Oferta e Tiranës në turizëm është e larmishme. Turistë të huaj dhe vendas mund të gjejnë larmishmëri atraksionesh turistike, me vlera historike dhe kulturore. Nga eksplorimi i krahinës së Malësisë së Tiranës, vizita në Shpellën e Pëllumbasit, pikniku në Pezë, guidat turistike kanë krijuar paketa të panumërta për turistët. Sektori i turizmit po tërheq shumë sipërmarrës për të investuar. Frytet e turizmit tani po i shijojnë edhe bizneset agropërpunuese. Turistët “po pushtojnë” Tiranën.
Nga Ledina Loga
Ishte një mbrëmje e vonë dimri kur Vivian dhe Joost Desmet po shikonin në një nga kanalet kombëtare belge, një dokumentar në të cilin pasqyrohej udhëtimi i një grupi patriotësh në Shqipëri. Aq mjaftoi që çifti belg të rezervonte brenda pak çastesh pushimet e verës 2019. Shqipëria do të ishte destinacioni që do të përshkonin kryq e tërthor, me një itinerar që e hartuan vetë, pa u këshilluar me ndonjë agjenci turistike, por vetëm me atë çka lexuan në internet dhe çka lexuan në një libër që blenë, ku gjetën të shpjeguar çdo gjë në lidhje me vendin. Nga zgjedhja që bënë, nuk u zhgënjyen.
Udhëtimi i tyre nisi nga ishulli grek i Korfuzit.
Çmimet e fluturimeve vajtje-ardhje nga Belgjika në Shqipëri, edhe pse prej kohësh mundësohet linja direkte nga operatorë lowcost, iu dukën pakëz të shtrenjta. Me të mbërritur në Korfuz, Vivian dhe Joost morën tragetin që do t’i linte në qytetin bregdetar të Sarandës, ku u përballën me rrëmujën e mbipopullimit të sezonit turistik. Me të zbritur në Sarandë, gjëja e parë që bënë, morën një makinë me qira, me të cilën do të shëtisnin Shqipërinë. Me shaka, Joost shtoi se nuk ka më moshë për aventura me transportin publik të një shteti që nuk e njeh mirë. Sarandën e shijuan vetëm pak, pasi ndalesën e tyre në këtë qytet e kishin menduar në fund të udhëtimit dhjetëditor nëpër Shqipëri.
Nga Saranda në Gjirokastër, qytet i cili është edhe pjesë e UNESCO-s, rruga nuk shkon më shumë se një orë. Por udhëtimi mund të zgjasë pak më tepër nëse ndalesh rrugës, sikurse Vivian dhe Joost, për të parë Syrin e Kaltër, një ndër atraksionet më të bukura të Jugut të Shqipërisë, për të cilin gjithashtu ishin njohur nëpërmjet komenteve pozitive në internet. Rruga deri në Syrin e Kaltër iu duk edhe më piktoreske me Lumin e Bistricës që gjarpëronte bashkë me rrugën nacionale, Sarandë – Gjirokastër.
Në Gjirokastër do të kalonin mbrëmjen e tyre të parë. Prej qytetit të gurtë u ndanë me mbresa pozitive, edhe pse qyteti ngjan si i shqepur në të katërt anët me punimet që po bëhen për restaurimin e kalldrëmit. Joost, i pasionuar pas historisë gjeti mjaft interesante vizitën në Kalanë e Gjirokastrës. Të nesërmen, çifti belg udhëtoi në një qytet tjetër pasuri ndërkombëtare.
Berati 2000-vjeçar është një nga destinacionet më të vizituara nga turistët e huaj, kështu nuk mund të mos pikasej në rrjet prej tyre. Vizita në Berat përmbushi të gjithë pritshmëritë që ata kishin, edhe pse ata rrëfyen se, pak para nisjes, kishin qenë në dilemë për ta nisur këtë udhëtim apo jo. Në fillim të verës, pak para zgjedhjeve shumë të diskutuara, protestat opozitare morën jehonë në mediat ndërkombëtare, duke pasqyruar herë pas here pamje të dhunshme.
