Ndërkohë që qeveria shqiptare po merr masa për të administruar operatorin e sistem shpërndarjes, pasi pritet që t’i heqë licencën kompanisë çeke CEZ, që e bleu këtë operator tre vjet më parë, kompania mëmë në Çeki ka nxjerrë njoftim në gazetën e njohur Financial Times, ku njofton shitjen e 76% të aksioneve të filialit të saj në Shqipëri dhe fton të gjitha kompanitë e interesuara në këtë proces të shprehin zyrtarisht interesin deri në 15 janar.
CEZ fton investitorët e interesuar të paraqesin informacion të hollësishëm mbi kompanitë përbërëse në rastin se janë një konsorcium, aktivitetet e tjera të biznesit që ata zotërojnë, garancitë financiare për blerjen e mundshme të CEZ-it dhe çdo shqetësim apo paqartësi që mund të kenë në lidhje me procesin.
Ky veprim i kompanisë çeke e komplikon dhe më tej situatën me operatorin e shpërndarjes së energjisë, teksa CEZ pretendon se është ajo në zotërim të aktiveve, që i bleu rreth katër vjet më parë kundrejt një shume prej rreth 100 milionë euro. Në fakt, që në fund të dhjetorit, Cez Group në Pragë njoftoi se ka nxjerrë në shitje degën e saj në Shqipëri, teksa ajo po përpiqet që të zgjidhe një konflikt që po vazhdon prej kohësh me shtetin ballkanik lidhur me importet e energjisë dhe çmimet. CEZ tha në një deklaratë se blerësit e mundshëm duhet të shfaqin interes deri në janar dhe më pas CEZ do të vendosë lidhur me hapat e ardhshme.
Nga ana e tij, Enti Rregullator i Energjisë reagoi duke thënë në media se “Në hapësirën ligjore të procedurës, pas heqjes së licencës njihet edhe kalimi te një kompani tjetër e tretë që mund të administrojë aktivitetin. Por nëse CEZ-i gjen aktor tjetër ai duhet të aplikojë tek ERE për ndryshimin e kapitalit, pra nëse do t’i shesë asetet një kompanie tjetër duhet të aplikojë tek ERE për shitjen e aktivitetit. Nëse kompania nuk aplikon të paktën një javë para heqjes së licencës, kohë që do t’i nevojitej bordit të ERE-s për të shqyrtuar kërkesën, humbet të drejtën për të shitur biznesin. Nëse kompania nuk aplikon, automatikisht licenca bëhet “nul” dhe duhet që kompania që do të blejë shpërndarjen duhet të aplikojë për marrjen e licencës.
Po sot Enti Rregullatori i Energjisë miratoi procedurën për emërimin e administratorit që pritet të menaxhojë kompaninë pas largimit të CEZ. ERE pritet që t’i heqë licencën CEZ në 20 janar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.