Çfarë qëndron prapa nismës kineze “Një Rrip, një Rrugë”?

11/08/2018 10:01 PM 0 komente

Duke qenë i rritur në një diktaturë ushtarake, Than Swe, një prej anëtarëve të rinj të elitës së biznesit të Birmanisë (Mianmarit), ai gjithmonë e ka parë Perëndimin si një shpëtimtar dhe një model që duhet ndjekur, shkruan The Economist. Edhe kur qeveritë e vendeve perëndimore ndërmorën masa të ashpra kundër tregtisë për të ndëshkuar juntën që vinte nga vendi i tij, nga viti 1998 deri në 2016, z. Than Swe, së bashku me shumë bashkatdhetarë, i panë ata si ruajtës të një rendi moral.

Ka edhe nga ata që mund të mendojnë se vlerat perëndimore nuk janë aspak të mira. Por z. Than Swe kujton se kur vizitoi Amerikën gjatë periudhës së adoleshencës, ai u mirëprit dhe u urua nga autoritetet vendase që po vizitonte një vend ku të drejtat e njeriut janë shumë të rëndësishme.

Edhe si një alternativë ndaj despotizmit në vendin e tij, Perëndimi ofronte shpresë. “Njerëzit ende sot e kësaj dite mendojnë se vendet perëndimore janë më të mirat”, tha Than Swe (26 vjeç), i ulur në një auditor universiteti në qytetin port të Kinës në Xiamen.

Si një prej 2.5% e banorëve të Birmanisë (Mianmarit) që janë me kombësi kineze, ai po sheh gjithnjë e më shumë një alternativë për investime dhe ndihmë nga Kina fqinje që po rritet gjithnjë e më shumë. Por, për habinë e tij, shumë në vendin e tij nuk pajtohen me këtë gjë.

Ai sjell ndër mend sesi një propozim për të ndërtuar diga mbi lumin Irrawaddy ishte bllokuar në vitin 2011 mes protestave të zemëruara rreth përmbytjeve të fshatrave dhe shkatërrimit të ekosistemeve për të prodhuar energji elektrike për Kinën, duke qenë se kjo e fundit shpeshherë krahasohej me fuqitë koloniale që “thjesht marrin gjithçka dhe largohen”. Por shekujt ku marrëdhëniet e vështira dhe luftërat rastësore midis këtyre vendeve duket se janë hedhur pas krahëve dhe pjesa më e madhe e Azisë e shikon gjigantin kinez, shumë më tepër sesa thjesht një partner tregtar.

Së bashku me rritjen e pasurisë dhe suksesit është krijuar edhe një besim i ri ndaj modelit kinez. Debati në Birmaninë e ditëve të sotme përqendrohet në planet për ndërrimin e një porti me vlerë prej 7.3 miliardë dollarësh në Kyaukphyu në Gjirin e Bengalit dhe në një zonë të një rëndësie të veçantë ekonomike.

Filialet e CITIC, një konglomerat kinez në pronësi të shtetit, po marrin 70% të aksioneve, dhe do të drejtojnë portin për gjysmë shekulli. Nëse Kyaukphyu do të jetë mjaftueshëm i madh për të mbajtur 4.9 milionë kontejnerë në vit, siç shpreson CITIC, do të jetë në të njëjtat nivele të Felixstowenit, portin më të madh të kontejnerëve në Britani, një ndryshim që do të jetë vërtet befasues.

 

Ambiciet portuale

Ekonomistët perëndimorë po përpiqen të shohin me saktësi se çfarë përfiton Birmania nga porti në Kyaukphyu, i cili është larg kryeqytetit të vendit, Yangonit. Ndërsa për sa i përket Kinës, ata janë mjaft të qartë në ato se çka ajo do të përfitojë: një zgjerim në det për provincën jugperëndimore të Yunnanit.

Ai tashmë është një terminal për tubacionet e naftës dhe gazit, i aftë për të sjellë rreth 10% të importeve të energjisë nga Kina, duke anashkaluar ngushticën e Malaccas, një pikëzim strategjik pranë Singaporit.

