Zhvlerësim rekord i lekut në tremujorin e parë 2015. Sipas Bankës së Shqipërisë (BSH), indeksi NEER tregon për një nënçmim të lekut me 3% në terma vjetorë, vlera më e lartë që prej muajit nëntor 2010. NEER (kursi nominal efektiv i këmbimit) llogaritet kundrejt monedhave të pesë partnerëve tregtarë kryesorë, të cilët janë Italia, Greqia, Gjermania, Turqia dhe Kina. Një rritje e NEER do të thotë nënçmim i lekut. Ndërkohë, në raport me tremujorin e kaluar, nënçmimi rezultoi në masën 1.8%. Kontributin më të madh në këtë ecuri e dha forcimi i vazhdueshëm i dollarit amerikan USD në tregjet financiare. Megjithatë, në terma realë, si rrjedhojë e inflacionit të ulët në vendet partnere tregtare të Eurozonës dhe rritjes së inflacionit vjetor në Shqipëri, leku u nënçmua me vetëm 1.6% në bazë vjetore. Paralelisht me zhvillimet në Eurozonë, indeksi i presioneve në tregun valutor rezultoi në rritje. Kursi mesatar i këmbimit euro/lek rezultoi 140.2 lekë në tremujorin e parë, duke nënkuptuar një mbiçmim me 0.1% në terma vjetorë dhe 0.4% në raport me tremujorin e fundit 2014. Gjatë këtij tremujori, kursi euro/lek është luhatur në një interval të ngushtë prej 139.6-140.6 lekësh, duke u tregtuar në nivele më të larta në muajt shkurt-mars. Pikërisht në këtë periudhë, kërkesa për valutë është shfaqur në rritje, nxitur si nga Banka e Shqipërisë, qeveria dhe agjentë të tjerë publikë, ashtu edhe nga ata privatë të tregut. Përballë kësaj dinamike, oferta për valutë është shfaqur më e dobët. Kjo është një luhatje e papritur, sepse në 6-mujorin e dytë 2014, indeksi NEER shprehu një mbiçmim të lekut me rreth 0.5% në terma vjetorë. Në terma realë, në këtë periudhë, monedha vendase u mbiçmua mesatarisht me 1.7%. Ndërkaq, për të tetin muaj radhazi, dollari amerikan vazhdoi të forcohet dukshëm ndaj lekut, si në terma vjetorë (21.6%). Në këtë periudhë, 1 USD u tregtua mesatarisht me 124.6 lekë, duke shënuar një vlerë të re historike për 12 vitet e fundit. Në muajin mars, sipas indeksit nominal të publikuar nga FED, dollari amerikan është forcuar ndaj shportës së monedhave të tjera kryesore me 18% që nga muaji gusht 2014. Ndër faktorët e brendshëm që kanë ndikuar në ecurinë e lekut janë ngadalësimi i rritjes ekonomike në vend, rënia e të ardhurave fiskale, politika monetare me norma të ulëta interesi e BSH-së, operacionet ndërbankare të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, kërkesat e larta në tregun valutor nga qeveria dhe kompanitë e huaja që transferojnë jashtë fitimet.
Paga reale
Zhvlerësimi i monedhës vendase ul pagën reale dhe fuqinë blerëse. Paga nominale llogaritet mbi orët e punës herë çmimi për orë, ndërsa paga reale është e barabartë me mallrat që mund të blihen me pagën nominale. Në këtë kuadër, qeveria bën çdo vit një indeksim të pagave dhe pensioneve në bazë të inflacionit. Treguesi i pagës mesatare në ekonomi ra me 3% gjatë 2014-s, pas rritjes mesatare me rreth 2.3% të shënuar gjatë vitit 2013, sipas të dhënave të raportuara nga Banka e Shqipërisë. I deflatuar me indeksin e çmimeve të konsumit (ICK), ky tregues i pagës ra me rreth 4.8%. Paga reale ra në sektorin e industrisë me 6.1%, e kushtëzuar kryesisht nga rënia e tij në nëndegën e industrisë nxjerrëse (17.86%). Në sektorin shtetëror, paga reale qëndroi thuajse e pandryshuar në krahasim me një vit më parë.
Aftësia paguese e klientëve
Efekti i kursit të këmbimit në ecurinë e kredisë ka qenë i ndjeshëm veçanërisht në muajin shkurt. Pastruar nga luhatjet e kursit të këmbimit, kredia është tkurrur me rreth 7 miliardë lekë në muajt janar dhe shkurt dhe rritja vjetore e saj rezulton mesatarisht 1.4% në këta dy muaj, sa edhe në dhjetor të vitit të kaluar. Korrektuar nga lëvizjet e kursit të këmbimit, rritja vjetore e depozitave në valutë shënoi ngadalësim në 1.4%, përkundrejt nivelit 1.9% të shënuar në muajin dhjetor 2014. Zhvillimet e depozitave në valutë janë diktuar nga krijimi i pakët i parasë në monedhë të huaj dhe nga normat e ulëta të interesit, si për euron ashtu edhe për USD. Ekspozimi i sektorit bankar ndaj lëvizjeve të pafavorshme në kursin e këmbimit, sipas Bankës së Shqipërisë, duhet vlerësuar rregullisht dhe ndjekur me kujdes. Sektori bankar paraqitet i ndjeshëm ndaj ndikimit negativ që mund të shkaktojnë lëvizjet e pafavorshme në kursin e këmbimit dhe në normën e interesit në gjendjen e klientëve. Një nënçmim i ndjeshëm i kursit të këmbimit ose një rritje e tillë e normës së interesit, mund të dëmtojë aftësinë paguese të klientëve të sektorit bankar, veçanërisht të sektorit të biznesit. Kanali kryesor i transmetimit të këtij rreziku përfaqësohet nga kredia në valutë, kur burimi kryesor i shlyerjes së saj është në monedhën vendase dhe nga kredia me normë të ndryshueshme të interesit.
Importet
Rusia dhe Turqia na rritën çmimet
Inflacioni i ardhur nga jashtë gjatë tremujorit të parë të vitit 2015, ka rezultuar në rritje. Indeksi “Çmime të huaja” shënoi një rritje vjetore 4.2%. Kjo ecuri u përcaktua nga inflacioni dyshifror i Turqisë dhe i Rusisë, kundrejt presioneve deflacioniste të gjeneruara nga vendet partnere kryesore europiane. Nënçmimi vjetor i monedhës vendase në termat e NEER (3%), veçanërisht në muajin mars, shtoi praninë e presioneve të huaja inflacioniste në vend. Si rezultat i zhvillimeve të mësipërme, indeksi inflacionit të importuar u rrit në terma vjetorë me 7.3%, duke qëndruar 3.4 pikë përqindje më lart se në tremujorin e kaluar. Kontributi vjetor i inflacionit të importuar u vlerësua rreth në 1.08 pikë përqindje (apo 56%) të inflacionit total. Ky kontribut pasqyroi luhatjet në çmimet e ushqimeve dhe të mallrave bazë në tregun ndërkombëtar dhe vendas, të shoqëruara nga dobësimi i lekut kundrejt USD. Pjesa e mbetur e inflacionit u formua nga inflacioni i brendshëm.
/ Z.A./GAZETA SHQIP
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.