Estonia dhe Sllovenia, të dyja këto shtete të vogla të Europës kanë shumë të përbashkëta. Kur të dy shtetet hoqën dorë nga komunizmi në vitin 1991, ishin më të pasurat nga federatat e tyre: në rastin e Estonisë nga Bashkimi Sovjetik (BS) dhe në rastin e Sllovenisë nga republika federale e Jugosllavisë. Të dy vendet ndiheshin superiorë ndaj fqinjëve të tyre: Estonia (që ka vetëm 1.3 milion banorë) preferonte të tregonte sa ata ishin shumë më të hapur, perëndimorë dhe konkurrues sesa shtetet e tjera të ish-BS-së. Nga ana e tyre, sllovenët (me një popullsi prej 2 milion banorësh) kohët e fundit parapëlqejnë të theksojnë prejardhjen e tyre alpine dhe nga Europa Qendrore (kurrë, mos i thërrisni ata ballkanikë).Të jemi të sinqertë, të dy vendet kanë shumë për tu krenuar. Ata kanë arritur të krijojnë një shtet të qëndrueshëm, me institucione të forta dhe rritje të lartë ekonomike. Sllovenia është më i pasuri nga ish-vendet komuniste, ndërsa rritja ekonomike e Estonisë prej 9.9% në tremujorin e fundit (me bazë vjetore) është më e larta në Europë. Që të dy vendet janë anëtare në NATO dhe në Bashkimin Europian. Që të dy vendet duan të përshtatin monedhën euro në vitin 2007.Pse sllovenët e kanë zili Estoninë Dikur, estonezët e kishin zili Slloveninë për mirëqenien dhe sigurinë e saj. Por, tani situata ka ndryshuar. Sllovenia do të donte të kishte rritjen e Estonisë. Norma e rritjes ekonomike që parashikon Sllovenia prej 3.9% nuk i arrin shumë ritmet europiane. Më e keqja është se vendet e tjera ish-komuniste po arrijnë këto norma. “Ne po e humbim vendin e parë”, thotë kryeministri slloven Janez Jansa. Për këtët ai ia vë fajin politikave të qeverive të kaluara. I sapokthyer nga një vizitë në vendet balltike, ai thotë se “Estonia është një shembull i mirë për ne”.Një element që ai do të donte të kopjonte nga Estonia është taksa fikse prej 24% në të ardhurat personale dhe nga korporatat. “Sistemi ynë i taksave është aq i ndërlikuar sa as vetë ekspertët nuk e kuptojnë dot, le më investitorët e huaj. Dhe për të nisur një biznes, procedura zgjat nga marsi në tetor, ndërsa në Estoni vetëm 5 ditë”, thotë një zyrtar slloven i taksave. Gjëja e dytë që i bën përshtypje z. Jansa është hapja ekonomike e Estonisë, që ka nisur që nga viti 1991, kur Estonia u shkëput nga blloku i ish-Bashkimit Sovjetik. Estonia ka privatizuar pothuajse gjithçka, duke u dhënë rëndësi bashkëpronësisë me ndërmarrje të huaja. Kjo ka sjellë investime të huaja të mëdha dhe lulëzim të prodhimit, si dhe integroi industrinë e huaj të shërbimeve, në një qoshe të rehatshme në ekonominë e re. “Skype”, shoqëria e telefonisë së internetit bazohet në programe të prodhuara në Estoni; qendra e saj e zhvillimit në Talin ka mëse 100 të punësuar dhe aksionerët estonezë tashmë janë bërë milionerë. Në bisedime për investime të mëdha është dhe një firmë tjetër “Playtech”, e cila harton programe kompjuteri.Së treti, z. Jansa i ka bërë shumë përshtypje ajo që Estonia e quan e-qeverisje (qeverisje nëpërmjet internetit): ideja e klikimit të miushit të kompjuterit, jo e radhëve të gjata jashtë zyrave, kjo është mënyra më e mirë e qytetarit për të komunikuar me shtetin.Problemet e Sllovenisë dhe dëshira për të ndryshuarEksportet e larta e bënë Slloveninë aq të pasur në kohën e Jugosllavisë, saqë vendi nuk dukej aspak si komunist. Por, tashmë ky shtet nuk po ndihet aq kapitalist, megjithëse ka portin më të madh të rajonit, një industri të zhvilluar të ilaçeve, banka të forta dhe industri të zhvilluar shërbimi. Një arsye është ndikimi i vazhdueshëm i shtetit në ekonomi. Një arsye tjetër është se të brendshmit, jo të huajt janë pronarët kryesorë. Konkurrenca është e ulët dhe mungojnë risitë: nuk ka asgjë të ngjashme me Skype. Z.Jansa bën me faj për këtë (dhe në një farë mase ka të drejtë), rrjetin e vjetër të trashëguar nga koha e Jugosllavisë. Administrata gjithashtu lë shumë për të dëshiruar. Edhe sistemi i shkollimit në Slloveni është shumë burokratik dhe i detyrueshëm vetëm në sllovenisht, ndryshe nga Estonia që është shumë më liberale në këtë drejtim dhe ofron kurse konkurruese në shumë gjuhë, çka ka tërhequr studentë nga Finlanda dhe kohët e fundit shumë nga Azia.Por, z.Jansa ka shprehur me kohë dëshirën për të ndryshuar. Si një adhurues i thjeshtësisë së sistemit administrativ estonez, ai ka zbatuar sistemin e regjistrimit në linjë për sipërmarrësit dhe shpreson për shumë ndryshime të tjera në sistemin e taksave. Pavarësisht nga sa ai do të arrijë të ndryshojë, mbi të gjitha është e rrallë dhe e dobishme që një politikan i një ish-vendi komunist të marrë parasysh leksionet nga një shtet tjetër. Pjesa më e madhe e politikanëve, sidomos të shteteve të mëdha ngulin këmbë që problemet e tyre janë thuajse unike. Dhe kjo ide është pothuajse gjithmonë e gabuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.