Financat kanë arkëtuar për 10 mujorin 299 miliardë lekë, me një rritje prej 33.5 miliardë lekë, apo 12.6% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas tabelës paraprake fiskale për periudhën janar-tetor 2014.
Zëri që ka dhënë kontributin më të madh në shtimin e të ardhurave vijon të jetë TVSH, që ka kontribuar në 40% të shtesës totale. Është përmirësuar dhe performanca e tatim fitimit dhe akcizës, ndërsa tatimi mbi të ardhurat vijon të jetë i vetmi zë me rritje negative në buxhet.
Të ardhurat nga TVSH ishin 103 miliardë lekë për janar-teroin 2014, me një zgjerim prej 15.3% me bazë vjetore. Nga kjo TVSh e rimbursuar ishte 5.7 miliardë lekë.
Të arhdurat nga tatim fitimi janë rritur me 41%, në 17.3 miliardë lekë.
Të hyrat nga akciza kanë kërcyer me 15% në 18 miliardë lekë, duke ndryshuar ndjeshëm ritmet e zgjerimit, teksa në muajt e parë të vitit ky zë ishte negativ. Ndonëse të dhënat përfundimtare nuk janë publikuar ende, në tetor vlerësohet të ketë pasur një rritje të importeve të cigareve, në pritje të hyrjes në fuqi të akcizës së re, një dukur kjo që u konstatua dhe në dhjetor të vitit të kaluar.
Tatimi mbi të ardhurat mbetet zëri i vetëm me performancë negative në buxhet, duke u ulur me 5.6% në 22.6 miliardë lekë, reflektim i kalimit nga tatimi i sheshtë prej 10%, në atë të përshkallëzuar nga 0-23%, që solli ulje për pagat nën rreth 100 mijë lekë.
Të ardhurat nga pushteti vendor dhe dhe ato nga fondet speciale (sigurimet shoqërore e shëndetësore) janë rritur përkatësisht me 14.7% dhe 16%.
Rënia ka zëri i të ardhurave jo tatimore, me 8.6%, kryesisht si rrjedhojë e rënies së transferimit të fitimit nga Banka e Shqipërisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.