FMN: Borxhi mund të arrijë deri në 73% të PBB në 2017
Fondi këmbëngul: Rritja e Shqipërisë në 2012, vetëm 0.5%. Qeveria të rrisë taksat, borxhi do të jetë i vështirë të ulet me këto ritme rritjeje ekonomike…
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në raportin e tij të fundit për Shqipërinë, publikuar në janar 2013, i qëndron idesë që rritja ekonomike e vendit në vitin 2012 do të jetë 0.5%, duke theksuar se kjo është një rritje më modeste se ajo midis 1-2% që presin autoritetet shqiptare. Për vitin 2013, rritja do të gjallërohet në 1.3%, për t’u rritur në 2.5% në 2013-n.
Deri tani, thotë fondi, ekonomia ia ka dalë që të shmangë rënien e thellë ekonomike. Por tani, amortizatorët e politikave mungojnë dhe zhbalancimet makroekonomike po vazhdojnë. Duke pasur parasysh që kriza në Eurozonë vazhdon, ekonomia është ngadalësuar dhe sistemi financiar po përballet me rreziqe të brendshme e të jashtme.
Në analizën që i bëhet ekonomisë shqiptare i kushtohet vëmendje e veçantë rritjes së borxhit publik. Niveli i tij ka arritur në 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe sipas FMN-së në afatin e mesëm nuk pritet ndonjë ulje e tij. Sipas skenarëve të FMN-së në analizën e qëndrueshmërisë së borxhit, një borxh i këtij niveli do të kërkonte një suficit parësor prej 1% të PBB-së që të stabilizohej. Ajo që është më e rëndësishme, sipas FMN-së, është se ky nivel borxhi përbën rreth 245% të të ardhurave, çka mund të ngrejë dyshime lidhur me aftësinë e qeverisë për të qarkulluar borxhin e saj.
Teste stresi të ndryshëm nënvizojnë mundësinë, sipas FMN-së, për përkeqësim të mëtejshëm të raportit të borxhit ndaj PBB-së. Përkeqësimi më i madh mund të vijë nga një zhvlerësim që ndodh një herë i kursit real të këmbimit me 30%, që mund të çojë në një rritje të raportit të borxhit ndaj PBB-së në 73% deri në 2017.
Gjithashtu, me shumë ndikim do të jetë ngadalësimi i ritmeve të rritjes. Në rast se rritja do të ngadalësohet në një mesatare prej 1.5% në afatin e mesëm (krahasuar me 2.5% në skenarin bazë), raporti i borxhit ndaj PBB-së mund të rritet në 65%. Së fundmi, një përkeqësim i deficitit parësor me 0.7 pikë përqindjeje mund të çojë në një rritje të borxhit publik në 64% të PBB-së.
Rreziqet nëse nuk ulet borxhi
FMN paralajmëron se, në rast se çështja e borxhit nuk adresohet, ai mund të shkaktojë sfida të rëndësishme në mjedisin aktual. Rreziqet e qarkullimit të borxhit mund të përkeqësohen për shkak të nevojave të mëdha financiare, që bankat mund të mos jenë në gjendje ta mbulojnë dhe mund të shkaktojë probleme në tregun e brendshëm të borxhit. Këto probleme mund të ndikojnë qëndrueshmërinë e sistemit bankar.
Nga ana tjetër, FMN e konsideron të qëndrueshëm në afatin e mesëm borxhin e jashtëm.
FMN: Të ngrihen taksat, të mos rriten pagat e pensionet
FMN këshillon që qeveria duhet të rrisë taksat dhe të thjeshtojë sistemin tatimor, ku FMN rekomandon mosndryshimin e TVSH-së, por rritjen e tatimfitimit dhe atë mbi të ardhurat personale, duke konkulduar se kjo rritje nuk do të ndikonte në frenimin e investimeve të huaja. Theksi vihet dhe tek adresimi i barrës fiskale në sigurimet shoqërore, ku rekomandohet zgjerimi i bazës së taksapaguesve, përfshirë ata në bujqësi dhe heqja e asimetrisë midis kontribuuesve dhe përfituesve. Fondi këshillon edhe shmangien e rritjes së taksave e pensioneve.
Në drejtim të shpenzimeve, fondi nuk rekomandon shkurtimet e shpenzimeve kapitale dhe shpenzimeve të tjera prioritare.
Berisha:
2012, rritja ekonomike 2.7%
Gjatë mbledhjes së qeverisë, kreu i ekzekutivit Berisha deklaroi se gjatë tremujorit të tretë të vitit të kaluar rritja ekonomike e Shqipërisë ishte 2.7%. Një shifër që sipas tij përbën një sukses të vërtetë, të arritur falë reformave dhe politikave ekonomike të ndjekura.
Shefi i qeverisë iu referua pikërisht vlerësimeve që Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka bërë zhvillimit ekonomik në vend. Sipas tij, vendi ynë pati aftësinë e shndërrimit të rritjes ekonomike në mirëqenie dhe kjo pikërisht në sajë të modelit ekonomik që u zbatua.