Ata nuk kishin të njohur në Shqipëri për të marrë vesh se si ishte situata përtej asaj çka pasqyrohej në media dhe kjo i kishte shqetësuar deri diku. Por, kur mbërritën në Shqipëri, kuptuan që situata është shumë larg nga ajo çka pasqyrohej në media. Pas Beratit, do të niseshin drejt kryeqytetit, ku kishin planifikuar të kalonin tri ditë të plota, për ta parë Tiranën në të gjitha dimensionet e saj. Pas kryeqytetit, vizita e ardhshme do të ishte në Liqenin e Ohrit, ku një natë do ta kalonin në qytetin e Pogradecit.
Rrugëtimi i tyre do të vijonte përgjatë vijës bregdetare shqiptare, fillimisht në Durrës dhe Divjakë. Fill pas kësaj do të përshkonin Rivierën e Jugut, me një ndalesë në Himarë, ndërsa tjetra në Sarandë, aty ku qe dhe pikënisja e udhëtimit. Me t’ju afruar qytetit të Tiranës, në ditën e tretë të udhëtimit të tyre, surpriza nuk do të ishte e këndshme. Trafiku i rënduar dhe plehrat ishin dy gjërat e vetme që çifti do të cilësonte si negative nga përvoja e tyre në Shqipëri. Pjesa më dramatike e udhëtimit ishte përballja me trafikun e tmerrshëm në rreth-rrotullimin te Sheshi Shqiponja. Për Vivian dhe Joost, të cilët nuk mbanin mend që të kishin përjetuar ndonjëherë në jetën e tyre atë formë të trafikut, përballja me atë situatë i kishte trembur për vijimin e udhëtimit të tyre. “Kur mbërritëm, kishte aq shumë makina dhe njerëz, aq sa tani jemi të frikësuar për kthimin nga e njëjta rrugë”, – tha Joost.
Megjithatë, sapo hynë brenda në kryeqytet dhe u akomoduan në hotel, kuptuan se distancat e vendeve që kishin planifikuar të vizitonin ishin shumë pranë vendit ku po qëndronin. Kështu, kishin shpëtuar nga përdorimi i makinës, pasi vendet e piketuara mund të arriheshin me këmbë. Ditën e parë në Tiranë ua dedikuan historisë, ku vizituan Muzeun Kombëtar dhe Shtëpinë e Gjetheve. “Dje pamë Muzeun Kombëtar. Në hyrje të tij çdo gjë ishte interesante me përshkim të objekteve në shqip dhe në anglisht, por kur kaluam në katin e dytë, tabelat në anglisht mungonin dhe salla ishte pa ajër të kondicionuar. Ne nuk kuptojmë shqip dhe nuk kuptuam asgjë. Në vendet e tjera ka broshura ku shpjegohen gjërat kryesore për atraksionin që po viziton”, – u shpreh Vivian Desmet.
Në rrethinat e Tiranës
Një ndër problematikat kryesore që çifti belg hasi gjatë udhëtimit në Shqipëri ishte sinjalistika dhe tabelat. “Ne patëm problem, pasi nuk ka tabela, duhet të pyesim kudo që shkojmë nëse jemi në drejtimin e duhur. Kur udhëton në Europë, Francë apo Itali, ka tabela dhe shenja dalluese dhe nuk ke shanse të humbasësh”, – shpjegoi ajo.
Ditën e dytë të vizitës së tyre në Tiranë, çiftin belg e takuam në fshatin Pëllumbas, pak kilometra larg qendrës së kryeqytetit. Prej aty, bëhej nisja për të vizituar Shpellën e Zezë. Nga qendra e fshatit deri në hyrje të shpellës duhen së paku 40 minuta ecje. Shpella është e gjatë 360 metra dhe e lartë 10-15 metra. Pavarësisht se për nga përmasat, ajo nuk konsiderohet një shpellë e madhe, është një nga më të bukurat e vendit dhe tërheq turistë të shumtë. Shpella, pjesë e njësisë administrative të Bërzhitës, ndodhet në kufi të Parkut Kombëtar të Dajtit dhe është njohur si Monument Natyre i një rëndësie kombëtare dhe ndërkombëtare nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit, që në vitin 2002.
Pjesa më e rëndësishme e saj janë të dhënat historike që i përkasin periudhës së Paleolitit. Çifti belg e përshkoi atë për më pak se dy orë. Pas eksplorimit të Shpellës, ajo çka i priste ishte një drekë me gatime tradicionale të zonës. “Çdo gjë është shumë e lirë këtu për ne, të hash dhe të qëndrosh në hotel, por edhe mikpritja, të cilën e gjetëm kudo ku kemi shkelur deri më tani”,- tha Vivian.
Të merresh me turizëm tashmë është në modë
Bardhi Duqi, prej disa vitesh e ka shndërruar katin e parë të godinës së shtëpisë, në qendër të fshatit, në një restorant ku gatuan vetëm gjëra tradicionale. Një nga mjediset e godinës së tij ai e ka vënë në dispozicion të Zyrës së Informimit për turistët që vijnë për të parë Shpellën e Zezë, apo për të eksploruar kanionet e Erzenit, të cilën ai e menaxhon prej dy vitesh. Më parë, biznesi i tij shërbente si lokal dasmash për të rinjtë e fshatit që martoheshin.
Tani, puna ka rënë ndjeshëm, Bardhi rrëfen se pjesa më e madhe e të rinjve kanë ikur në emigracion, veçanërisht në Angli dhe në Gjermani. Aktualisht, fshati Pëllumbas, sipas Bardhi Duqit, ka rreth 500 banorë, por popullsia qëndron në vendnumëro, në mos po pakësohet. Në fshat tashmë kanë ngelur vetëm fëmijë 12-13 vjeç dhe pleqtë. Çiftet e reja po bëjnë një ose dy fëmijë, ndërsa pjesa tjetër po zgjedh emigracionin, të cilin edhe ai vetë e ka provuar kur ishte i ri.
Prej vitesh Bardhi Duqi ka qenë emigrant në Greqi. Kur kriza dhe vështirësitë filluan në vendin fqinj, ai vendosi të kthehej dhe të hapte një dyqan ushqimore në fshat, por që nuk rezultoi një ide e mirë. Tashmë, është i fokusuar me anën turistike. Me restorantin, thotë se punon gjatë gjithë javës. Ai sqaron se në ditët e javës punojnë kryesisht me turistët që vijnë nëpërmjet agjencive turistike, por më shumë dyndje ka në fundjavë. Pëllumbasin e vizitojnë gjatë një jave mesatarisht 100 turistë.
Për të ngrënë një drekë në restorantin e Bardhit, kostoja mesatare për person është rreth 800 lekë. Ajo çka Bardhi ka vënë re gjatë punës së tij është se turistët e huaj kërkojnë që të hanë pak, por të provojnë nga çdo gjë, ndryshe nga shqiptarët që kërkojnë porcione të mëdha dhe kryesisht mish. Një nga pjatat më të porositura është byreku i bërë në saç, i cili serviret ashtu në tepsi dhe kushton rreth 500 lekë.
Në fshat vijnë edhe shumë turistë të pashoqëruar, të cilët kanë dëgjuar për vendin vetëm nga interneti, sikurse ishte edhe çifti belg. Në Shpellën e Zezë, edhe pse është shpallur monument natyror, nuk është investuar ende brenda, për të pasur parametra sigurie, apo të ketë qoftë edhe gjërat minimale siç është ndriçimi. Në zyrën e informacionit janë vendosur në radhë kokoret me ngjyrë portokalli dhe elektrikët, të cilat Bardhi i jep me qira për të gjithë turistët që kërkojnë të bëjnë një eksplorim të sigurt të shpellës.
Përveç shumë turistëve të pashoqëruar, problematikë paraqesin edhe grupet që vijnë me guida të palicencuara dhe të certifikuara. Më shumë rrezikshmëri, sipas tij, paraqesin grupet e turistëve që kërkojnë të eksplorojnë kanionet e Erzenit, në kohë jo të favorshme. Disa aksidente janë shënuar gjatë eksplorimit të atij kanioni, të cilat mund të ishin shmangur në rast se do të zbatohej protokolli i sigurisë.
Megjithatë Bardhi Duqi nuk dëshiron që ta lërë me aq këtë që ka nisur. Përveç pjesës së restorantit, të cilin ai kërkon që ta përmirësojë në produktet që ofron, ka në plan që shtëpinë e vjetër ta kthejë shumë shpejt në bujtinë, por për momentin nuk ka burime financiare që të vërë në jetë këtë plan.
Në përgjithësi, fshati Pëllumbas, me atraksionet si Shpella e Pëllumbasit dhe kanionet e Erzenit kanë shërbyer për guida, me paketë njëditore.
Fshati Pëllumbas nuk është për turistët vetëm një destinacion turistik. Vizitorët shpesh edhe psonisin në fshat, ku ndër produktet më të shitura janë bimët mjekësore, si rigoni, por më i famshmi dhe më i përhapuri në zonë është çaji i kuq.
Nga Kalaja e Petrelës te Shkalla e Tujanit
Kryeqyteti është kthyer në një qendër graviteti, thuajse një e treta e popullsisë është e përqendruar këtu. Gjithashtu është qendra më e madhe ekonomike, universitare, spitalore e vendit. Mundësitë që ofron janë të shumta. Përveç anës ekonomike, Tirana ka një ofertë të larmishme turistike. Duke qenë se Qarku i Tiranës shtrihet në hapësirë të gjerë gjeografike, në të i gjejmë të gjitha ngjyrat e turizmit, si në zonat urbane dhe rurale. Pjesa rurale e Tiranës ofron larmishmëri, nga mali në fushë, lumenj dhe liqene.
Një destinacion ende pak popullor në rrethinat e Tiranës është Shkalla e Tujanit. Për të arritur atje nga qendra e Tiranës duhen rreth 30 minuta, duke marrë në konsideratë që pas asaj që njihet Shkolla e Qenve, rruga është e paasfaltuar. Sapo afrohesh pranë grykës së Tujanit, shquan nga larg trasenë ku po kalon gjurma e rrugës së Arbërit. Punimet vazhdojnë ende. Bizneset e asaj zone presin që me përfundimin e ndërtimit të rrugës, të rritet numri i vizitorëve, megjithëse edhe me rrugën e papërfunduar, numri i vizitorëve është i kënaqshëm. Ndërsa për nostalgjikët pas filmave shqiptarë vlen të përmendet se në atë zonë janë xhiruar skenat e filmit “Njeriu me Top”.
Shkalla e Tujanit është grykë e ngushtë 1000 metra e thellë, e çarë nga gëlqerorët e vargut malor Krujë-Dajt, nga lumi i Tiranës. Veçon malin e Dajtit nga mali i Priskës së Vogël (1241 metra). Në gëlqerorët janë zhvilluar mjaft dukuritë karstike (shpella etj.). Në të dalë të grykës, lumi i Tiranës ka formuar kanione të ngushta në gëlqerorët. Në fakt, pamja e krijuar ndër vite nga erozioni i Lumit të Tiranës në atë zonë janë magjepsëse, ku shkëmbinjtë e lartë e bëjnë njeriun të duket vërtet i vogël para natyrë. Ajo rrugë e ngushtë mes maleve prej vitesh ka shërbyer për të lidhur zonën e Dibrës me Tiranën, ndryshe quhet Rruga e Dibranëve. Barinj të zonës atje nuk përtojnë të tregojnë shtegun nga ku kanë kaluar dibranët gjatë eksodit pas copëtimit të Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha në 1913.
Pak më larg grykës gjendet fshati Brar i Tiranës. Një nga atraksionet popullore, i cili renditet në shumë guida të kryeqytetit është Ura e Brarit. Ura e Brarit ka lidhur fshatin Brar me Tiranën dhe me rrugën e karvanëve Tiranë – Dibër, e cila kalonte nëpër fshatin Tujan. Ura përbëhet nga një hark i vetëm gjysmë rrethor i dekoruar nga një brez me gurë të skuadruar. Teknika e përdorur në ndërtimin e saj është bazuar në përpunimin pjesor dhe të thjeshtë të gurëve. Prej vitit 1971, është shpallur Monument Kulture.
Kalaja e Petrelës “pushtohet” sërish
Ministria e Mjedisit dhe Turizmit ka të publikuar në faqen e saj një listë të gjatë me monumente natyrore dhe kulturore në Qarkun e Tiranës. Në atë listë bëjnë pjesë 153 atraksione të cilat ia vlejnë t’i vizitoni. Disa prej tyre gjenden pranë njëra-tjetrës dhe shumë guida turistike kanë arritur që të bëjnë paketa turistike mjaft interesante. Sikurse është edhe paketa turistike e Tujanit, ku bashkë me ecjen në një terren relativisht të thyer, mund të vizitosh Shkallën e Tujanit, Kalanë e Tujanit, Urën e Brarit, rrënojat e Kishës së Shën Mërisë në Tujan.