Sipas disa diplomatëve të huaj, Kina shpreson që në të ardhmen ky port të shndërrohet në një strehë për anijet e saj luftarake. Por skeptikët në Birmani sjellin ndër mend precedentin e Hambantota, një port i ndërtuar nga Kina në Sri Lanka që kaloi në duart e qeverisë kineze në 2017, së bashku me 69 kilometra katrorë tokë, pasi qeveria e Sri Lankës nuk mundi të shlyente borxhet e marra për ndërtimin e saj.

Ish-zyrtarët e Sri Lankës kanë bërë publike për New York Times, kërkesa të fshehta të bëra nga Kina, për shembull një kërkesë për të shkëmbyer informata për të gjithë trafikun përmes portit.

Diskutimet në lidhje me zhvillimin e portit në Kyaukphyu kanë filluar prej vitesh. Por tani, si të gjitha llojet e projekteve të tjera, porti është përfshirë në nismën ambicioze të Kinës “Një Rrip, një Rrugë”.

Sipas njoftimeve të disa prej zyrtarëve të kësaj nisme, Birmania (Mianmar) është një nga miqtë e shumtë që do ta lidhin Kinën me tregjet e largëta dhe rezervat e energjisë nga Oqeani Arktik në atë Indian, Paqësor dhe Atlantik. Kjo është “Rruga”, ndërsa “Rripi” është “Rripi Ekonomik i Rrugës së Mëndafshit”, që lidh Kinën tokësore me Europën, Afrikën dhe Lindjen e Mesme me hekurudhat, autostradat dhe kabllot me fibra optike.

Të dy këto nisma u bashkuan në një të vetme gjatë një fjalimi të Presidentit të Kinës dhe liderit të Partisë Komuniste, Xi Jinping, në vitin 2013. Disa diplomatë dhe politikanë të shqetësuar i referohen nismës “Një Rrip, Një Rrugë” si një masterplan që synon t’i kthejë kombet euroaziatike në shtete të varura nga kryeqyteti kinez, duke filluar nga hekurudhat, autostradat, tubacionet e gazit dhe duke i detyruar të zbatojnë rregullat kineze që nga tregtia e deri te siguria kibernetike.

Në tetor të 2017-s, ministri amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, vuri në pikëpyetje idenë e rrugëve tregtare të krijuara nga një fuqi e vetme. “Në një botë të globalizuar, – tha ai, – ka shumë rripa dhe shumë rrugë”.

 

Jo aq madhështore sa duket

Ambasadorë të tjerë, liderë politikë dhe drejtues biznesesh e shohin një Nismë të tillë jo kaq madhështore sa ajo është paraqitur. Ata mendojnë se Kina dëshiron të mbledhë dhe të eksportojë prodhime të tepërta të çimentos, të çelikut dhe punimeve prej xhami të ndërtuara gjatë viteve të mëparshme dhe t’i grumbullojë ato jashtë vendit, duke larguar kështu së bashku me to edhe ndotjen dhe gazrat serrë.

Më konkretisht, nisma “Një Rrip, Një Rrugë” ka arritur të sigurojë kontrata për firmat kineze, ndërsa më skeptikët dhe cinikët vazhdojnë ta shohin atë si një fushatë marketingu, duke riemëruar gjithçka që Kina bën jashtë vendit, nën parulla që përputhen plotësisht me pretendimet globale të z. Xi.

 

Masterplan apo marketing?

Në një pikë të gjithë mund të bien dakord, që prapa bisedimeve për ringjalljen e Rrugës së Mëndafshit fshihen shuma të mëdha parash.

Në janar, ish-shefi i agjencisë së CIA-s në Kinë, Randal Phillips, i tha Komisionit të Shqyrtimit Ekonomik dhe të Sigurisë (USCC), për ekzistencën e disa bisedave në të cilat zyrtarët kinezë e krahasonin këtë nismë me Planin Marshall me të cilin Amerika financoi rindërtimin të Europës së pasluftës. Por, pretendime të tilla, mund të duken edhe pak të njëanshme. Në një forum të nismës “Një Rrip, një Rrugë”, të mbajtur në Pekin në vitin 2017, u tërhoq vëmendja e mbi 12 liderëve më të fuqishëm të botës.

