me katër korsi pritet që të fillojë në Thumanë dhe të mbyllet në autostradën Tiranë-Durrës. Koncesioni mendohet si mënyra më e përshtatshme për shkak edhe të ngarkesës më trafik që ka ky segment.
“Një analizë paraprake ka treguar se në këtë segment të ri do të kalojnë fillimisht rreth 12.000-15.000 mjete në ditë. Autostrada e re lidh zonat e banuara Thumane, Fushe Kruje, Vorë, Rinas Airport, Kashar, duke përfshirë gjithashtu një Kryqëzim të ri i cili lidh Autostradën e re me Autostradën ekzistuese Tiranë-Durrës. Pjesa fundore e Autostradës së re, e pozicionuar pas kryqëzimit me Autostradën ekzistuese Tiranë-Durrës, do të rakordohet me Projektin e “By-Pass-it” të Tiranës, i cili nuk është pjesë e këtij Projekti” thuhet në studimin për Thumanë-Vorë-Kashar.
Projekti ka katër nyje në disnivel ku i pari është në Thumanë, lidhet me rrugën SH1, kalon përgjatë autostradës së re dhe vazhdon në drejtim të Kasharit. Nyja e dytë në disnivel është në Fushë-Krujë e duke u nisur nga zona e Thumanës përgjatë autostradës , në drejtimin e Kasharit. Nyja e tretë në disnivel është tek pjesa e kalimit për në Aeroportin e Rinasit dhe e katërta është e fundit duke u nisur nga zona e Thumanës përgjatë autostradës së re , në drejtimin e Kasharit . Kjo e fundit është nyja e cila do të realizoje lidhjen e ardhshme me autostradën Tiranë-Durres si dhe do të vazhdojë me By pass-in e Tiranës.
Spea Engeneering do të publikonte një vit më parë studimin e fizibilitetit dhe projektimit të rrugëve të zonës Thumanë – Fushë Krujë – Vorë – Kashar. Paralelisht me këtë studim një tjetër kompani Alba Engeneering sh.p.k do të njoftonte se është kontraktuar nga Spea për ndërtimin strukturor të katër mbikalimeve të rrugës.
Debatet për projektin gjatë qeverisë Berisha
Projekti që parashikon ndërtimin e një segmenti me gjatësi 21 kilometra nuk është i ri, ai është lakuar herë pas here sidomos gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Berisha.
Në atë kohë do të kishte interes nga një kompani e huaj pranë ish-Ministrisë së Punëve Publike por që kreu i Financave i asaj kohe Ridvan Bode nuk do ta miratonte formën e propozuar për këtë koncesion. Kompania kërkoi që t’i siguroheshin paratë dhe ajo të bënte ndërtimin diçka që sipas Bodes, këtë fare mirë mund ta bënte qeveria pa u përfshirë në koncesione.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
A esht e vertet kjo planimetri perfundimtare e gjurmes se autostrades thuman vor kashar duhet te ne ktheni naj pergjigje
Tani ne duhet qe te dime ekzaktesisht se ku bie ne zbatim KY projekt