Tregu i kuajve të vrapimit është në rritje dhe në zgjerim të vazhdueshëm. Përveç Europës dhe Amerikës së Veriut, sporti i kafshëve me katër këmbë po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje, edhe në tregje si Azia, Rusia dhe Amerika e Jugut. Ekspertët thonë se kuajt e mirë të vrapimit shpesh kanë një kthim investimi që shkon deri në 10%, megjithatë duhet të bëhet kujdes sepse nuk është një sektor i lehtë.
A mund të kthehen në një investim fitimprurës?
Kuajt e vrapimit përcjellin elegancë, dinamikë dhe një bashkëveprim të rafinuar mes njeriut dhe kafshës. Por, në një kohë kur investimi është kthyer në një sfidë të vërtetë, a mund të përbëjë ky një avantazh? Ekspertët e pohojnë këtë gjë, madje ata shkojnë më tej dhe parashikojnë se kjo është periudhë më e mirë. Nëse një dekadë më parë ky ishte një sport ekskluziv për Europën dhe Amerikën e Veriut, tashmë po luhet gjithnjë e më shumë edhe në Lindjen e Mesme, Azi, Rusi dhe Amerikën Latine. Në të njëjtën kohë po pakësohen edhe mbarështuesit e stallave të mëdha në Gjermani, Vendet e Ulëta, Francë, etj. Në të ardhmen, ekspertët thonë se oferta do të pakësohet përballë një kërkese më të lartë, e cila do të shoqërohet me rritje çmimesh për kuajt e garave me shumë përvojë.
Nuk mungojnë edhe rreziqet
Ekspertët e kuajve sportivë nuk e mohojnë faktin se investimi në këto kafshë shoqërohet me rreziqe, pasi mund të lëndohen dhe të sëmuren. Në varësi të karakteristikave të kafshës do të kërkohet edhe gatishmëria dhe impenjimi që me kalimin e kohës mund të reduktohet. Në tërësi rreziqet mund të menaxhohen. Ekspertët thonë se një specialist është në gjendje që të zbulojë me kalimin e kohës ndryshimet që mund të shfaqen te një kalë dhe të marrë masat e duhura. Tek investimet e tjera, aksionerët jo gjithmonë kanë fuqi që të ndërhyjnë dhe për këtë mund të luajnë rol pasiv. Në rastin e kuajve, aksidentet dhe lëndimet mund të mbulohen nga sigurimi.
Rendimenti llogaritet nga 10-300%
Deri tani, Fondi Ndërkombëtar i Investimit të Kuajve të Vrapimit (Equi Future Champions, EFC), që menaxhohet nga Holger Hetzel, ka arritur të tejkalojë rendimentin vjetor prej 10%. Sipas tij, tregu është në zgjerim të vazhdueshëm. Në vitin e fundit janë realizuar një sërë investimesh në këtë industri, që kanë rezultuar me kthim rendimenti nga 10-300%. Natyrisht, ka edhe raste dështimesh.
Ekspertët thonë se përpara sesa të merret një investim i tillë duhet që investitori t’i drejtohet për këshillim personave të kualifikuar.
Këta persona duhet të jenë kompetentë, të besueshëm dhe duhet të përcaktojnë nëse do të investohet vetëm në një kalë apo në disa të tillë. Një shembull i këtij modeli është ai i BBDL Baumann & Partner në Luksemburg, i ndërtuar dy vjet më parë. Sot, fondi zotëron një numër të madh kuajsh. Drejtuesit e “nuhatën” me kohë tregun dhe i besuan atij, duke realizuar shitje dhe rendimente shumë të mira.
Kuajt mund të kushtojnë deri në 6 milionë franga zviceranë (4.9 milionë euro)
Shuma të tilla marramendëse paguhen për ata kuaj vrapimi, që kanë cilësi të lartë dhe stërviten për të garat e mëdha të hipizmit, çmimet e të cilëve luhaten nga 350,000 – 1.2 milionë franga. Për të marrë pjesë në këto gara duhet që kuajt të jenë të kategorisë së parë, si dhe objekt i kërkimeve të mprehta.
Kuajt, që mund të përdoren menjëherë për këtë nivel, kushtojnë zakonisht nga 600,000 – 6 milionë franga zviceranë. “Insider” bën me dije se kali “Wallach Palloubet d’Halong”, që u shit në vjeshtën e kaluar nga zvicerani Georg Kähny, kapi shifrën astronomike 13.5 milionë franga zvicerane. Blerësi i tij ishte holandezi Jan Tops dhe duket se nuk do të jetë i vetmi që do të ndërmarrë një investim me dy shifra. Ekspertët thonë se dhjetë vjet më parë shitja e një kali me një shifër me gjashtë zero përbënte lajm të faqeve të para, ndërsa sot kalon pa shumë bujë. Blerësit potencialë të kuajve preferojnë që kafsha të ketë moshën nga 4-8 vjeç. Një kalë i ri ka kosto të lartë dhe duhet të stërvitet, që t’i rritet vlera. Të mos harrojmë se te kuajt e kësaj moshe mund të identifikohen shumë faktorë që përcaktojnë kuotimet, ndërkohë që kjo nuk ndodh me një kalë të moshës 1-3 vjeç.
Shpenzimet e mirëmbajtjes llogariten në 24,000 franga zvicerane
Pavarësisht kushteve të favorshme të tregut, vlera e një kali vrapues nuk rritet vetvetiu. Pas rendimentit, fshihet puna e palodhur e shumë personave, gjë që shpjegon edhe koston e lartë të mbajtjes së tyre. Kostot llogariten 18,000–24,000 franga zvicerane, por ky është një investim, i cili mund të përballohet vetëm nga njerëzit e pasur. Megjithatë, ekspertët thonë se edhe personat me të ardhura të mesme mund të investojnë në këtë sektor, ndoshta në një fond apo në një kalë të vetëm. Është një model që haset edhe në botën e futbollit. Nuk është e rastësishme që shitja e një lojtari vë në lëvizje shoqëri, sponsorë, investitorë privatë, etj. Ndryshe ndodh me kuajt e vrapimit të nivelit të mesëm, me të cilët mund të fitohen para vetëm në raste të jashtëzakonshme. Për momentin, ky segment i tregut është në stanjacion, pa përmendur kostot e mirëmbajtjes, që janë të larta dhe të ngjashme me ato të kuajve të racës.
Faktorët që përcaktojnë vlerën e një kali vrapimi
– pamja e jashtme
– mënyra e vrapimit
– kalërimi nga njëra pengesë në tjetrën
– sjellja (ambicia, aftësia, toleranca ndaj stresit)
– suksesi në gara
– gjendja shëndetësore
Faktorët që mund të rrisin vlerën e shitjeve
– Blerja e rregullt
– Mbajtja e duhur
– Përgatitja nga personat e specializuar
– Rezultatet e mira në konkurse
– Aksesi për shitje në tregjet ndërkombëtare