Megjithatë, alternativat historike të Tiranës nuk janë të pakta. Një ndër më populloret e Tiranës është Kalaja e Petrelës, një kala mesjetare e ndërtuar në kohën e Bizantit. E ngritur në një terren mjaft të pjerrët, nga kalaja mund të shikosh të gjithë Tiranën. Ajo ishte një nga kalatë në pozicionin më strategjik për Gjergj Kastriotin, pasi kontrollonte një nga arteriet kryesore të lëvizjes, Rrugën Egnatia. Por mund të themi se sot, kalaja ka rënë në duart e “pushtuesve”.
Turistë të pafundmë vizitojnë kalanë në të gjithë ditët e javës. Kalaja e Petrelës është një nga destinacionet me komente tepër pozitive nga të huajt, si për vlerat historike që ajo mbart, po ashtu edhe për pamjen e bukur që të dhuron nga kryeqyteti.
Por ajo nuk është e vetmja kala që mund të vizitoni në kryeqytet. Kalaja e Dajtit, ndonëse nuk është aq popullore sikurse kalaja e Petrelës, gjendet në njërën prej lartësive që ngrihen në jug të fushës së Dajtit. Tjetër kala është ajo Ndroqit, e ngritur mbi luginën e lumit Erzen, ku mund të vështrosh prej saj qytetin e Durrësit.
Piknik në…
Nëse do të shkruani në Google fjalën piknik, në mënyrë automatike gjiganti i kërkimit do të nxjerrë si alternativë të parë Pezën. Gjatë fundjavave, Peza është një nga alternativat ndryshe që zgjedhin tiranasit për të kaluar fundjavën dhe një ndër aktivitetet kryesore është pikniku. Por kulmi arrin më 16 shtator, dita kur u mbajt Konferenca e Pezës në vitin 1942. Tashmë është kthyer në një traditë të përvitshme organizimi i Pezës n’Fest, ku të rinj mblidhen dhe festojnë deri në orët e para të mëngjesit me muzikë, pije dhe ushqim.
Shtëpia ku u mbajt Konferenca e Pezës, e shpallur gjithashtu Monument Kulture që në vitin 1963, është kthyer në muze modern.
Perla e Tiranës, Shëngjergji
Të vizitoje Malësinë e Tiranës pak vite më parë do të duheshin rreth 7 orë të mira rrugë për të arritur në Shëngjergj, ndonëse është vetëm 40 km larg nga qendra e Tiranës. Ndërtimi i rrugës i dha frymëmarrje një krahine që ishte “harruar” për shumë vite, atje, diku pas Malit të Dajtit. Sot, Shëngjergji gjallon nga njerëzit, turistë dhe banorë, por edhe banorët që kanë vendosur të kthehen sërish në vendlindje për të jetuar. Shëngjergji është pjesë e listës së “100 Fshatrave”, përzgjedhur në kuadër të programit të integruar për zhvillim rural.
Shëngjergji ka një reliev malor ku kuota më e ulët është shtrati i lumit Erzen dhe kuota më e lartë, Mali me Gropa. Eksplorimi i Malësisë së Tiranës është një nga paketat më të shitura nga guidat turistike. Ndërsa aksesi që krijoi rruga e re ka shtuar numrin e vizitorëve që shkojnë në fshatin Shëngjergj për të konsumuar produktet lokale atje. Sot, zona ka zgjuar interesin e sipërmarrësve për të investuar në turizëm.
Një nga atraksionet më popullore të Shëngjergjit, padyshim, që është ujëvara. Ujëvara gjendet shumë pranë fshatit dhe ka një lartësi prej afro 30 metrash. Buzë rrugës kryesore, pa u afruar ende në qendër të fshatit, dallohet një tabelë që tregon shtegun që duhet të marrësh për të vizituar ujëvarën. Nga fillimi i shtegut dhe deri tek ujëvara, rruga nuk zgjat më shumë se 15 minuta, në varësi të stinës. Gjatë pranverës dhe vjeshtës, prurjet e ujit mund të jenë më të larta se zakonisht, prandaj përroi është disi më i vështirë për t’u kaluar dhe shtegu që ndiqet për të shkuar deri tek ujëvara është disi më i vështirë. Gjatë shtegut është shënjuar me bojë të kuqe dhe të bardhë rruga që duhet ndjekur. Me të mbërritur në destinacion, pamja është e mrekullueshme.
