Më shumë se 85% të kësaj shume e përfitojnë zhvilluesit e palëve të treta dhe kompanitë e mëdha e të vogla
Një biznes i çmendur. Ky është përfundimi i studimit të fundit mbi Apple Store të Apple, që konfirmon se si app economy është tashmë një sektor në lulëzim. Vetëm në vitin 2019, gjithçka që vërtitet rreth aplikacioneve të ekosistemit Apple, solli rreth 519 miliardë dollarë në pagesa dhe shitje.
Të dhënat sigurohen nga një studim i ri, i kryer nga ekonomistët e pavarur të Analysis Group, të cilët thonë se ky është një sektor në rritje të vazhdueshme prej vitesh. App Store është Store i dytë më i rëndësishëm për aplikacione pas Google Store të Android, por ai më i vjetër dhe i cili ka përuruar të ashtuquajturën App economy.
Në App Store, marketplace historik me më shumë se 2 milionë aplikacione e më shumë se gjysmë miliard njerëz që e vizitojnë çdo javë në 175 vende, kategoritë më fitimprurëse për vitin 2019 janë: aplikacionet për mobile commerce (m-commerce), për mallra dhe shërbime dixhitale, si dhe për reklama in-app (brenda aplikacioneve). Studimi i Analysis Group zbulon se pagesat direkte që Apple u bën zhvilluesve përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të totalit, nëse merren në konsideratë shitjet që gjenerohen nga burime të tjera, si mallra dhe shërbime fizike.
Sepse, në fund të lojërave, Apple mban vetëm një komision nga transaksionet që lidhen me mallrat dhe shërbimet dixhitale. Më shumë se 85% të 519 miliardë dollarëve në total e përfitojnë zhvilluesit e palëve të treta dhe kompanitë e mëdha dhe të vogla.
Fjalët e Cook
“App Store – shpjegoi Tim Cook, duke komentuar të dhënat e studimit – është aty ku inovatorët dhe ëndërrimtarët mund t’u japin jetë ideve të tyre, e ku përdoruesit mund të gjejnë instrumente të sigurta dhe të besueshme për të përmirësuar jetën e tyre. Në një moment të vështirë dhe shqetësues si ky që po jetojmë, App Store vijon të ofrojë mundësi për sipërmarrje, shëndetin e mirëqenien, arsimin dhe krijimin e vendeve të punës, duke ndihmuar njerëzit t’u përshtaten me shpejtësi një bote që po ndryshon.
Ne angazhohemi që të bëjmë edhe më shumë për të mbështetur komunitetin global të App Store, nga zhvilluesit individualë në çdo cep të botës deri te kompanitë me mijëra punonjës, në mënyrë që të vijojnë të promovojnë inovacionin, të krijojnë punë dhe të nxisin rritjen ekonomike për të ardhmen”.
Kategoritë më fitimprurëse
Sipas raportit, kategoria më fitimprurëse vitin e kaluar ishte mobile commerce. Me fjalë të tjera, ecommerce nëpërmjet smartphone. Shitjet e mallrave dhe shërbimeve fizike përfaqësojnë pjesën më të madhe të të ardhurave, 413 miliardë dollarë. Në vend të parë, shitjet me pakicë (268 miliardë) ose ndryshe shopping online, ajo çfarë të gjithë jemi mësuar të bëjmë për shkak të pandemisë. Më pas aplikacionet për udhëtime, përfshirë booking.com dhe Airbnb (57 miliardë dollarë); aplikacionet për të prenotuar një udhëtim me taksi, si Uber dhe Free Now (40 miliardë dollarë); dhe food delivery, Deliveroo dhe UberEats (31 miliardë dollarë).
Kategoria e dytë është shitja e mallrave dhe shërbimeve dixhitale, që në vitin 2019 arrin kuotën 61 miliardë dollarë. Këtu flasim për aplikacione për muzikë e seriale televizive në streaming, por edhe aplikacione për fitness dhe ushtrime, eBook dhe podcast, aplikacione lajmesh dhe takimesh.
Në kategorinë e tretë, fitimet janë 45 miliardë dollarë, nga të cilat 44% vjen pikërisht nga lojërat. Aplikacionet më të shkarkuara në mënyrë absolute, lojërat, janë burimi më i madh prej nga vijnë reklamat in-app. Pjesa tjetër ndahet mes rrjeteve sociale dhe faqe me përmbajtje editoriale ose argëtuese. Lojërat më të shkarkuara përfshijnë “Mario Kart Tour” (më e shkarkuara në 2019) dhe “Sky: Children of the Light” e kompanisë “thatgamecompany”, e cila është vlerësuar Loja e Vitit 2019 nga Apple.
A do të jetë një 2020 ndryshe?
Nga studimi dolën në pah disi edhe trendet e reja të lindura nga pandemia. Për shkak të rregullave të distancimit fizik të vendosura nga COVID-19, njerëzit kanë ndryshuar stilin e jetës dhe kalojnë më shumë kohë duke përdorur pajisjet e tyre mobile. Aplikacionet sociale u krijojnë mundësi miqve dhe të afërmve të qëndrojnë në kontakt me njëri-tjetrin, ndërsa aplikacionet për arsimin dhe bashkëpunimin e kompanive ndihmojnë studentët dhe punonjësit të përshtaten me ndërveprimet në distancë.
Aplikacionet për dërgimin e ushqimeve kanë përfituar prej rritjes së kërkesës nga ana e konsumatorëve dhe anasjellas. Shumë dyqane fizike kanë adoptuar mobile commerce, ndër to edhe realitete që pa alternativën e një platforme dixhitale do të ishin detyruar të mbylleshin. Me pak fjalë, të dhënat e vitit 2020 mund të jenë të ndryshme, të kushtëzuara nga trendet dhe sektorët në zhvillim. Por pikërisht pandemia mund t’i ketë dhënë një zhvillim të mëtejshëm app economy.
Burimi: Il Sole 24 Ore