“Shqipëria renditet në vendin e 4-t në botë për shndërrimin e rritjes ekonomike në mirëqenie. FMN, në raportin e saj vlerëson qëndrueshmërinë e kësaj ekonomie. Nuk mund të ketë tregues më të thellë qëndrueshmërie në kuptimin më absolut të fjalës sesa aftësia, suksesi i shndërrimit të rritjes në mirëqenie. Kjo dëshmon më mirë se çdo gjë tjetër për të gjitha reformat, politikat dhe suksesin e tyre. Atë pasuri që krijohet ta shndërrosh në rroga, pensione, rrugë, infrastrukturë”, tha Berisha.
Banka Botërore
E kujdesshme për stimujt ekonomikë
Rritja globale 2.4% në 2013. Për Shqipërinë, Banka Botërore pret një rritje prej 0.8% në 2012-n, për t’u përshpejtuar në 1.6% në vitin 2013, ndërkohë që ekonomia vendase do të vazhdojë të jetë e prekshme nga rreziqet globale…
Vendet në zhvillim nuk duhet të tundohen të stimulojnë ekonomitë e tyre këtë vit përballë rritjes së dobët, paralajmëroi Banka Botërore të mërkurën, edhe pse bota po përballet me një tjetër vit sfidues.
Në parashikimet që sugjerojnë se 2013-a do të ketë vetëm një rritje më të lehtë se viti i kaluar, Banka rekomandon që vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme të përqendrohen në mekanizmat thelbësorë që rrisin prosperitetin, sesa të përpiqet për një rregullim të shpejtë.
Paralajmërimi vjen teksa normat e rritjes në ekonomitë e mëdha, përfshirë Brazilin, Rusinë dhe Indinë u ngadalësuan ndjeshëm vitin e kaluar dhe pak ditë pasi qeveria e re e Japonisë prezantoi një paketë stimuluese prej 116 miliardë dollarësh për të rigjallëruar ekonominë e saj.
Katër vjet pasi filloi kriza ekonomike, ekonomia botërore ende nuk po arrin që të zgjerohet me norma që u panë përpara vitit 2008. Por organizata ndërkombëtare tha se pjesa më e madhe e vendeve në zhvillim po operojnë me kapacitet të plotë, ose afër tij.
Jim Yong Kim, presidenti i ri i Bankës Botërore tha: “Rimëkëmbja ekonomike mbetet e brishtë dhe e pasigurt, duke e rrëzuar perspektivën për një përmirësim të shpejtë dhe një rikthim në një rritje më të shpejtë ekonomike”.
Në raportin e saj të Perspektivës Ekonomike Globale, që botohet dy herë në vit, Banka Botërore parashikon se rritja ekonomike globale do të gjallërohet nga 2.3% vitin e kaluar në 2.4% këtë vit.
Qeveria
“Ok” punësimit të shqiptarëve në Katar
Shqiptarëve iu është hapur “drita jeshile” edhe për punësimin në shtetin e Katarit. Këshilli i Ministrave miratoi në parim këtë marrëveshje, e cila pak kohë më parë u nënshkrua mes ministrit të Punës, Spiro Ksera, dhe homologut të Katarit Hasser Al-Hemedi.
Në bazë të kësaj marrëveshje, shqiptarët mund të përbëjnë krahun e punës që do të angazhohet në ndërtimin e veprave të mëdha gjatë Lojërave Olimpike 2020 që do të zhvillohen në Katar.
Marrëveshja rregullon rekrutimin e fuqisë punëtore nga Shqipëria dhe hyrjen e të punësuarve në shtetin e Katarit, në përputhje me ligjet dhe procedurat përkatëse të zbatuara në të dy shtetet.
Fuqia punëtore e përzgjedhur në Shqipëri dhe që plotëson kërkesat dhe kualifikimet e punëdhënësve në Katar do të përzgjidhet nga këta të fundit ose nga një zyrë rekrutimi e autorizuar nga Ministria e Punës. Punëdhënësit do të specifikojnë në ofertat e tyre kualifikimet e kërkuara, përvojën dhe specializimet e kryera, kohëzgjatjen e kontratës, kushtet e punësimit, pagesën, si dhe periudhën e provës dhe lehtësirat lidhur me transportin dhe strehimin.
Të dhënat krahasuese
Shqipëria e mbyll 2012 me borxhin dhe kreditë e këqija më të lartat në rajon
Shqipëria e ka mbyllur vitin 2012 duke shënuar jo vetëm nivelin më të lartë të kredive me probleme në të gjithë rajonin, por dhe një ndër rritjet më të mëdha të këtij treguesi në pikë përqindjeje.
Kreditë e pakthyera në afat në bankat shqiptare u rritën me pesë pikë përqindjeje gjatë 2012-s, nga 17% në fund të 2011-s, në 23% në nëntor 2011.
Të dhënat krahasuese bëhen të ditura në raportin e tremujorit të katërt të Komisionit Europian lidhur me ecurinë ekonomike të vendeve që aspirojnë të hyjnë në BE.