Një pjesë e madhe e kësaj nisme është e kuptueshme dhe e arsyeshme.

Pasi Kina të transformohet dhe të jetë e pajisur me linjat hekurudhore me shpejtësi të lartë, rrugët dhe rrjetet elektrike, firmat e vendit, shumica prej të cilave në pronësi të shtetit, do të jenë të gatshme të eksportojnë njohuritë e tyre. Kina ka kapital të madh në dispozicion dhe domosdoshmëri për të zhvilluar zonat e saj perëndimore përmes lidhjeve me Euroazinë dhe një dëshirë të madhe për të vendosur lidhje më të ngushta me 14 vendet me të cilat ajo kufizohet.

Por ekzistojnë edhe aspekte të tjera në lidhje me këtë nismë që janë shqetësuese.

Skema e saj është ende sekrete dhe kjo është shqetësuese.

Asnjë hartë përfundimtare e nismës “Një Rrip, Një Rrugë” nuk është publikuar. Skema është zgjeruar më shumë në drejtim të Euroazisë dhe Lindjes së Mesme, nga Zelanda e Re në Arktik, nga Afrika në Amerikën Latine dhe madje edhe në hapësira të tjera. Vlerësimet e investimit total të parashikuar të nismës “Një Rrip, Një Rrugë” variojnë nga 1 në 8 trilionë dollarë amerikanë.

Kina rrallë mund të raportojë kreditimet e saj jashtë shtetit, arsye që rrit misterin dhe shqetësimin mbi qëllimet që mund të shtrihen përtej ekonomisë, shprehet Jonathan Hillman nga Reconnecting Asia Project.

Në Uashington politikanët, dijetarët, ushtarët dhe spiunët po rilexojnë veprat e Halford Mackinder, një gjeografi britanik, i cili në vitin 1904 argumentonte se fuqia globale qëndronte në kontrollin e “Heartland”, një rajon midis Volga dhe Yangzi që sundon mbi “Ishullin botëror’, pjesën e tokës midis Europës, Azisë dhe Afrikës. Z. Phillips i tha Komisionit të Shqyrtimit Ekonomik dhe të Sigurisë (USCC) se Nisma e “Rrugës së Mëndafshit” është shumë e ngjashme me një dokument që CIA bleu rreth 13 vjet më parë, duke treguar dëshirën e Ushtrisë Çlirimtare Popullore për të ndërtuar një varg bazash ushtarake larg nga brigjet e saj. Disa prej këtyre bazave do të ishin në rajone të largëta.

Kushtet e kontratës së Vanuatas me Kinën nuk janë të sigurta dhe aspak të qarta. Ajo tregon një hua 15-vjeçare me interes 2.5% me bankën ExIm Bank në pronësi të qeverisë. Nadçge Rolland, autor i librit “China’s Eurasian Century”, një libër mbi nismën “Një Rrip, Një Rrugë”, u bën thirrje të gjithë skeptikëve që kanë dyshime në këtë drejtim që të lexojnë deklaratat e z. Xi dhe liderëve të tjerë.

Sipas Xiang Lanxin, drejtor i qendrës ‘Një Rrip Një Rrugë’ dhe Siguria Euroaziatike, një organizatë me qendër në Shangai, pranon faktin se e gjithë nisma do të përmbushë disa qëllimet strategjike kineze, por njëkohësisht thotë se këto qëllime strategjike janë më se të qarta dhe aspak të fshehta.

Ai shikon edhe një plan për të ribalancuar ekspozimin e Kinës në Paqësor dhe pranon se propaganda e vakët në lidhje me iniciativën ka alarmuar fqinjët në mënyrë të panevojshme. Por, kur zyrtarët kinezë thonë se “gjeopolitika nuk është e përfshirë … kjo nuk është bindëse, sepse ajo në të vërtetë e përfshin gjeopolitikën dhe të gjithë e kuptojnë këtë”, thotë z. Lanxin.