Baseni i krijuar nga uji që rrjedh nga Mali me Gropa, nuk është shumë i madh, por duhet thënë që, edhe gjatë verës, kur niveli i shirave është më i ulët, ka ujë të mjaftueshëm. Është atraksion mjaft i pëlqyer edhe për të pasionuarit e fotografisë.
Të gjithë ata që duan ta shijojnë Shëngjergjin pak më shumë, për të mos u kthyer në zhurmën e Tiranës brenda ditës, së fundmi janë ngritur edhe bujtinat. Prej tre muajsh, të gjithë vëmendjen dhe përkushtimin e Albina Çukos e ka marrë Bujtina Tomadhe. Ajo është pajisur edhe me certifikatë si agroturizëm nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit, duke përfituar kështu nga të gjitha lehtësitë fiskale në kuadër të nxitjes së turizmit dhe zhvillimit të zonave rurale.
Ndonëse operon prej pak kohësh, thotë se është e kënaqur nga frekuentimi. Turistët, sipas saj, nuk janë vetëm të huajt, por edhe shqiptarët, e ndërsa flisnim bashkë në sfond dëgjoheshin zhurmat e fëmijëve, pasi një shkollë verore kishte përzgjedhur bujtinën e saj për të prezantuar fëmijët me fshatin.
Fundjavat janë ditët që preferohen më shumë nga shqiptarët e ndërsa të huajt si anglezë, belg, italianë e të tjerë parapëlqejnë që ta prenotojnë bujtinën për më shumë se sa një fundjavë. Kjo vjen për shkak se Tomadhe është në një vend të favorshëm, ku ka akses jo vetëm në natyrën e maleve, duke ofruar mundësi për hiking, por edhe për plazh në pishinat natyrale të krijuara nga lumi Erzen, si dhe në ujëvarën e famshme të Shëngjergjit. Gjithashtu mund të vizitohen shpellat e Valit dhe Bizës, Liqeni i Lepurit, Stanet e Linosit e të tjera.
Tomadhe ka një tipologji e cila hyn në agroturizëm për shkak të mundësive gastronomike që ofron. Në kopshtet dhe përreth bujtinës, pushuesit kanë mundësi që të vjelin vetë produktet e stinës, si dhe të ndërveprojnë me banorët e fshatit për një përvojë unike dhe të pakrahasueshme. Cilësia e ujit të zonës është një vlerë e shtuar, i cili vjen nga burimet nëntokësore të Shën Mërisë dhe nga uji liqenor i Liqenit të Lepurit. “Fillimi është i mbarë”- shprehet Çuko. Për momentin, thotë ajo, Bujtina ofron fjetje dhe mëngjes me produkte tipike të zonës.
Ajo shpjegon se Bujtina Tomadhe filloi të ndërtohej në vitin 2012, fillimisht si një shtëpi banimi dhe pas disa viteve zonja Albina Çuko vendosi të ndërmarrë nismën për të aplikuar në ‘Skemat Mbështetëse Kombëtare për Bujqësinë’ në kuadër të granteve për Rikonstruksion Objekt Shërbimi me Funksion Agroturizmi. Kjo mundësi u ofrua nga Buxheti i Shtetit 2018 dhe koordinimit midis Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural.
E rrethuar nga bukuritë e natyrës, Bujtina Tomadhe është një nga të paktat vende ku natyra gërshetohet me traditën gastronomike të zonës. Të gjitha ushqimet e shërbyera në Bujtinën Tomadhe janë të zonës dhe vijnë të freskëta e të sapovjela nga tokat pjellore në afërsi të saj.
Tomadhe i çeli dyert në qershor të këtij viti dhe ka një kapacitet prej 15 personash. Në të gjendet edhe një pishinë për të plotësuar kërkesat e atyre që zgjedhin të arratisen nga rutina e Tiranës. Në të është ndërtuar gjithashtu një park me kënd lojërash për fëmijë, biçikleta për të shijuar sa më shumë natyrën e gjithashtu nga kujdestarët e saj, ofrohen guida turistike dhe gastronomike në zonë.