Vendet e tjera kanë arritur që të menaxhojnë më mirë këtë tregues, duke arritur madje që ta ulin atë.
Në Mal të Zi, i cili mbante rekord për huatë jo performuese në rajon në vitin 2011, niveli i kredive të këqija zbriti në tremujorin e tretë 2012 në 17.7% të totalit, nga 21% që ishin në dhjetor 2011.
Në Serbi, huatë me probleme u rritën me më pak se një pikë përqindjeje përgjatë vitit 2012, për të arritur në 19.9% në fund të vitit, nga 19% në 2011-n.
Kroacia pa një rritje të këtij treguesi, nga 12% në 14% përgjatë 2012-s.
Bosnja është shteti në rajon që ka më pak probleme me huatë e pakthyera në afat, të cilat ishin në një nivel prej 12.7% në fund të tremujorit të tretë 2012.
Në Maqedoni, ato u rritën minimalisht, nga 9.5% në 2011-n në 10.7% në fund të tremujorit të tretë 2012.
Një tjetër tregues që llogaritet ndër më të lartët në rajon është ai i borxhit publik, që për Shqipërinë ishte rreth 59% e Prodhimit të Brendshëm Bruto në nëntor 2012. Serbia e ka nivelin të krahasueshëm me Shqipërinë, në 58%; Kroacia në rreth 54% të PBB-së; Mali i Zi 52%, Bosnja në rreth 27% dhe Maqedonia rreth 31%.
Berisha:
Paratë e “larguara”, vlera më e ulët në rajon
Për Kryeministrin Sali Berisha, shuma prej 1,3 miliardë dollarësh e raportuar, si e larguar nga Shqipëria nga evazioni fiskal dhe korrupsioni, është më e ulëta në rajon. Këtë ai e bëri të ditur gjatë takimit të Komitetit Kundër Krimit të Organizuar. Në fjalën e tij në këtë takim, Kryeministri tha se, pavarësisht se krimi i organizuar është fenomen mbarëkombëtar dhe pastrimi i parave po bëhet gjithnjë e më i sofistikuar, qeveria dhe instancat përkatëse duhet të bëjnë të mundur që të përballin me ligjin të gjitha organizatat kriminale.
Pak kohë më parë, organizata “Global Financial Integrity”, në një raport të publikuar, njoftonte se zyrtarët e lartë shqiptarë kanë nxjerrë jashtë vendit më shumë se 1.3 miliardë dollarë, duke i bëri thirrje qeverisë shqiptare që të kërkojë informacione të detajuara mbi njerëzit që kanë bërë këto transferta.
“Të mos harrojmë që në 2004-n, raporti i BB-së shprehet se në një vit 1.4 miliardë dollarë përfundojnë në kontot e zyrtarëve kontrabandistë. Vitin e kaluar ne bëmë një amnisti. Unë gjykoj se ky përbën një motiv të fortë hetimi, në radhë të parë Ministria e Financave duhet t’i kërkojë FMN-së të japë të gjitha të dhënat që ia ka dhënë kësaj organizate dhe FMN-ja është detyruar t’u japë shteteve anëtare të dhëna të tilla. Prokurori i Përgjithshëm, Drejtoria Kundër Pastrimit të Parave duhet të përdorin të gjitha lidhjet në ndjekjen e këtyre shumave. Ka mundësi të minimizohen dhe të zbulohet krimi. Kush qëndron prapa dhe nga vijnë. Rezultate ka në mënyrë të padiskutueshme, por a është krijuar muri ligjor ndaj këtij fenomeni nëpërmjet shembujve, kjo nuk ka ndodhur dhe kjo duhet të ndodhë”, tha Kryeministri.
Tatimet:
Kujdes! Listëpagesat, tani vetëm elektronikisht
Tatimet, në një njoftim të fundit tërheqin vëmendjen, se duke filluar nga periudha tatimore janar 2013, deklarimi i Listëpagesave Esig 025 dhe Formularëve të ndryshimit të numrit të punonjësve Esig 027 do të kryhet vetëm në mënyrë elektronike.
Vendimi për deklarimin elektronik të listëpagesave është marrë që në pjesën e parë të vitit të kaluar dhe fillimisht pritej të hynte në fuqi në korrik, por më pas, tatimet lanë gjashtë muaj kohë, gjatë së cilës listëpagesat mund të dorëzoheshin si elektronikisht, ashtu dhe dorazi.
Sipas njoftimit të tatimeve, “Në zbatim të ligjit nr.9920, datë 19.05.2008, ‘Për procedurat tatimore’ i ndryshuar si dhe të VKM, nr.55, datë 3.2.2010, ‘Për deklarimin e detyrueshëm të deklaratave tatimore dhe të dokumenteve të tjera tatimore, vetëm nëpërmjet formës elektronike’, periudha tatimore dhjetor 2012, është periudha e fundit për të cilën ju keni detyrimin për të dorëzuar pranë Administratës Tatimore Qendrore, listëpagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore Esig-025 dorazi dhe elektronikisht. Afati i fundit i dorëzimit është data 20 janar 2013”.