Me ardhjen e koncesioneve të naftës dhe zhvillimit të mëvonshëm dhe shpërbërjes së hegjemonisë koloniale, ky qytet dhe gjithë Gadishulli Arabik,
ka devijuar ndjeshëm nga një ekonomi që dikur varej kryesisht tek agrikultura dhe eksporti i peshkut dhe perlave.
Sot, pasuria e Abu Dhabi nuk ka të dytë në skenën botërore. Emirati gjendet në terren me rezerva të mëdha nafte, ndryshe nga rivali Dubai.
Sipas një burimi ka një vlerë neto për frymë prej 17 milionë USD. Qytetarët që gëzojnë këtë kamje, jetojnë pranë super-grataçielash të jashtëzakonshme, hotelesh luksoze, kopshtesh dhe parqesh të harlisur dhe projektesh të mëdha infrastrukturore.
Pavarësisht ndikimeve perëndimore, Abu Dhabi bazohet në traditën kulturore dhe fetare. Një nga pikat më mbresëlënëse të interesit është Xhamia Sheikh Zayed.
Vendi i tetë më i madh i kultit në botën islamike, kjo godinë shkëlqen nga mermeri dhe mund të akomodojë deri në 40,000 besimtarë njëherësh.
Emri i Xhamisë nderon Sheikh Zayed bin Sultan Al Nahyan, themeluesin dhe presidentin e parë të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Një tjetër atraksion i Abu Dhabi është Fshati i Trashëgimisë. Muzeu në ajër të hapur buzë detit risjell jetën beduine tradicionale të rajonit, para shfrytëzimit të naftës.
Njësoj si Dubai, edhe Abu Dhabi është ëndrra e adhuruesve të shopingut. Qendra Tregtare Marina është një nga qendrat tregtare më popullore,
me efekte interesante si shiu dhe shkreptimat, kopshte muzikore dhe butikët luksozë. Qendra Tregtare Wahda dhe Qendra Tregtare Abu Dhabi dhe Zona Tourist Club,
ofrojnë një gamë të gjerë dyqanesh firmato mbarëbotërore. Vizitorët mund të gjejnë edhe dyqane të vogla në të gjithë qytetin, madje edhe dyqane me çmime të ulëta.
Meqenëse Abu Dhabi është një qytet në shkretëtirë, një nga gjërat interesante që mund të bëni është të vizitoni një oaz të mirëfilltë.
Dy orë larg Abu Dhabi, Oazi Liwa është një fshat pranë disa dunave të larta me rërë. Safarit në shkretëtirë më pas përfundojnë në pishina freskuese,
dhe Festivali Vjetor i Liwa në dhjetor dhe janar është një shfaqje e trashëgimisë së pasur kulturore të këtij populli.
Një faktor i rëndësishëm për t’u pasur parasysh në Abu Dhabi është rruga dhe siguria në të. Shoferët vendas mund të jenë agresivë në rrugë.
Nxehtësia ekstreme në rrugë gjithnjë krijon nevojën për një makinë dhe një zgjedhje e mirë është edhe marrja e një shoqëruesi apo shoferi privat.
Taksitë janë një mënyrë e mirë për të shëtitur qytetin. Në pjesën më të madhe të rasteve, vetëm hotelet shërbejnë alkool në Abu Dhabi. Kështu që duhet të pyesni paraprakisht nëse shërbehet alkool para se të shkoni në ndonjë bar-nate.