 

Mos u nxitoni

Nisma “Një Rrip, Një Rrugë” është gjithashtu skemë e pushtetit të butë dhe z. Than Swe është prova e këtij pohimi. Ai është një nga 40 zyrtarët, oficerët ushtarakë dhe “talentet e huaja të veçantë” nga Indonezia, Mianmari, Sri Lanka, Tajlanda dhe Turqia, të regjistruar në një kurs 11-mujor në Xiamen në Institutin e Rrugës Detare të Universitetit Huaqiao për të studiuar qasjen e Kinës ndaj globalizimit. Të gjitha shpenzimet do të paguhen nga Kina. ZThan Swe shprehet se kjo periudhë që ai ka kaluar në Xiamen e ka bërë atë që të ndryshojë mendim.

Tani ai e sheh Kinën si një alternativë më se të mirëpritur në krahasim me një Perëndim të fuqishëm, por mbi të gjitha paragjykues dhe kjo është pa dyshim, edhe një nga pikat më të forta të Kinës, fakti që ajo arriti t’ia ndryshonte mendimin z. Swe.

Në këtë mënyrë, Kina ka arritur të tërheqë pas vetes vendet e Azisë Jugore që duan një mbrojtje kundër Indisë, qeverive të Azisë Qendrore që duan të mbajnë Rusinë në gjirin e tyre dhe vendet në skajet jugore dhe lindore të BE-së të lodhur nga shpërfillja e Brukselit. Z. Than Swe nuk është i vetmi student në këtë Institut që vlerëson Kinën dhe që shpreh falënderime ndaj saj. Kamal Bombugalage është një tjetër student që shpreh falënderimet ndaj Kinës për mbështetjen që ajo i dha gjatë luftës civile në atdheun e saj dhe për huadhënien e miliarda dollarëve për të ndërtuar porte, zonat industriale dhe skema të tjera.

Ai mbron zhvillimin e Hambantotës, si një investim i shëndoshë. Fuqitë koloniale plaçkitën Sri Lankën, pastaj u larguan, kujton ai. Në të kundërt, Kina erdhi në vendin tonë për të tregtuar dhe për të ndërtuar. Një oficer tjetër nga Sri Lanka, Fred Seneviratne, shprehet se shtetet perëndimore përpiqen të imponojnë vlerat e tyre me anë të ndihmës që japin apo kredive, duke vendosur kushte shumë strikte. Dhe nëse do ta krahasonim një situatë me Kinën, kjo e fundit nuk vendos asnjë kusht, thotë ai më tej.

Xu Peiyuan, një ekonomist i suksesshëm dhe një zëdhënës ekzekutiv i institutit, flet në lidhje me përfitimet e nismës “Një Rrip, Një Rrugë”. Ndër të tjera, ai citon një slogan nga Xi Jinping rreth Kinës, e cila po ndërton një “komunitet global me interes të përbashkët”.

Ai citon edhe disa zgjedhje të mundshme ideologjike që ai shpreson se partnerët e nismës “Një Rrip, Një Rrugë” do të bëjnë.

Këto përfshijnë trajtimin e të gjitha sistemeve politike si të barabarta dhe shmangie të “revolucioneve të ngjyrave”, që i drejtohet lëvizjeve prodemokratike që tronditën vende si Irani dhe Ukraina.

Të pyetur nëse nisma “Një Rrip, Një Rrugë” promovon qeverisjen kineze, të gjithë studentët pajtohen njëzëri me entuziazëm. Ajo do të prezantojë një model të ri në botë. Dhe ne jemi gati ta pranojmë këtë, shprehet z. Seneviratne.

