Ndryshe nga një vit më parë, tregtarët vendas iu janë bindur sfidave botërore, duke zgjedhur të eksportojnë më shumë në rajonin e Ballkanit. Këtë vit, eksportet janë rritur më shumë se dy herë
Tregje të ndryshme botërore tkurren rreth vetes sa herë ka vështirësi ekonomike. Deri një vit më parë, ky fenomen nuk po vihej re për Shqipërinë, kur eksport-importet në rajonin e Ballkanit nuk shënonin ndonjë rritje të dukshme. Por këtë vit, gjatë 9-mujorit, tregtia e lirë në Ballkan është shfrytëzuar shumë më tepër nga eksportuesit shqiptarë.
Sipas të dhënave doganore, në gjashtë vendet fqinje të rajonit të Ballkanit, eksportet arritën 15.6 miliardë lekë, duke u rritur rreth 216% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndikimin më të madh në rritje vlerësohet ta kenë dhënë eksportet e shtuara të naftës në Kosovë, ndërsa prodhimet bujqësore kanë shtuar praninë e tyre në të gjitha këto tregje. E njëjta tendencë nuk duket në importet tona nga rajoni. Të dhënat e tregtisë flasin për ulje prej 2.2% të vlerës së importit krahasuar me nëntëmujorin e vitit 2014.
Në total, tregtia e lirë me rajonin u rrit rreth 30%, ndërsa deficiti u përmirësua katër herë, duke zbritur nga 11.6 miliardë lekë në 9-mujorin 2014 në vetëm 2.9 miliardë lekë 9-mujorin e këtij viti. Dyfishimi i eksporteve në rajon, ndërsa në total eksportet ranë 3.7%, bëri që pesha e Ballkanit në eksporte të rritet me rreth 2 pikë përqindje, duke kaluar nga 7% në 9% këtë vit. Në importe, pesha e Ballkanit shënoi ulje me 3 pikë përqindje, duke zbritur nga 13% në 10%. Ulja erdhi për shkak të rritjes së importeve në total, ndërsa importet nga Ballkani ishin shumë pak më të ulëta nga një vit më parë
Kryeson Serbia
Serbia prej vitesh ka kryesuar në tregtinë tonë rajonale, por këtë vit ka përforcuar më tej pozitat tregtare. Pesha e saj në importe u rrit gati 5 pikë përqindje, duke arritur në 65% të importeve që ne marrim nga Ballkani. Me ritme më të ulëta u rritën eksportet tona drejt këtij tregu, por gjithsesi kanë bërë që Serbia të jetë destinacioni i dytë, pas tregut kosovar.
Kryesojnë eksportet në Kosovë (2015)
Pavarësisht problemeve historike mes lobeve të tregtisë të krijuara në rajon, të cilat kanë mbetur të dukshme në pjesën Shqipëri-Kosovë, tregtarët vlerësojnë se ka pasur përmirësim të kushteve të tregut për një grup të kufizuar mallrash. Prej vitesh në këtë treg kanë kryesuar eksportet e materialeve të ndërtimit (hekur e çimento).
Dy vitet e fundit, këto produkte janë zëvendësuar dukshëm me lëndë djegëse e prodhime agroushqimore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.