Ndonëse Shqipëria ka shënuar përmirësim të ndjeshëm në raportin “Doing Business 2017” të Bankës Botërore, duke u përmirësuar me 32 pozicione për t’u ngjitur në vendin e 58, ajo ka renditjen më të përkeqësuar në raport me vendet e tjera të rajonit, duke lënë pas vetëm Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën.
Sipas tabelave të Bankës Botërore, më mirë nga gjithë rajoni paraqitet Maqedonia, e cila është renditur në vendin e 10 në botë për treguesin e të bërit biznes 2017, duke qenë e katërta në botë për nisjen e një biznesi, e 11-a për lejet e ndërtimit. Mesa duket nuk është thjesht rastësi që shteti fqinj po tërheq një numër të madh investitorësh në shumë fusha, si në pjesët e automjeteve, tekstile, etj., duke i marrë disa investitorë potencialë jashtë Shqipërisë.
Pas Maqedonisë, Rumania është në vendin e 36, e ndjekur nga Bullgaria në vendin e 39.
Kroacia është në vendin e 43.
Pas Kroacisë vjen Serbia, në vendin e 47, edhe ky një shtet që po tërheq investime të huaja, sidomos në fushën e industrisë së pjesëve mbështetëse të automjeteve por edhe në sektorë të tjerë.
Shteti tjetër fqinj, Mali i Zi është në vendin e 51.
Pas Shqipërisë, që renditet e 58-a vjen menjëherë Kosova, që në renditjen e këtij viti është e 60-a.
E fundit në rajon është Bosnjë-Hercegovina, që renditet në vendin e 81, nga 190 shtete në total.
Në krahasim me rajonin, Shqipëria ka dy tregues që i ka më keq se gjithë shtetet e tjera, regjistrimin e pasurisë, në pozicionin e 106 (më negativi pas nesh është Bosnja në vendin e 99) dhe sidomos zgjidhjen e aftësisë paguese, në vendin e 163 (më i keqi pas nesh është Kroacia në vendin e 54).
Në treguesin e pagimit të taksave, Shqipëria është e parafundit në rajon, në vendin e 97, duke lënë pas Bosnjën në vendin e 133.
Në renditjen e vitit të kaluar, Shqipëria ishte në bisht të rajonit, por përmirësimi i këtij viti ka bërë që ajo të lërë pas Bosnjën dhe Kosovën.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Ka nje ngaterrese tek fjalia °….sidomos zgjidhjen e aftësisë paguese, në vendin e 163 (më i keqi pas nesh është Kroacia në vendin e 54).° Shqiperia renditet e 43-ta, Kosova e 163-ta.
faleminderit Kroacia eshte e 154