 

Le ta analizojmë

Le ta fillojmë me paratë. Mund të jetë e vështirë të përcaktohen shifrat e sakta të nismës “Një Rrip, Një Rrugë”, pasi njoftimet në këtë drejtim kanë qenë të shumta, por ajo mbi të cilën nuk dyshon asnjeri është fakti se për këtë projekt, sigurisht që do të nevojiten shumë të mëdha parash. Banka Aziatike e Zhvillimit, një organizatë shumëpalëshe, vlerëson se kontinentit i duhen rreth 26 trilionë dollarë investimet në fushën e infrastrukturës midis viteve 2017 dhe 2030, në mënyrë që të ruhen normat e rritje së sotme dhe për t’u përshtatur me ndryshimet klimatike.

E parë në këtë kontekst, madhësia e investimeve kineze nuk sinjalizon në vetvete një plan për dominimin global. Por ajo që shkakton zemërim për sa i përket kësaj nisme është pikërisht efekti i saj në vendet më të dobëta.

Gjatë muaj mars të këtij viti, Qendra për Zhvillimin Global, publikoi një dokument ku rendiste tetë vendet që ndodhen në një situatë të vështirë se pasojë e nivelit të lartë të borxhit të akumuluar, për shkak të kreditimeve të dhëna ndaj iniciativës “Një Rrip, Një Rrugë”.

Ndërtimi i një autostrade në Malin e Zi përfaqëson mbi një të katërtën e PBB-së vjetore të këtij shteti. Ndërtimi i një hekurudhe ndërmjet Kinës dhe Laosit, e filluar në vitin 2016, mund të kushtojë ekuivalentin e gati gjysmës së PBB-së së Laosit. Dhe këto kredi nuk janë dhënë në formë bamirëse. Projekti AidData në Kolegjin e William & Mary, në Virxhinia të Shteteve të Bashkuara, zbuloi se rreth 354 miliardë dollarë ishin huazuar nga Kina përtej kufinjve të saj, gjatë periudhës 2000-2014. Rreth tre të katërtat e këtyre kredive ishin sipas normave të interesit të tregut.

Zyrtarët e administratës së Trump-it i kanë quajtur disa prej këtyre kredive kineze si “grabitqare”. Në një fjalim të mbajtur në Pekin në muajin prill, shefja e FMN-së, Christine Lagarde, ngriti shqetësime rreth këtij borxhi problematik dhe i kërkoi Kinës që të sigurohej që nisma “Një Rrip, Një Rrugë” të përfshinte vetëm ato vende ku ishte e nevojshme.

Frika ndaj mosshlyerjes së borxheve ka çuar në pezullimin e një pjese të madhe të projekteve të financuara nga kinezët si për shembull në Nepal, Mianmar dhe në Malajzi. Edhe qeveria e sapozgjedhur e Mahathir Mohamad-it, ndoqi të njëjtën linjë veprimi njësoj si qeveria paraardhëse, duke pezulluar projektet e nismës “Një Rrip, Një Rrugë”.

Këto përfshijnë një linjë hekurudhash me shpejtësi të lartë prej 700 km dhe tubacione të naftës me një vlerë totale prej 20 miliardë dollarësh. Në Pakistan, një prej miqve më të mirë të Kinës që prej shumë vitesh, dhe vendi ku filloi një prej projekteve më të mëdha ndërmjet këtyre dy shteteve, Korridori Ekonomik i Kinës dhe Pakistanit, janë vënë re reduktime të projekteve, pasi zyrtarët po vinin re një rritje të kredive të dhëna nga Kina gjatë muajve të fundit, me qëllim që ky shtet të mos i kërkonte ndihmë FMN-së.

Në Sri Lanka, shqetësimet rreth ndikimit në rritje të Kinës në politikën e brendshme të këtij shteti, ndihmuan në rrëzimin e qeverisë. Edhe gjenerali Bombugalage është i zhgënjyer që fokusi i Kinës ndaj infrastrukturës çoi në ndërtimin e një fushe futbolli dhe të një aeroporti shumë pak të përdorur pranë Hambantotas, rajonit të ish-Presidentit, fushata zgjedhore e të cilit gjithashtu përfitoi nga bujaria e Kinës.

Në vend të kësaj, ai do të kishte dashur ndërtimin e dy ose tre universiteteve, në mënyrë që Sri Lanka mund të ndërtojë një ekonomi të bazuar te dija, përndryshe nuk do të jetë kurrë një vend i qëndrueshëm. Projekti Reconnecting Asia në CSIS ka gjetur një diferencë të madhe midis projekteve të financuara nga bankat dhe fondet shtetërore kineze dhe atyre të financuara nga bankat shumëkombëshe të zhvillimit. Kur projektet ishin të financuara nga Kina, CSIS zbuloi se 89% e kontraktorëve ishin kompani kineze. Në të kundërt, kur projektet u financuan nga organizata shumëkombëshe, katër në dhjetë kontraktorë ishin vendas, më pak se një e treta ishin kineze dhe pjesa tjetër ishte nga vende të treta.

 

E mundshme edhe për eksport

Kina e di mjaft mirë se ka nevojë që të pastrojë imazhin e saj.

Liderët kinezë, në takimet me ata perëndimorë, kanë filluar të minimizojnë ambiciet e tyre për zgjerim global. Në vitin 2014, Kina ftoi qeveritë e huaja që të bëheshin pjesë e një Banke të Re Aziatike për Investime Infrastrukturore, një huadhënës shumëkombësh me seli në Pekin, i cili mori vlerësime të shumta, duke qenë se operonte sipas normave ndërkombëtare për çdo gjë, duke filluar nga tenderët publikë e deri te standardet mjedisore.

Në korrik, Financial Times raportoi se Banka kineze e Zhvillimit, një prej shtyllave kryesore të nismës, “Një Rrip, Një Rrugë”, po bashkëpunon në mënyrë aktive me institucionet perëndimore në huadhënien e përbashkët, sipas rregullave ndërkombëtare.

David Dollar, i cili shërbeu si i dërguari kryesor i Thesarit Amerikan në Kinë në vitet 2009-‘13, shprehet se ka një logjikë për disa kreditime në rritje. “Shumë vende kanë suficite tregtare me Kinën, sepse ato po shesin burime natyrore kineze. Pra huamarrja nga Kina ka kuptim, sipas tij.

Nëse iniciativa “Një Rrip, një Rrugë” ka të bëjë me ndërtimin e infrastrukturës dhe eksportimin e kapaciteteve të tepërta, Kina do të tregohet më e kujdesshme në kreditimin e risqeve të këqija. Por, “nëse kjo është kryesisht gjeostrategjike, atëherë [Kina] do të jetë e gatshme të marrë përsipër humbjet e mundshme”, thotë z. Dollar, tani pjesë e Institutit Brookings, në Uashington.

 

Rruga drejt Perandorisë

Në të vërtetë, nuk ka pasur kurrë një ndarje të zhdërvjellët midis fuqisë që e lejon një vend të krijojë dhe mbajë rrugët tregtare dhe fuqisë që duhet për të krijuar perandoritë. Termi “Rruga e Mëndafshit”, shumë i dashur nga udhëheqësit kinezë, u krijua në 1877 nga një gjeograf gjerman, Ferdinand von Richthofen (xhaxhai i “Baronit të Kuq”) për të përshkruar një varg rrugësh të lashta tregtare që ndërthurnin tregtinë, diplomacinë dhe pushtetin e ashpër.

Mëndafshi kinez ishte shumë popullor në Romë në kohën e Julius Caesar. Ai filloi të shndërrohej në një prej dhuratave më të shpeshta nga Kina drejt liderëve të shteteve vasale, përpara se të tregtohej nga ndërmjetës nga vende si India apo Irani. Disa rrugë tregtare ishin të mbrojtura nga garnizonet kineze.

