Fabrika e teknologjisë së lartë e Adidas kthen përsëri prodhimin në Gjermani. Të prodhosh atletet me anë të robotëve dhe printimeve 3D
Prapa dyerve të mbyllura në qytetin bavarez të Ansbach, një fabrikë e re po merr formë. Do të përdorë robotët dhe teknikat e reja të prodhimit, siç është printimi 3D që nuk janë surprizë në Gjermani, që e ka mbajtur bazën prodhuese nëpërmjet inxhinierisë inovative. Çfarë është e veçantë për këtë fabrikë është se nuk do të prodhojë makina, avionë apo pajisje elektronike, por atlete dhe këpucë të tjera sportive, një industri me një xhiro vjetore 80 miliardë dollarë është zhvendosur kryesisht në Kinë, Indonezi dhe Vietnam. Duke e risjellë prodhimin në vend, kjo fabrikë do të rikrijojë një industri.
Kjo fabrikë i përket Adidas-it, një gjigant i prodhimit të materialeve dhe të mirave sportive dhe po ndërtohet nga Oechsler Motion, një firmë lokale që prodhon pajisjet prodhuese të fabrikave. Prodhimi parashikohet të fillojë në mesin 2017-s, fillimisht me ritëm të ngadaltë dhe më vonë prodhimi do të arrijë deri në 500 mijë palë këpucë sportive në vit. Adidas ka parashikuar ndërtimin e një fabrike të dytë në Atlanta për tregun amerikan. Nëse çdo gjë shkon mirë, do të hapet dhe diku tjetër. Shifrat janë të vogla për një kompani që prodhon rreth 300 milionë palë këpucë sportive. Adidas është i bindur që fabrika do të ndihmojë që të transformohet mënyra se si atletet prodhohen. Teknikat mund të adaptohen edhe në fabrikat e tjera të prodhimit të atleteve në Azi, ku kërkesa për veshje sportive dhe të përditshme është rritur së bashku me mirëqenien e konsumatorëve.
Punë të caktuara kërkojnë aftësi artizanale, të cilat sa vijnë e po bëhen më të rralla.
Aktualisht, atletet prodhohen kryesisht manualisht në fabrikat gjigante, zakonisht në vendet aziatike, me njerëzit që bëjnë bashkë pjesët përbërëse të atleteve apo që iu japin formën. Rritja e mirëqenies në rajon do të thotë se kostot aktuale të punës me dorë që nënkontraktohet në rajon po rritet. Mungesa e krahut të punës vazhdon.
Motivimi i Adidas-it, megjithatë, shkon përtej kostove të punës. Njerëzit kërkojnë këpucë të modës menjëherë, por zinxhiri i ofertës vazhdon të ketë vështirësi. Mënyra se si operon biznesi ynë është me shumë mundësi e kundërta e asaj çka dëshiron konsumatori, tha Gerd Manzm, shefi i teknologjisë dhe inovacionit i Adidas.
Nga skica e parë e një modeli komplet të ri atletesh dhe deri tek krijimi i prototipeve provë, dërgimi i kampioneve provë, përshtatja në kompani, prodhimi dhe dërgesa e mallrave të përfunduar mund të kërkojë për industrinë më shumë se 18 muaj. Megjithatë rreth tre të katërtat e atleteve të reja janë tashmë në shitje për më pak se një vit. Një porosi që të plotësojë një dizajn ekzistues kërkon të paktën dy deri në tre muaj për të mbërritur në rafte, vetëm në rast se këpucët sportive transportohen me anë të kontejnerëve por me një kosto shumë të madhe.
Ndjekja e gjurmëve…
Fabrika mund të shkurtojë zinxhirin e furnizimit, si dhe kohën për në dyqan, në më pak se një javë, ndoshta dhe në vetëm një ditë, sapo të ketë përfunduar dizajni i atleteve. Procesi i dizajnit vetë është në mënyrë dixhitale. Atletet jo vetëm dizajnohen në ekranin e kompjuterit por edhe njëkohësisht testohen në lidhje me parametrat dhe performancën. Për të përforcuar procesin, fabrika do të ketë një binjakëzim dixhital, një kompjuter virtual, në të cilën prodhimi i atleteve të reja mund të stimulohet. Pasi të ketë përfunduar gjithçka, produkti dixhital do të zhvendoset në sistemin fizik të prodhimit.
Adidas pretendon se sistemi i tij i ri i prodhimit është ekstremisht i shpejtë dhe shumë fleksibël. Detajet për momentin po mbahen të fshehta. Ajo çfarë dihet gjithsesi, është në vend të përbërësve të porosisë që duhet të bashkohen për të nxjerrë një palë atlete të reja, fabrika do t’i prodhojë vetë pjesët nga materialet e papërpunuara siç është plastika, fibrat apo të tjera substanca bazike. Makineritë përgjegjëse për këtë punë do të jenë tepër të automatizuara dhe do të përdorin procese siç është thurja e automatizuar, prerja robotike dhe prodhimi i shtuar, që përfshin ndërtimin e formave shtresë pas shtrese. Makineritë industriale të printimit 3D po shfaqen në forma të ndryshme dhe janë në gjendje të merren me një varietet të shtuar materialesh. Drejtuar nga software-t, robotët, makineritë thurrëse dhe printerët 3D marrin instruksionet direkt nga programi dizajn në kompjuter, kështu që ata mund të ndryshojnë prodhimin nga një gjë në një tjetër me shpejtësi, pa iu dashur të ndërpresin prodhimin, e cila mund të përllogaritet në disa ditë në mënyrë që të përshtatet makineria tradicionale dhe të udhëzohen punëtorët.
Jo çdo punë në fabrikë do të jetë e automatizuar. Robotët mund të jenë të ngadaltë dhe më pak të saktë në disa detyra siç është formësimi final i këpucëve. Kështu që secila fabrikë do të krijojë 160 vende pune në prodhim, krahasuar me mijëra të punësuar në një fabrikë tipike në Azi. Funksionet e reja do të kërkojnë më tepër aftësi. Adidas-i kërkon që ky projekt i ri të plotësojë veprimtarinë në Azi, jo të konkurrojë me të. Por, me zgjerimin e prodhimit të zhvilluar, nevoja për ushtri me punëtorë krahu në fabrikat aziatike padyshim që do të zvogëlohet.
Adhuruesit e atleteve ka gjasa që do ta miratojnë. Kjo do të çojë në produkte që do të duken dhe do të performojnë ndryshe, thotë zoti Manz. Prodhimi do të jetë më i personalizuar, ndoshta dhe me prodhimin e personalizuar të atleteve me anë të skanimit kompjuterik të mënyrës se si një njeri vrapon apo ecën.
Në një treg konkurrues, një gjë është e sigurt, rivali i Adidas-it, Nike nuk do të qëndrojë duarkryq. Kompania amerikane përballet me kosto të shtuara në Azi dhe është njësoj i prirë që të shkurtojë kohën e dërgimit të produkteve të reja në treg.