Besimi ekonomik në Eurozonë shënoi rënie për të nëntin muaj radhazi, njëkohësisht edhe rënia më e gjatë që nga viti 2011, e shkaktuar kryesisht si pasojë e proteksionizmit dhe pasigurisë politike që kanë hedhur një re të zezë mbi të gjithë Europën.
Rënia më e fundit e sentimentit përkoi me Gjermaninë, e cila ka parashikuar një rënie të parashikimit të rritjes dhe me paralajmërimin e fundit të Organizatës Botërore të Tregtisë se vendosja e tarifave SHBA-Kinë po dëmton tashmë investimet e korporatave.
Brenda Europës, ka arsye të tjera që shkaktojnë shqetësim, pasi investitorët presin edhe një përditësim nga Italia lidhur me financat e saj publike. Obligacionet italiane pësuan rënie për shkak se bisedimet në lidhje me buxhetin qeveritar u goditën nga mosmarrëveshje të shumta, të cilat mund të ndikojnë në ngadalësimin e arritjes së objektivave të shumëpritura fiskale.
OBT-ja deklaroi javën e kaluar se rritja e tregtisë botërore të mallrave do të ngadalësohet në 3.9% gjatë këtij viti nga 4.7% që ishte në vitin 2017. Ky është një ngadalësim më i theksuar se ai i parashikuar prej 4.4% në prill. Efektet e drejtpërdrejta ekonomike të këtyre masave kanë qenë modeste deri më sot, por pasiguria që gjenerojnë tashmë mund të ketë ndikim përmes shpenzimeve të reduktuara të investimeve. Indeksi i sentimentit të Komisionit Europian, që përfshin si familjet ashtu edhe kompanitë, është në nivelin më të ulët në më shumë se një vit.
Pritshmëritë e prodhuesve u ulën ndjeshëm në shtator të këtij viti dhe konsumatorët u brengosën për gjendjen e tyre financiare, perspektivat e punës dhe ekonominë në një këndvështrim më të gjerë. Optimizmi është përkeqësuar në të gjithë kontinentin. Masat kombëtare tregojnë se sentimenti i konsumatorit francez është më i ulëti në më shumë se dy vjet dhe besimi i biznesit në Gjermani ka pësuar gjithashtu rënie. Prodhuesit e makinave të markës BMW e ulën parashikimin e fitimit, duke përmendur si shkak konfliktet e tregtisë ndërkombëtare.
“Brexit, lufta e vazhdueshme tregtare, shqetësimet në rritje të tregjeve në zhvillim dhe shqetësimet rreth buxhetit italian janë faktorë që kanë ndikuar në uljen e besimit tek ekonomia globale”, tha Bert Colijn, një ekonomist në ING në Amsterdam. “Disa prej këtyre faktorëve mund të vazhdojnë të jenë të pranishëm edhe në muajt e ardhshëm”, përfundoi ai.