Për pushuesit aventurier, Europa është vendi i përsosur për të përjetuar natyrën. Këtu janë disa nga vendet më mahnitëse të kampingut në natyrë që duhet të dini.
Cilat vende europiane lejojnë kampingun në natyrë?
Përpara se të merrni tendën tuaj dhe të shkoni drejt egërsisë së natyrës, është e rëndësishme të siguroheni që të mos jeni në kundërshtim me ligjet.
Skocia është një nga vendet më të mira në Europë për kampinget në natyrë.
Sipas Aktit të Reformës së Tokës të vitit 2003, kampingu në natyrë lejohet pothuajse kudo, me shumë pak kufizime. Kampinget në natyrë janë gjithashtu të ligjshme në Lituani, në Turqi dhe në Finlandë.
Në disa vende, si Norvegjia dhe Suedia, kjo praktikë inkurajohet në mënyrë aktive. Megjithatë, në shumë vende, kampingu në natyrë është i paligjshëm dhe rregullat zbatohen rreptësisht. Italia, Luksemburgu dhe Malta janë ndër vendet që duhet të shmangni për kampinget në natyrë.
Vendet më të mira të Europës për kamping në natyrë
Hebrides, Skoci – Eksploroni plazhet e virgjëra, të paprekura nga turizmi
Të shtrirë në bregun veriperëndimor të Skocisë, ishujt e largët Hebrides janë plot me vende spektakolare për kamping në natyrë. Bregdeti perëndimor i Harris është tepër mahnitës, me një hapësirë të madhe me rërë të bardhë dhe pamje magjepsëse të ishullit Taransay.
Kampingu i egër është i ligjshëm këtu dhe kufizimet e vetme janë qëndrimi të paktën 100 metra larg nga rrugët dhe moslënia pas e mbeturinave.
Ishujt Lofoten, Norvegji – Flini nën diellin e mesnatës
Për një vend kampingu veror dhe aventuresk, mund të shkoni brenda Rrethit Arktik në ishujt Lofoten. Ky është vendi ideal për të pushuar gjatë gjithë natës dhe për t’u zhytur në diellin e mesnatës të Norvegjisë.
Plazhet dhe dunat me rërë në bregun verior të Moskenesøy janë veçanërisht tërheqëse gjatë verës. Norvegjia është një vend shumë mikpritës për ata që duan të përjetojnë kampingun në natyrë.
Sipas Allemannsretten, e drejta e aksesit publik, kampingu në natyrë deri në dy netë lejohet në tokë të pakultivuar. Kjo do të thotë që ju jeni të lirë të bëni kamping në shumicën e vendeve.
Parku Kombëtar Lahemaa, Eston-: Kampingu në pyje
Ky park i madh kombëtar është i njohur si një vend që mirëpret personat që duan të bëjnë kamping në natyrë. Qendra Kombëtare Pyjore është shumë pro kampingut dhe mund të gjeni pika me tavolina pikniku dhe tualete të vendosura rreth pyllit.
Ligjet e Estonisë për aksesin publik nënkuptojnë se kampingu në natyrë lejohet në tokën qeveritare dhe banorët zakonisht janë shumë të hapur për kampistët. Megjithatë, kampingu nuk lejohet në tokë të kultivuar dhe rrobat dhe enët nuk duhet të lahen në lumenj apo liqene.
Zjarret në kampe janë gjithashtu të lejuara, me kusht që të përdorni vatrat e caktuara të zjarrit në pyje dhe të mos dëmtoni pemët për të marrë dru për zjarrin.
Kungsleden, Suedi – Ecni nëpër rezervatin e madh natyror
Kungsleden, ose Shtegu i Mbretit, shtrihet 440 kilometra në të gjithë Suedinë veriore. Rruga e ecjes lidh Abisko në veri me Hemavan në jug dhe kalon përmes Rezervatit Natyror Vindelfjällen.
Ky është një vend i mrekullueshëm për kamping në natyrë, i rrethuar nga tundra alpine dhe pyjet e thuprës. Mund të hasni gjithashtu edhe kafshë të egra, si për shembull renë.
Suedia inkurajon kampingjet në natyrë nëpërmjet të drejtës së aksesit publik. Kampistët mund të qëndrojnë deri në dy ditë në një vend të caktuar dhe zjarret në kampe lejohen me kusht që të mos ketë shenja kufizuese në atë zonë që nuk lejojnë ndezjen e zjarreve.
Lugina e lumit Dubysa, Lituani – Lumi gjarpërues midis pyjeve
Shtegu përgjatë lumit Dubysa të Lituanisë është një rrugë e njohur shëtitjeje që kalon nëpër malësitë e Samogitisë Lindore, përmes fshatrave piktoreskë dhe fushave me misër. Kjo eksperiencë ofron disa ditë të këndshme për një kamping në natyrë.
Kampingu është i ligjshëm dhe inkurajohet në Lituani. Por, duhet të sigurohuni që të kërkoni leje përpara se të qëndroni në një pronë private dhe duhet të shmangni kampingun në zona urbane ose afër shtëpive./Euronews. Travel