Një agroturizëm poshtë Kalasë së Prezës
Kur në fillim ngriti vreshtin në tokat pjellore të Prezës, Qemal Alushi kurrë nuk e kishte menduar se do të ndërtonte një agroturizëm me përmasat që ka sot. Në dhjetor të këtij viti, ai bënte pjesë në numrin e vogël të subjekteve që u pajisën me certifikatë agroturizmi nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit dhe nuk e patën aspak të vështirë të përmbushnin kushtet e vendosura. Prej katër vitesh, ata shërbejnë në restorantin e ngritur pranë Kalasë së Prezës. Në fillim ata ndërtuan vreshtin dhe një pemëtore, më pas restorantin, ku punojnë prej katër vitesh. Gjatë një jave, agroturizmin e tyre e vizitojnë më shumë se 1000 veta. Të huajt që i vizitojnë kërkojnë më tepër gjërat tradicionale.
Pas drekës, turistët mund të vizitojnë edhe Kalanë e Prezës, e cila është një nga kalatë më mirë të ruajtura në Shqipëri, nga ku mund të shohësh fushat e Tiranës. Kalaja është afër Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Është një kështjellë e vogël, por më e madhe se Kalaja e Petrelës. Ndërtimi i kalasë nisi në shekullin e 14 dhe përfundoi në fillim të shekullit të 15. Ajo i përkiste familjes feudale të Topiajve. Kjo kala është deklaruar Monument Kulture i mbrojtur nga shteti.
Verë dhe ushqim i mirë
Përveç anës kulturore dhe historike, produktet dhe gatimet e Tiranës janë një tjetër pikë e fortë e turizmit në vende. Një numër i madh baxhosh dhe punishtesh gjendën të përfshira në guidën e Tiranës, për të gjithë ata që duan të blejnë produktet lokale. Në këtë listë, relativisht të gjatë, gjejmë edhe kantinën “Shehi”. Kantina “Shehi” është zero kilometra larg Tiranës, në zonën e Farkës. Puna filloi në vitin ‘99, kur iu kthyen tokat e familjes Shehi, si familje autoktone. Në atë kohë kur shkuan për të punuar tokat e trashëguara, të gjithë i paragjykonin. Në një kohë kur të gjithë po i largoheshin bujqësisë dhe fshatit, ata vendosën që të ndërtonin fermën. Zona e Farkës ka qenë para viteve ’90 fermë. Familja Shehi e nisi me vreshtarinë. Pranë vreshtit ndërtuan dhe një godinë të vogël për ta ruajtur. Aty ku ata mbollën vreshtat, nga rrushi i të cilave sot prodhohet vera e kantinës, ishin shkulur vreshtat e mëparshme nga të ardhurit në atë zonë. Prodhimi i parë ka qenë në mënyrë shumë artizanale, tregon Enveri, një prej vëllezërve të familjes.
Kantina dhe ferma janë bashkim i pesë vëllezërve Shehi. Në vitin ‘99, ata u bënë bashkë dhe vendosën që me tokën e trashëguar nga familja të mbillnin kultura të ndryshme, veçanërisht vreshtat dhe ullinj. Fillimisht ata mbollën tre hektarë vreshta dhe më pas mbollën dy hektarë ullinj dhe një hektar arra. Në dy-tre vitet e para, prodhimi u bë në kushte shumë artizanale, me fuçi. Prodhimi i parë u bë në 2005-n. Një nga drejtuesit e kantinës, Enveri, i cili është edhe bankier në një nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri, na tregon se prodhimi i verës është pasion për familjen e tyre. Enveri është trajnuar për agrobiznes në Amerikë. Secili anëtar i familjes Shehi është profesionist në punën që kanë zgjedhur për të bërë në përditshmëri, ndërsa verën e kanë pasion.
Çdo fundjavë, e gjithë familja mblidhet në fermë, e cila mesa duket ka shërbyer për t’i bashkuar edhe më shumë me njëri-tjetrin. Gjatë sezonit të vjeshtës, ku puna për prodhimin e verës është shumë intensive, i madh dhe i vogël jep kontributin për prodhimin e verës “Shehi”.
