Katari synon të forcojë bashkëpunimin dhe partneritetin me Bullgarinë në të gjitha fushat, duke përfshirë tregtinë dhe investimet, vuri në dukje ministri i Ekonomisë dhe Tregtisë, Sheiku Ahmed bin Jassim Al Thani, në fjalimin e hapjes në Forumin Ekonomik Katar-Bullgari, të zhvilluar në Sofje. Të dyja kombet po punojnë për të krijuar mënyra inovative në fusha të reja të bashkëpunimit reciprok, për të realizuar interesat e përbashkëta.
Ministri i Ekonomisë dhe Tregtisë, Ahmed bin Jassim Al Thani, dhe homologu bullgar, Emil Karanikolov, përuruan forumin e organizuar nga Ministria në bashkëpunim me Agjencinë Bullgare për Promovimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme.
Në këtë forum ishin të pranishëm edhe një numër i madh zyrtarësh, personalitete dhe biznesmenë të shquar nga të dyja shtetet, si sheiku Khalifa bin Jassim Al Thani; kryetari i Dhomës së Katarit, Cvetan Simeonov; presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Bullgare, Gabriela Kozareva; drejtorja ekzekutive e Agjencisë Bullgare për Promovimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme dhe Stamen Yanev, drejtor ekzekutiv i Agjencisë Bullgare të Investimeve, së bashku me më shumë se 300 biznesmenë, investitorë dhe qeveritarë nga të dy vendet.
Në këtë forum ishin të pranishëm edhe disa nga drejtuesit e kompanive më të rëndësishëm në Katar, në fushat e tregtisë dhe industrisë, naftës dhe gazit, investimeve, ushqimeve, kontraktimeve, pajisjeve mjekësore, shëndetit, ilaçeve, makinave, bujqësisë, inxhinierisë, materialeve të ndërtimit dhe disa sektorëve, të cilët diskutuan mundësitë e investimeve dhe sipërmarrjet e përbashkëta.
Forumi kishte synim rritjen e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, tregtisë dhe investimeve ndërmjet Katarit dhe Bullgarisë, si dhe krijimin e perspektivave të reja për bashkëpunim midis përfaqësuesve të sektorit privat nga të dyja vendet, në një përpjekje për të nisur projekte në fushën e investimit që u shërbejnë si interesave të Katarit ashtu edhe atyre të Bullgarisë.
Ministri kujtoi se marrëdhëniet miqësore ndërmjet Katarit dhe Bullgarisë datojnë që në fillimet e viteve 1990.
Ai theksoi rolin e rëndësishëm që marrëveshjet dypalëshe dhe memorandumet e mirëkuptimit në fushën ekonomike, tregtare, investuese dhe fushat e bashkëpunimit teknik kanë luajtur në rritjen e tregtisë dypalëshe, e cila në vitin 2017 arriti në 24 milionë dollarë.