 

Rruga e Mëndafshit, grushti i hekurt

Sipas një studimi nga Peter Cai nga Instituti australian Lowy, udhëheqësit kinezë kanë vendosur lidhje të qarta midis sigurisë kombëtare dhe projekteve të infrastrukturës “Një Rrip, Një Rrugë”. Studimi thekson gjithashtu edhe rolin e nismës “Një Rrip, Një Rrugë” në zhvillimin e Perëndimit të Kinës, duke përfshirë rajonin e Xinjiangut, ku miliona myslimanë të minoritetit Uighur jetojnë nën një shtypje të ashpër. Z. Cai citon Lu Shulin, një ish-ambasador kinez në Pakistan, duke bërë thirrje për përmirësimin e lidhjeve të transportit me Xinjiangin, si “ilaçi më i mirë” për të luftuar shkakun e vërtetë të terrorizmit, “domethënë varfërisë”. Korridori Ekonomik i Kinës dhe Pakistanit, një projekt shumë i madh, do të lidhë Xinjiangun me portin Gwadar të Pakistanit. Diplomatët europianë në Pekin vënë në dukje se Kina e quan nismën “Një Rrip, Një Rrugë” një “platformë” të hapur dhe shumëkombëshe, por e ka ndërtuar atë duke kërkuar me këmbëngulje memorandume dypalëshe të mirëkuptimit në 60 ose 70 vende, megjithëse të dërguarit raportuan se udhëheqësit kinezë kohët e fundit nuk u kanë kërkuar qeverive të tjera të nënshkruajnë dokumente të tilla. Disa vende të Europës Perëndimore refuzuan, ndërsa ato vende që kanë nënshkruar janë përshëndetur si anëtarë të kësaj nisme.

“Por anëtarët të kujt tek e fundit, sepse nuk ka asgjë të publikuar dhe mbi të gjitha nuk ka asnjë parim të përcaktuar mbi të cilin do të zhvillohet kjo iniciativë, gjithçka është përcaktuar në Pekin”, thotë një diplomat europian. BE-ja i ka kërkuar Kinës të vendosë rregulla mbi transparencën, standardet e punës, qëndrueshmërinë e borxhit dhe proceset e hapura të prokurimit. Paratë e shpenzuara për ndërtimin e fabrikave të qymyrgurit, veçanërisht në Pakistan, janë një shqetësim tjetër shumë i madh.

Në prill, Handelsblatt, një gazetë gjermane zbuloi se 27 nga 28 ambasadorë të BE-së në Pekin kishin nënshkruar një raport ku e përcaktojnë nismën “Një Rrip, Një Rrugë” një sfidë ndaj rregullave të tregtisë së lirë dhe një lehtësim për kompanitë e subvencionuara kineze. Hungaria joliberale hezitoi.

Mënyra sesi Kina po mundohet që të tërheqë drejt vetes së saj shtete të caktuara europiane nëpërmjet skemave të infrastrukturës dhe tarifave të ulëta në porte të caktuara, i bëjnë disa politikanë europianë të mendojnë se nisma “Një Rrip, Një Rrugë”, është një komplot i mirëmenduar për të ndarë BE-në.

Greqia, e cila shiti shumicën e aksioneve të portit të saj kryesor të Pireut tek COSCO, një gjigant kinez i anijeve, për 281 milionë euro (312.5 milionë dollarë amerikanë) në 2016, ka bllokuar BE-në nga pozicionet e unifikuara në ndërtimin e garnizonit kinez në Detin e Kinës Jugore.

Megjithatë, sipas diplomatit europian, lëvizja mund të jetë edhe thjesht një mënyrë për ta vendosur Europën nën vullnetin e Kinës, dhe jo për ta ndarë atë. Ndryshe nga Rusia, Kina nuk ka interes ta shohë BE-në të shpërbëhet, thotë ai.

Diplomatët perëndimorë dhe liderët e biznesit e shohin Kinën duke sfiduar monopolin e Perëndimit në drejtim të vendosjes së standardeve dhe rregullave të përbashkëta teknike.

 

Realizimi i ëndrrës së Xi Jinping

Disa i shohin ambicie të tilla në gjykatat e arbitrazhit që Kina është duke krijuar për të dëgjuar mosmarrëveshjet ndërkufitare të shkaktuara nga nisma “Një Rrip, Një Rrugë”, një lëvizje që ka alarmuar Uashingtonin, Brukselin dhe kryeqytete të tjera. UnionPay, një rivale kineze e Visa dhe MasterCard, po përdor nismën “Një Rrip, Një Rrugë”, për të konfirmuar pozicionin e tij në tregun e pagesave dhe debitit në Afrikë.

