Autoriteti i Mediave Audovizive ka njoftuar se subjektet audiovizivë kombëtarë, rajonalë dhe lokalë, që preken si rezultat i kalimit nga transmetimet analoge në ato numerike, do të kompensohen pjesërisht.
Ligji nr. 34/2017, datë 30.03.2017 “Për Lirimin e Frekuencave të Dixhital Dividentit”, i ndryshuar, parashikon mbulimin e pjesshëm të kostove neto shtesë që shoqërojnë kalimin nga transmetimet analoge në transmetime numerike.
Masa e kompensimit financiar do të jetë 5 000 000 (pesë milionë) euro dhe financohet nga të ardhurat e arkëtuara nga dhënia e autorizimeve individuale për përdorimin e frekuencave të Dividentit Numerik 1.
Sipas këtij ligji përfitojnë tarifën e mbështetjes:
1- 1/5 (1,000,000 euro) e tij do të përdoret për të mbuluar pjesërisht tarifën e mbështetjes së operatorëve ekzistues lokalë/rajonalë në rrjetin numerik të RTSH-së apo në rrjetet e tjera numerike të licencuara sipas ligjit për median audiovizive;
Për këtë kategori subjektesh në ligj parashikohet edhe procedura e detajuar e kryerjes së kompensimit, duke përcaktuar se subjekti përfitues i kompensimit financiar, duhet fillimisht të paguajë në bazë mujore tarifën e mbështetjes në llogarinë e RTSH-së apo të operatorëve të rrjeteve të tjera numerike dhe të paraqesë faturën përkatëse të pagesës pranë AMA-s. Vetëm pas këtij procesi, AMA kalon vlerën e tarifës së mbështetjes në llogarinë e subjektit përfitues.
2- Investime të operatorëve me eksperiencë në transmetimet numerike, që dalin jashtë funksionit, si rezultat i ndryshimeve teknologjike të imponuara nga ligji për mediat audiovizive;
Vlera 2/5 (2,000,000 euro) e shumës së lartpërmendur do të përdoret për të mbuluar pjesërisht investimet e operatorëve me eksperiencë në transmetime numerike, që dalin jashtë funksionit, si rezultat i ndryshimeve teknologjike të imponuara nga ligji nr. 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
3- Ngritjen e infrastrukturës së transmetimit nga analog në numerik, siç kërkohet nga ligji nr. 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;
Vlera 2/5 (2,000,000 euro) do të përdoret për të mbuluar pjesërisht investimet e operatorëve privatë historikë kombëtarë për ndryshimin e infrastrukturës së transmetimit nga analoge në numerike.
Për kategorinë e dytë dhe të tretë, AMA i propozon Këshillit të Ministrave, mënyrën e ndarjes së detajuar së kompensimit të kompanive me eksperiencë dhe analogëve historikë kombëtarë. Shpërndarja e kompensimit financiar për operatorët me eksperiencë në transmetimet numerike, kryhet në bazë të raportit të përgjegjësive tatimore.
AMA e konsideron të arsyeshëm këtë vendim, për aq kohë sa shteti ka marrë përsipër ndryshimin e teknologjisë së transmetimit. Vendimi për ndarjen e fondeve për subjektet e mëdha bëhet në bazë të raporteve të detajuara tatimore, duke marrë parasysh faktin që kemi të bëjmë me subjekte të cilat prej vitesh paguajnë miliona euro Buxhtetit të Shtetit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.