Nearshoring, erërat që mund të shfrytëzohen
Më herët, kryefjalë e delokalizimit të prodhimit në sektorin e industrisë ishte “offshoring” (delegimi i prodhimit në tregje të largëta) dhe Kina sfidonte gjithkënd me kostot e veta të pakonkurrueshme.
Sot, flitet gjithmonë e më tepër për “nearshoring” (biznesi i delegimit të prodhimit në vende fqinje); pra, kohë dorëzimi më e shkurtër, kosto logjistike më të ulëta dhe kontroll i zinxhirit të prodhimit më efikas.
“Nearshoring” nuk është një fenomen i ri. Është një zgjidhje strategjike e sipërmarrjes, përqasja ndaj të cilit, sidomos pas pandemisë, por jo vetëm, (p.sh. lufta në Ukrainë), ka një tendencë të theksuar në rritje.
Për shembull, sipas të dhënave të Confindustria Moda në Itali, (të cituara nga Milano Finanza), në sektorin e tekstileve, gjatë vitit të fundit, Tunizia ka pasur një rritje me 75%, kurse Turqia e ndjek me 74%; ndërsa sipas të dhënave të Dhomës së Tregtisë të Bullgarisë (të cituara nga Handelsblatt) gjatë vitit 2022, volumi i eksporteve në total drejt Gjermanisë u rrit me 26.8%, ndërkohë që importet nga Gjermania drejt Bullgarisë u rritën me 19.1%.
Për shkak të pozicionit gjeografik (por edhe të një përparimi relativ kulturor), Shqipëria do të duhej të ishte ndër rastet më të mira ilustruese të tendencës së mësipërme, të paktën për vendet e Bashkimit Europian (me në krye Italinë).
Në fakt, shumë prej sipërmarrësve të huaj që kishin zgjedhur të prodhonin në Shqipëri, në mesin e viteve ‘90 dhe fillimin e viteve 2000, e shpjegonin zgjedhjen e tyre me arsyet e mësipërme, së bashku me koston e ulët të krahut të punës.
Me kalimin e kohës, sipërmarrësit e huaj u shndërruan në qendrastare (madje një pjesë u rezistoi edhe trazirave të vitit 97); pati pak investime të reja të huaja domethënëse në prodhim; ndërkohë që u shtua numri i sipërmarrësve të vegjël shqiptarë që u përfshinë në këtë sektor.
U krijua një sistem ku të gjithë punonin, përshtateshin dhe përfitonin nga informaliteti i tij. Ishte një realitet dinamik me të gjitha kontrastet e veta. Në thelb, u siguronte bukën e gojës shumë familjeve, edhe pse bënte të pasur pak vetë.
Pavarësisht nga sa më sipër, Shqipëria nuk arriti të bëhej ndonjëherë seriozisht tërheqëse për investimet e huaja. Kjo nuk ndodhi as kur Serbia po vononte të kapërcente pasojat e luftërave ndëretnike; as kur Rumania humbi pozitën e saj konkurruese për shkak të hyrjes në BE.
Shqipëria “1 Euro” apo ajo e “parqeve industriale” mbetën në nivelin e spoteve publicitare.
Por, nëse ndjekim trendet e momentit të zhvillimit ekonomik, Shqipëria serish zhgënjen, pavarësisht potencialit të saj.
Disa kontrata porosie, më shumë, për shkak të afrimit të prodhimit nga Lindja e largët, i shërbejnë, për momentin, kryesisht konsolidimit të më të mirëve në sektor dhe mbijetesës së përkohshme të disa prej më të dobëtëve. Por nuk sjellin rritje të qëndrueshme të tij.
Në fakt, sipas statistikave, kohët e fundit, eksportet në sektorin e industrisë së lehtë vazhdojnë të tkurren. Emigracioni po tejkalon problematikën e mungesës së specializimit të fuqisë punëtore; kurse forcimi i panatyrshëm i Lekut po amplifikon çfarëdolloj luhatje inflacioni.
Sidoqoftë, nuk mbaron gjithçka këtu.
Shqipëria, duke qenë pjesë e tregjeve ndërkombëtare, reflekton çdo lëvizje apo konsolidim të tendencave të tyre. Për shembull, në sektorin e këpucëve, dorëzimi i prodhimit për shitje është përqendruar në 4 muaj për stinë.
Kështu që, cilido që punon në këtë sektor, me punën që bën në 8 muaj, duhet të mbulojë edhe kostot e 4 muajve pa prodhim.
Ndërsa në sektorin e prodhimit të këmishëve, rritja domethënëse e çmimeve të shitjes me pakicë, pas bumit të pandemisë, duket se po sjell reduktim të kërkesës dhe, si rrjedhim, të porosive.
Kjo sjell si pasojë, nga një anë, rritjen e kostove të prodhimit; kurse, nga ana tjetër, pamundësinë për të investuar në teknologjinë që dikton tregu.
Shteti, nga ana e tij, vazhdon ta trajtojë këtë sektor, me një qasje “ultraliberale”, duke ua deleguar zgjidhjen e problemeve mekanizmave të tregut.
Mungon vëmendja për një reformë të strukturuar në sektor apo incentiva reale për investimet në teknologji ose specializimin e fuqisë punëtore.
Ide bazë, si marketingu i sektorit apo krijimi i një agjencie ndërmjetësimi midis rrjetit të prodhuesve të huaj e shqiptarë, e shoqëruar me një renditje të prodhuesve vendas, për momentin, duken si frymë antirevolucionare.
Ndërsa konceptimi i politikave edhe më sociale për të punësuarit në sektor shihet thuajse si shfaqje e huaj.
Refreni i krahut të lirë të punës apo i Shqipërisë pa sindikata nuk është i mjaftueshëm. Ai josh, padyshim, sipërmarrësit e vegjël ose “guximtarët”. Por aspak sipërmarrësit e mëdhenj.
Këta të fundit, nëse krijojnë besim tek infrastruktura logjistike, ekonomike dhe ligjore që u ofrohet, investojnë në teknologji dhe në industrializim, duke rritur sasinë dhe cilësinë dhe, si rrjedhim, konkurrencën e produkteve të tyre në treg, duke absorbuar dhe duke relativizuar çështjen e shpenzimeve për fuqinë punëtore.
Sipas statistikave zyrtare të Eurostat, kostoja mesatare e punës në Gjermani është 39.5 euro për orë; në Bullgari është 8.2 euro për orë. Kurse sipas pagës mesatare nga INSTAT, në Shqipëri është rreth 4 euro për orë.
Por në Bullgari është tërësisht funksionale pranë Plovdiv edhe “Trakia Economic Zone”, ku prodhon Liebherr, Schneider Electric, Ferrero e Magna, si dhe një infrastrukturë rrugore dhe hekurudhore gjithmonë dhe më ambicioze, pavarësisht pesë palë zgjedhjeve politike brenda dy viteve.
Si përfundim, edhe pse është një tendencë globale në rritje, “nearshoring” rrezikon, për momentin, të mos prekë mjaftueshëm brigjet e Shqipërisë.
Përpjekjet për të shmangur këtë rrezik duhet të jenë një nga sfidat e radhës.
Në të kundërt, në të ardhmen, në vend të flitet për masat e investimeve të huaja të qëndrueshme apo përfitimin e vendit tonë për shkak të “efektiit pas pandemi të krijuar nga “delivery bottle neck effect” (efekti i rritjes së kostove e vonesave në dorëzimin e produktit), do të mjaftojë citimi i vargjeve të Nolit “anës detit i palarë / anës dritës i paparë”.