Edhe shumë vepra të tjera infrastrukturore të Afrikës janë riemëruar si skema të nismës “Një Rrip, Një Rrugë”, edhe pse ato ishin planifikuar që vite më parë. Asnjë qeveri e huaj nuk sugjeron që Kina duhet të mbetet përgjithmonë një shtet që të zbatojë rregullat. Të shumtë janë kinezët që, me të drejtë, ndihen krenarë për atë që simbolizon iniciativa “Një Rrip, Një Rrugë”, si një mundësi për të ndarë ekspertizën kineze me botën, dhe këtu mjafton vetëm të pyesni turistët vendas që rrinë në Xiamen, një qytet port i pasur prej 3.5 milionë banorësh.

Fujian, provinca në të cilën ajo ndodhet, ka qenë një qendër tregtare në të cilën anijet arabe dhe ato të dinastisë Song importonin dhe eksportonin këtu bimë aromatike, çaj dhe enë të ndryshme porcelani. Gjatë dinastisë së vonë Qing, luftanijet europiane e hapën portin e Xiamenin edhe për të huajt. Një ishull i mbushur me shtëpitë të kolonizuara të shekullit të 19 të tregtarëve dhe konsujve perëndimorë tërheq miliona turistë kinezë çdo vit. Në një muze që ndodhet këtu tregohet lidhja që ky vend kishte me botën e jashtme, gjithashtu këtu kishte edhe një shërbim doganor që drejtohej nga inspektorët britanikë. Sot, marrëdhëniet e Xiamen me botën jashtë, janë krejt të kundërta. Qyteti zyrtarisht është një provincë “në shërbim të Rrugës Detare të Mëndafshit. Ajo ka në plan të eksportojë teknologjinë dhe të trajnojë zyrtarët e huaj”.

Një ndër specialitetet kineze është softueri i sigurisë kibernetike që kritikët e quajnë “autokracia në një kuti”. Ru Peng, drejtor i Komisionit për Zhvillimin dhe Reformat në Xiamen dhe kreu i zyrës së nismës “Një Rrip, Një Rrugë”, e përshëndet Meiya Pico, një firmë lokale e specializuar në sigurinë kibernetike, pajisjet e së cilës, i lejojnë policisë dhe shërbimeve të sigurisë të zbulojnë fjalëkalime të ndryshme. Meiya Pico eksporton pajisjet e saj në mbarë botën dhe trajnon policinë e huaj për vende si Mianmar, Laosi dhe Vietnami.

Iniciativa kineze “Një Rrip, Një Rrugë” nuk është ende një sfidë ndaj rregullave të përcaktuara. Ajo është më tepër si një formë testi.

Herët ose vonë, nisma do të këtë nevojë edhe për para të shteteve të tjera, duke u siguruar në këtë mënyrë të huajve me shumë fuqi negociuese. Qeveritë perëndimore mund të punojnë brenda kësaj iniciative për ta bërë atë më të mirë.

Ose Perëndimi mund të konkurrojë, duke vënë në dukje meritat e një mënyrë të modernizuar perëndimore. Perëndimi duhet të bëjë shumë më shumë se sa thjesht t’i këshillojë vendeve të varfra që të mos pranojnë hua nga Kina. Ai të paktën duhet t’i ndihmojë vendet e nismës “Një Rrip, Një rrugë” që t’i vlerësojnë sa më mirë skemat dhe t’u tregojë atyre se si të fitojnë sa më shumë nga transparenca, standardet e larta dhe nënshkrimi i kontratave zyrtare. Nëse Perëndimi i frikësohet një rendi kinez, qeveritë e saj kanë zgjedhje. Nuk ka asnjë arsye pse nisma “Një Rrip, Një Rrugë” e Kinës të jenë opsioni i vetëm në botë.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz