SHBA-Kinë: Sy për sy e dhëmbë për dhëmbë

20/04/2018 10:02 PM 0 komente

Merr formë lufta tregtare mes Amerikës dhe Kinës. Të dyja vendet kërcënojnë se do të kalojnë në një sërë hakmarrjesh të fshehta

 

Bisedimet e fundit mbi vënien e tarifave rrezikojnë që të shndërrohen në klithmat e para të një lufte tregtare mes Kinës dhe Amerikës, shkruan The Economist. Më 3 prill, Amerika publikoi një listë me rreth 1,300 produkte kineze, mbi të cilat do të vendosë një tarifë prej 25%. Vetëm disa ditë më pas, Kina si kundërpërgjigje ndaj lëvizje së Amerikës, publikoi listën e saj, ku përfshiheshin 106 kategori produktesh. Ashtu siç edhe shprehja kineze thotë: “Reciprociteti është një mënyrë e sjellshme për të vepruar” tha në një deklaratë për shtyp ambasada kineze në Uashington, DC.
Sipas Institutit Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare, lista e publikuar nga Amerika përfshin produktet kineze me vlerë 46 miliardë dollarë në 2017 (9% e totalit të mallrave të eksportuara gjatë atij viti në Amerikë).

Ndërsa lista e Kinës përfshin produkte amerikane me vlerë rreth 50 miliardë dollarë në vitin 2017 (38% e eksporteve). Këto vlera ishin më se të mjaftueshme për të shkaktuar tronditje në tregjet e bursës gjatë asaj jave, ku indeksi i aksioneve S&P humbi mjaft pikë.
Për momentin, listat e të dyja vendeve nuk janë asgjë më shumë sesa thjesht kërcënime.

Gjatë dy muajve të ardhshëm, lista e produkteve të publikuara nga Amerika do të jetë e hapur për konsultime publike (nuk ka një afat të caktuar për hyrjen në fuqi të tarifave). Kina është shprehur se do të presë që Amerika të bëjë lëvizjen e para, por ekziston ende mundësia që të dyja palët të zgjedhin nënshkrimin e një marrëveshje sesa zhvillimin e një luftë tregtare.

Edhe pse lista e Amerikës u hartua menjëherë si një kundërpërgjigje ndaj vjedhjes së supozuar të Kinës mbi pronësinë intelektuale të firmave amerikane, Trump e konsideron deficitin tregtar me Kinën si një fyerje të rëndë. Tarifat ende mund të shmangen nga Kina, duke rënë dakord që ajo të blejë më shumë produkte amerikane.Por kjo përleshje ndërmjet këtyre dy shteteve nuk është e vetmja. Më 23 mars, Amerika vendosi tarifa mbi importin e çelikut dhe aluminit për disa vende, duke përfshirë këtu edhe Kinën.

Kjo bëri që tarifat të mbulonin rreth 3 miliardë dollarë amerikanë të eksporteve amerikane në Kinë. Një hakmarrje më e madhe pritet të vijë, pasi kinezët reagojnë duke ndarë tarifat amerikane mbi panelet diellore dhe makinat larëse. Analistët e tregtisë kanë përparësi ndaj atyre që studiojnë luftërat ushtarake. Secila palë, gjatë një mosmarrëveshje tregtare, nxjerr në pah në mënyrë të detajuar produktet që do të preken më shumë. Kjo e bën më të lehtë për të analizuar strategjitë e tyre.

Tarifat e z. Trump mbi çelikun dhe aluminin duket të jenë të pamenduara dhe të papërpunuara mirë. Ato janë thjesht një përpjekje për të mbrojtur një industri të vetme, duke bllokuar konkurrencën e huaj, të udhëhequr nga një besim i gabuar se kjo mënyrë të vepruari do ta mbrojë atë dhe do ta bëjë më të fortë.

Në të kundërt, hakmarrja e Kinës dhe kërcënimet e fundit amerikane mbi pronën intelektuale janë më të sofistikuara. Në vend që të mbrojnë një industri të vetme, ato kanë për qëllim që të nxisin një partner tregtar që të ndryshojë sjelljen e tij. Ato janë mjete dhe jo qëllime. Hartimi i listës amerikane ka për qëllim të godasë produktet që përfitojnë nga politika industriale e Kinës, duke përfshirë planin e saj “Made in China 2025” për të dominuar sektorë të caktuar strategjikë. Robotët industrialë, motorët për automjetet elektrike dhe gjysmëpërçuesit janë të gjitha në qendër të vëmendjes së saj.

Kjo mund të duket e drejtë në sytë e z. Trump. Por burokratët që krijojnë politikat e mbrojtjes së tregut po përballen me një formë kompromisi ndërmjet goditjes që duhet t’i japin vendit tjetër dhe mbrojtjes së konsumatorëve të tyre. Disa produkte të cilësuara si ofenduese hoqën nga lista e produkteve të publikuara nga Amerika, pasi analistët e qeverisë i identifikuan si faktorë të mundshëm për të “shkaktuar një bllokim të ekonomisë” ose si “subjekt i kufizimeve ligjore ose administrative”.

Zgjedhja përfundimtare mori në konsideratë mundësinë e zëvendësimit të tyre nga vende të tjera. Analistët e bankës Goldman Sachs, vlerësuan se nga produktet e propozuara për t’u tarifuar, vetëm rreth 20% e importeve të Amerikës në 2017-n erdhën nga Kina (ku pjesën më të madhe e zënë produkte të teknologjisë LED, si televizorë, printerë dhe makineri për fotokopje).

 

Elementi befasues

Disa pjesë të strategjisë amerikane erdhën në mënyrë të papritur. Minimizimi i pengesave ndaj bizneseve nënkupton vendosjen e këtyre tarifave mbi mallrat e gatshme dhe jo inputet e tyre. Disa kompani nuk mund ta kuptojnë se furnizuesit e tyre po blejnë nga Kina, kështu që kostot më të larta për mallrat e ndërmjetme mund të kalojnë përgjatë zinxhirëve të furnizimit në mënyra të paparashikueshme. Çmimet më të shtrenjta mund t’i bëjnë prodhuesit amerikanë më pak konkurrues se rivalët e huaj.
Megjithatë, edhe pse dy kategoritë më të mëdha të produkteve të tarifuara ishin televizionet me ngjyra dhe automjetet e pasagjerëve, produktet e konsumit përbënin më pak se 20% të importeve të prekura. Po Kina, si ka vepruar në këtë drejtim?

Si kundërpërgjigje ndaj tarifave të Amerikës për çelikun dhe aluminin, ajo vendosi tarifa për tubat e hekurit dhe çelikut me vlerë prej 0.2 miliardë dollarësh amerikanë dhe mbeturinat prej alumini me vlerë prej 1.2 miliardë dollarësh amerikanë. Kjo lëvizje e Kinës, solli ndër mend veprimin e Kanadasë ndaj Amerikës për rritjen e tarifave të vezëve si kundërpërgjigje për vendosjen e tarifës amerikane të njohur me emrin Smoot-Hawley ndaj produkteve të fermerëve kanadezë.

Douglas Irwin nga Kolegji Dartmouth raporton se numri i vezëve që Kanadaja eksportonte në Amerikë ra me 40% midis 1929 dhe 1932. Por numri i produkteve që dërgoheshin në anën tjetër ra në mënyrë drastike me 99%. Ky hakmarrje e fshehtë ka për qëllim të tregojë se pengesat tregtare i bëjnë industritë më të dobëta, dhe aspak më të forta.

Lista me produktet e Kinës e publikuar një ditë pas publikimit të listës nga Amerika, është edhe më e guximshme. Ajo nuk është hartuar aspak në përmbushje me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe synon që të godasë disa prej industrive më me peshë në Amerikë, si industrinë e avionëve, apo produkteve nga shtete politikisht të ndjeshme, duke tronditur në njëfarë mënyre demokracinë e saj.
Wisconsin është vendi i origjinës së Paul Ryan, Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve por, mbi të gjitha, vendi ku ndodhen një pjesë e konsiderueshme e eksportuesve të boronicës amerikane.

Mitch McConnell, lideri republikan i Senatit, përfaqëson Kentakin, vendin e eksportuesve të uiskit më të famshëm amerikan, Bourbon-it.
Të dy produktet e mësipërme janë të përfshira në kërcënimin tarifor të Kinës.
Metoda të tilla kanë funksionuar edhe më parë dhe nuk janë një metodë e re. Në vitin 2003, Bashkimi Europian kërcënoi të vendoste tarifa mbi produktet amerikane, duke përfshirë edhe mbi frutën e portokallit, në hakmarrje për tarifat e Xhorxh W. Bushit mbi çelikun europian. (Florida do të ishte vendi i parë që do të goditej nga vendosja e një tarife të tillë, pasi ajo është një prej vendeve me numrin më të madh të kultivuesve të portokallit). Deklaratat e fundit të z. Trump tregojnë se ai nuk është aspak në favor të arritjes së paqes. Por, mesa duket, ai nuk është aspak i vetëdijshëm për rrezikun e dështimit.

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz