Pavarësisht se jeni i sëmurë, i etur, i uritur, pa gjumë, puna vjen mbi çdo gjë? Atëherë është koha të ndalni.
Shumë njerëz e çojnë veten në kufi të durimit kur është fjala për punën, që kurrsesi nuk është mirë për shëndetin. As avancimi në punë nuk jep shumë siguri, pavarësisht se sa mundoheni, por ajo që është tërësisht e sigurt është fakti që puna e tepërt në një moment, e merr haraçin e vet. Puna nën presion, stresi, orari i zgjatur, të gjitha këto reflektojnë direkt në gjendjen shëndetësore të njeriut, në të ardhmen e afërt ose të largët.
A i takoni edhe ju grupit të atyre që punën ia nënshtrojnë çdo gjëje, madje edhe vetë shëndetit? Kuptojeni më mirë nga ky artikull.
Harron të relaksohet
Stresi ndonjëherë mund të jetë i dobishëm, sepse ju mban të zgjuar dhe të përqendruar, por edhe të motivuar, por stresi i tepërt ose stresi kronik do të reflektojë në trupin tuaj.
Ha në lëvizje
Në mes të takimeve, konferencave, afateve, gjatë rrugës për në punë, gjatë rrugës për shtëpi, maniaku i punës nuk e humb kohën duke qëndruar i qetë dhe të hajë si duhet. Ndërsa ngrënia e mirë është pikërisht ajo çka i duhet njeriut për mendje të mprehtë gjatë tërë ditës.
Fle pak
Jo pse vuan nga pagjumësia, por sepse punon kur duhet të pushojë. Madje edhe profesionistët që kanë shumë punë, kanë nevojë për shtatë deri në nëntë orë gjumë. Pagjumësia mund të na bëjë më nervozë, të na shpërqendrojë, dobësojë kujtesën dhe gjykimin.
Nuk bën ushtrime fizike
A duhet të shtohet diçka tjetër përveç që ushtrimet dhe lëvizjet e përditshme të paktën në kohëzgjatjen prej 30 minutash janë të nevojshme për shëndetin? Maniaku i punës “nuk ka kohë” për këto.
Punon edhe kur është i sëmurë
Shumë njerëz shkojnë në punë, edhe pse janë të sëmurë. Por janë tri arsye pse duhet të qëndroni në shtëpi – askush nuk e dëshiron sëmundjen tuaj, do të jeni më pak produktiv dhe keni nevojë për pushim për t’u shëruar.
Pi (për së tepërmi)
Konsumimi i tepruar i alkoolit mund të nxisë varësinë, probleme me mëlçinë, madje edhe kancerin.
Kapërcen kontrollin mjekësor vjetor
Me qëllim që problemet të vërehen me kohë, të nevojshme janë kontrollet e rregullta te mjeku. Çdo person duhet ta dijë se çka ndodh në trupin e tij.