Në komisionin e Ekonomisë dhe të Financave u miratua sot shtesa në ligjin nr.32 për tatimin mbi vlerën e shtuar sipas të cilës shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar, e cila aplikohet për furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese, sipas kategorive të përcaktuara në legjislacionin e fushës së turizmit, është 6 për qind.
Deri tani akomodimi në struktura akomoduese është trajtuar me TVSH 20%.
Sipas Ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, ligji do të sjellë formalizimin në sektorin e turizmit, ku një masë e madhe shërbimesh janë informale.
Me uljen e normës së TVSh-së pritet që të rriten numri i turistëve në vend, të ardhurat nga të cilët përllogariten rreth 1.5 miliardë euro.
Efektet negative që vijnë si pasojë e uljes së normës së TVSh-së, sipas ministrit Ahmetaj do të reduktohen nga rritja e bazës së taksueshme, që është një objektiv i përhershëm. Me anë të këtij ligji pritet që së bashku me rritjen e formalizimit të sektorit, të rritet edhe punësimi.
Projektligji propozon aplikimin e shkallës së reduktuar të TVSH-së në për akomodimin në strukturat akomoduese, sipas kategorive të përcaktuara në legjislacionin e fushës së turizmit, konkretisht në masën 6%. Neni 43, i ligjit 2 nr.93/2015, “Për Turizimin” përcakton se strukturat akomoduese do të përfshijnë kategoritë si më poshtë: a) “Bujtinë”; b) “Fjetinë” (Hostel); c) “Kamping”; ç) “Hotel”; d) “Motel”; dh) “Resort”; e) “Qendër kurative”; ë) “Fjetje dhe mëngjes” (B&B).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.