Statistika/Kredia sipas qëllimit të përdorimit dhe monedhës (dhjetor 2009- korrik 2012)
Gjatë pjesës së parë të vitit 2012 ka shënuar rritje vetëm stoku i huasë për biznese, ndërsa ai për individë është tkurrur. Kredia për bizneset në fund të muajit korrik u rrit me 12% me bazë vjetore, ndërsa ajo për individë është tkurrur me 4.8% në krahasim me korrikun 2011. Bankat vazhdojnë të preferojnë bizneset, pavarësisht se ky sektor ka një nivel më të lartë të huave të pakthyera në krahasim me individët.
Rritja e huadhënies për biznes, në një kohë që kredia për individët është tkurrur ka bërë që pesha e kredisë për biznes ndaj totalit të huave të rritet përgjatë vitit të fundit. Në fund të muajit korrik 2011, kredia për biznes zinte rreth 74% të totalit të huasë që është dhënë për ekonominë, në një kohë që në korrik 2011, ky tregues ishte 70%.
Ndërsa deri në vitin 2011, preferenca e bizneseve ka qenë për kredinë në euro, ndërsa në 2012 tendenca ka ndryshuar. Ritmet e rritjes së huasë në lekë kanë qenë më të larta në raport me ato në valutë, në shtatë muajt e parë të vitit 2012. Kredia në lekë për biznese është rritur me 28% me bazë vjetore, ndërsa ajo në euro me 2.3%. Si rrjedhojë, pesha e kredisë në euro për biznesin ishte 59% në fund të muajit korrik 2012, nga 63.4% që ishte në korrik të 2011-s.
Problemet e likuiditetit të biznesit reflektohen dhe në ecurinë e huasë sipas qëllimit të përdorimit. Ka një rritje të lartë të kredisë për kapital qarkullues, që ishte 23% më e lartë me bazë vjetore në korrik, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në zgjerim ka qenë dhe huaja për blerje pajisjesh, me rreth 20% me bazë vjetore. Biznesi ka ulur përdorimin e overdraftit, ndërsa huaja për pasuri të paluajtshme është shtuar me 8%.
Tkurrja e kredisë për individë reflektohet në ecurinë e të gjitha monedhave. Më e lartë ka qenë rënia në euro, ku huaja në këtë monedhë në korrik 2012 ra me 7.5% me bazë vjetore. Ndërsa frenimi i kredisë në monedhën vendase ka qenë më i ulët, me rreth -1.5%. Në fund të muajit korrik, huaja në lekë përbënte rreth 45% të totalit, nga 43.3% që ishte kjo peshë një vit më parë.
Stoku i kredisë për pasuri të paluajtshme për individë në fund të muajit korrik ishte rreth 100 miliardë euro (rreth 725 milionë euro), me një rënie prej 3% në krahasim me korrikun 2011. Tkurrjen më të madhe e ka shënuar huaja në euro, e cila me bazë vjetore ra me 7% në fund të korrikut 2012. Ndërkohë që vihet re një orientim i konsumatorëve (i detyruar disi dhe nga bankat) drejt lekut, teksa huaja për shtëpi në këtë monedhë u rrit me rreth 6.5% me bazë vjetore.
Burimi: Banka e Shqipërisë