Familja Shehi asnjëherë nuk ka shpërndarë dividend. Çdo vit, fitimet që vijnë nga ferma që kanë ngritur shkojnë për t’u investuar në fermë. Në planet e tyre është edhe ndërtimi i restorantit, në mënyrë që të mbyllet i gjithë cikli. Sot, kantina tërheq një numër të madh turistësh, që shkojnë të vizitojnë fermën ku është ngritur kantina për të degustuar verë dhe për të shijuar produktet vendase.
Enver Shehi thotë për “Monitor” se më shumë punojmë me turistë të huaj që vijnë me grupe të vogla më pak se 15 veta. Por nuk mungojnë edhe turistët nga vendi. Në fundjavë, vijnë më shumë, ndërsa ata ofrojnë gatime tradicionale. “Jemi në përmirësim të vazhdueshëm, njerëzit që vijnë duan fshatin, të shikojnë fermën, nuk kërkojnë luks”- shpjegon Enveri. “Të huajt që kanë vizatuar fermën janë prej kombësive të ndryshme si holandezë, danezë, gjermanë, italianët disi më pak, çekë, pra kryesisht nga vendet e ftohta të Europës”- shton ai. Pjesa dërrmuese e turistëve që i kanë vizituar nuk vijnë me guida, por na gjejnë në internet, apo në rrjetet sociale si Instagram dhe Facebook.
Mund të filloni nga Sheshi Skënderbej, në qendër të kryeqytetit. Rreth këtij sheshi mund të shihni Pallatin e Kulturës, monumentin e Skënderbeut, Bankën e Shqipërisë dhe Muzeun Historik Kombëtar.
Vizita në Muzeun Historik Kombëtar kushton vetëm 200 lekë. Ky muze flet për historinë e Shqipërisë nga antikiteti deri në ditët e sotme. Në anën e majtë të Sheshit Skënderbej është Kulla e Sahatit e ndërtuar në 1822 nga Haxhi Et’hem Beut, i njëjti që ndërtoi dhe xhaminë pranë saj. Nga Kulla e Sahatit, pamja e qytetit është fantastike. 1 minutë larg, përgjatë ndërtesës së Bashkisë së Tiranës ndodhet Bunk’Art 2. Një bunker i ndërtuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, që tregon historinë e policisë dhe xhandarmërisë gjatë periudhës së komunizmit.
Shumë pranë ndodhet edhe pedonalja e quajtur “Murat Toptani” ku mund të gjeni kafe të ndryshme (shumë prej tyre gjenden lehtësisht kudo në Tiranë). Gjithashtu në atë zonë mund të shihni Teatrin Kombëtar, Galerinë Kombëtare të Arteve, instalacionin “Reja”, Kalanë e Tiranës.
Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” vihet re lehtësisht një ndërtesë me një arkitekturë interesante, Piramida e Tiranës. Ajo është ndërtuar për të qenë një muze për diktatorin Hoxha dhe tanimë është një hapësirë për aktivitete rinore.Duke ecur rreth qytetit ju mund të shihni në lagje vila të ndryshme të vjetra, me arkitekturë interesante dhe që tregojnë periudhat tranzitore në të cilën ka kaluar Tirana. Si për shembull Shtëpia e Sali Shijakut, një nga vilat më të vjetra në Ballkan ose Shtëpia me Gjethe, një ndërtesë e përdorur gjatë periudhës së komunizmit për përgjimet sekrete të Sigurimit. Muzeu u kushtohet njerëzve të pafajshëm që u arrestuan, internuan, torturuan dhe vuajtën dënime të rënda për shkak të përgjimeve, kontrolleve e spiunimeve gjatë regjimit komunist, shumica e të cilave kryheshin nga kjo shtëpi.
Përballë Shtëpisë me Gjethe është Katedralja Ortodokse “Ringjallja e Krishtit” dhe për të treguar harmoninë fetare në vend ju mund të shikoni në të njëjtën rrugë kisha dhe xhami, të vizitueshme për këdo që dëshiron.Lagjja më në modë në Tiranë është padyshim Blloku, ku do të gjeni një larmishmëri baresh. Ju thjesht mund të zgjidhni të pini diçka ose të kërceni nën ritmet e muzikës moderne. Një nga vendet më të qeta të Tiranës është Liqeni Artificial, ku do të relaksoheni me të vërtetë dhe do të keni mundësinë për të përdorur biçikletën tuaj, për të ecur ose për të pirë kafe në natyrë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.