Kodi i ri hekurudhor që po diskutohet në Kuvend parashikon liberalizimin e shërbimit, futjen në ‘skenë’ të operatorëve privatë. Pritet që ky rregullim ligjor të shërbejë si nxitje për gjallërimin e sektorit. Kostot e larta të mirëmbajtjes, kërkesa për investime të reja, si dhe mungesa e elektrifikimit janë ndër problemet më të mëdha
Ndër vite, hekurudha shqiptare ka vuajtur mungesën e investimeve të rëndësishme, gjë e cila e ka çuar drejt rrënimit të vazhdueshëm në dekadën e fundit. Ky sektor është më pak i zhvilluari dhe më pak tërheqësi në Ballkanin Perëndimor (së bashku me atë të Kosovës). Me një gjatësi prej 420 kilometrash, ky rrjet u ndërtua kryesisht për t’i shërbyer industrisë. Për ta risjellë në jetë dhe për ta bërë sërish konkurrues, duhen miliona euro që mungojnë. Ato 1 milion euro që janë për vitin 2016 nuk mjaftojnë as për të ‘mbajtur frymën gjallë’.
Megjithatë, në fund të tunelit, duket se po shihet një dritë. Për herë të parë, Hekurudha Shqiptare ka një projekt ndërtimi dhe rikonstruksioni siç është ajo Tiranë – Durrës – Rinas, kostoja e së cilës llogaritet në rreth 81.5 milionë euro, nga të cilat 44% ose 35.4 milionë euro do të akordohen nga BERZH dhe pjesa tjetër, kredi që do të paguhet nga qeveria shqiptare. Projekti do të konsistojë në rikonstruksionin e segmentit ekzistues mes Tiranës dhe Durrësit, si dhe me ndërtimin e ri të pjesës që do të lidhet me Rinasin. Ky segment ka një gjatësi prej 50 km, ndërsa kostoja llogaritet në rreth 50 milionë euro.
Për këtë projekt, sipas grupit të punës që është ngritur pritet që në muajin tetor të këtij viti të shpallet tenderi ndërkombëtar, ndërsa do të ketë një dëgjesë publike me ekspertë në fund të muajit shtator.
Studimi i fizibilitetit ka treguar se ndërtimi i segmentit Tiranë – Durrës – Rinas do të zgjasë mbi 3 vjet. Parashikohet që të transportohen në vit rreth 1.4 milionë pasagjerë. Kjo nisur edhe nga fakti që në zonën industriale Tiranë – Durrës realizohet edhe pjesa më e madhe e aktivitetit ekonomik.
Gjithashtu parashikohet që gjatë fazës së ndërtimit, të angazhohen rreth 1,375 punonjës direkt dhe indirekt, ndërsa gjatë fazës së operimit, numri do të arrijë në rreth 2,200 punonjës.
Një tjetër përfitim ka të bëjë me reduktimin e kostove për Hekurudhën Shqiptare, që llogaritet në rreth 60 milionë euro, nisur nga niveli i amortizimit që kjo linjë paraqet sot.
Gjithashtu është përllogaritur vlera e kursimit nga qytetarët, që do të jenë në nivel 55 milionë euro në vit.
Ndihmesë (që nuk është përfshirë në këtë studim) do të ofrojë edhe sa i përket sigurisë, duke qenë se njerëzit do të tentojnë të qarkullojnë më shumë përmes kësaj linje.
Nga ana tjetër, do të ulet frekuentimi i autostradës rrugore Tiranë – Durrës, ku sot qarkullojnë rreth 20,000 mjete në ditë, gjë e cila do të shoqërohet me reduktim të kostove të mirëmbajtjes.
Por, projekte të tilla të rëndësishme që do të zbatojnë një teknologji moderne do të kërkojnë menaxhim dhe mirëmbajtje.
Në lojë, në këtë rast, do të futet edhe sektori privat, përmes Partneritetit Publik Privat. Kësaj do t’i shërbejë edhe Kodi i ri Hekurudhor që po diskutohet në Kuvend
Kodi i ri i hap rrugë liberalizimit
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka bërë një punë voluminoze dhe ka përfunduar hartimin për herë të parë të Kodit të Hekurudhor në Republikën e Shqipërisë.
Ky projektligj do të mundësojë krijimin e kushteve për të liberalizuar shërbimin hekurudhor. Aktualisht, me koncesion janë dhënë dy linja Fier– Ballsh dhe Fier–Vlorë.
Në relacion thuhet: “Kjo nismë ligjore synon përgjigjen ndaj sfidave mbi bazë të drejtë, jodiskriminuese dhe transparente, që ka aktualisht sistemi hekurudhor shqiptar, me:
-rivitalizimin e sektorit të transportit hekurudhor dhe hapjen e tregut hekurudhor;
-krijimin e kushteve të kërkuara për ndarjen dhe ristrukturimin në drejtimin, administrimin e subjekteve në sektorin e transportit hekurudhor;
-krijimin e autoriteteve kombëtare në sektorin hekurudhor dhe zbatimin e përforcimin e reformës së sektorit hekurudhor në Shqipëri.
Operatorëve privatë, qofshin vendas apo të huaj, do t’u jepet mundësia që të shfrytëzojnë linjat hekurudhore kundrejt detyrimeve që do të përcaktohen më pas me akte nënligjore. Këto kompani, thonë të njëjtat burime, mund të bëjnë të mundur sjelljen e trenave të standardeve të larta dhe të bëjnë menaxhimin e transportit të udhëtarëve për segmente të ndryshme kundrejt tarifave të ndryshme.
Nga ana tjetër mund të shihet mundësia që të jepet me Partneritet Publik Privat menaxhimi i disa segmenteve, ndërsa për ato që janë dhënë me koncesion do të shihen modalitetet e reja. Projektligji parashikon edhe formimin një enti rregullator për hekurudhat brenda Autoritetit të Konkurrencës, si dhe krijimin e enteve të sigurisë për mbrojtjen e trafikut hekurudhor. Qeveria shqiptare parashikon që, deri në vitin 2020, të bëjë të mundur të arrihet pesëfishimi i volumit të udhëtarëve dhe dyfishimi i transportit të mallrave përmes rindërtimit të linjave ekzistuese.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.