50 bizneset më të suksesshme në vend ose “50 Bletët e Arta” janë vlerësuar me çmime mbrëmë nga qeveria shqiptare.
Çmimet u dorëzuan nga kreu i Qeverisë në ceremoninë e organizuar në TOB nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
Në fjalën e tij, ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj tha se qeveria Rama njohu borxhin e qeverisë ndaj sipërmarrjes dhe deri më tani janë shlyer rreth 300 milionë dollarë.
“Marrëdhënia me sipërmarrjen ka munguar për vite me radhë. Çmimi “Bleta e artë” apo “Sipërmarrësi i vitit”, nisi vjet si një risi, për të hapur një marrëdhënie të re mes qeverisës e sipërmarrjes.
Donim të ngrinim një urë lidhëse dhe bashkëpunimi me sipërmarrjen private. Mendoj se në muajt që kanë shkuar kemi bërë shumë në këtë drejtim, do të vazhdojmë të bëjmë shumë. Në 15 muajt e fundit kemi rritur bashkëpunimin me sipërmarrjen.
Që ditën e parë morëm përsipër të njihnim borxhin ndaj sipërmarrjes, dhe deri më sot kemi dhënë 300 mln dollarë për ta.
Ngritëm Këshillin Ekonomik Kombëtar si një urë bashkëpunimi, dhe funksionin në mënyrë spektakolare, transparente dhe intensive”, tha Ahmetaj.
Në vijim ai shtoi se 2015 do të jetë viti i luftës kundër informalitetit, dhe garantimin e konkurrencës së lirë. Duke u ndalur tek prioritetet e qeverisë për zhvillimin ekonomik të vendit, ministri Ahmetaj tha se synohet rritja e prodhimit dhe eksporteve.
“Viti që vjen do të jetë viti i luftës kundër informalitetit. Vizioni ynë është që Shqipëria të kthehet në një vend i rëndësishëm prodhimi, përpunimi dhe tregtimi në rajon.
Sipërmarrjen e shohim si një pasuri kombëtare. Paketa fason synon rritje 20 % të eksporteve.
Ekonomia shqiptare kërkon hope cilësore dhe sasiore në mënyrë që ne t’i japim qytetarit dhe sipërmarrësit shqiptar atë që pret për të ardhmen”, tha ministri Ahmetaj./ gazeta Dita
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.